Portali i Komisionit Europian, Safety Gate, në të cilin denoncohen rastet e alertit për kategorinë e produkteve jo -ushqimore, përmban vetëm dy raste denoncimi të produkteve shqiptare. Të dyja produktet janë letra të lagura të prodhuara në Shqipëri të markës Optimal, ndërkohë që vendi i cili ka bërë denoncimin për rrezikshmërinë e tyre ka qenë Qipro. Sipas alertit të publikuar në faqen e internetit të Komisionit Europian për rrezikshmërinë e produkteve jo-ushqimore, produktet e letrave të lagura me origjinë nga Shqipëria, njëra me kamomil dhe tjetra me Aloe Vera (Lot 143, Lot 158, Lot 204 dhe Lot 252), janë produkte kozmetike të cilat kanë prezencë të shtuar të disa lëndëve kimike të dëmshme dhe alergjike për personat që vuajnë nga alergjitë apo që kanë lëkurë të ndjeshme. Substancat kimike të cilat janë të dëmshme për lëkurën kur bien në kontakt me të janë MCI (metilkloroizotiazolinon) dhe MI (metilizotiazolinon), përdorimi i të dyjave është i ndaluar në kozmetikë.
Letrat e lagura të markës Optimal prodhohen në Shqipëri dhe duke iu referuar të dhënave të kompanisë në internet, janë prodhuar këtu që nga viti 2011, dhe gjithnjë sipas saj është i vetmi prodhues i letrave të lagura sot në Shqipëri.
Të gjitha lotet e letrave të lagura të bllokuara në Qipro janë denoncuar në fund të vitit 2020, por ndërkohë data e tyre e skadencës është përkatësisht në qershor dhe në korrik të vitit 2023, kështu që nuk dihet akoma me siguri nëse këto lote ndodhen të shpërndara edhe në tregun shqiptar. Është detyrë e institucioneve shqiptare që ta verifikojnë këtë gjë dhe të na informojnë për sigurinë e këtyre produkteve dhe nëse ata përbëjnë një rrezik për qytetarët shqiptarë, të cilët janë dhe konsumatorët kryesorë të tyre./alert.al/
No comments:
Post a Comment