Nga Alket Koroshi, mjek nefrolog
Obeziteti u njoh zyrtarisht si sëmundje në vitin 1948, ku konstatua natyra epidemike e sëmundjes dhe u vu re përhapja e sëmundjeve që kishin lidhje me rritjen e peshës trupore. Edhe Hipokrati pretendoi se “vdekja e papritur është më e zakonshme tek njerëzit e shëndoshë” dhe u dha udhëzime specifike dietike këtyre njerëzve, ndërsa kirurgu hindu Sousruta vuri re lidhjen e obezitetit me sheqerin dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Gjatë Mesjetës, mbipesha ishte një tregues i mirëqenies dhe prosperitetit të mbretërve, veçanërisht në kohën kur njerëzit vdesin shpesh nga infeksione ose nga uria. Edhe në kohen e Rilindjes, Rubens përshkruante rregullisht gra të shëndosha në pikturat e tij.
Njeri obez konsiderohet personi që ka një indeks të masës trupore (e llogaritur nga sasia e peshës ne kg pjestuar me gjatesine e trupit në metra katror) mbi 30 kg/m2 ndërsa mbipeshe quhet personi me indeks të masës trupore 25-29.9 kgr/m2. Normalisht, si për burrat ashtu edhe për gratë, indeksi i masës trupore është midis 19 dhe 25.
Sidoqoftë, duket se për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare, nuk ka rendesi vetëm sa kg peshoni, por edhe si eshte shpërndarja e yndyrës, d.m.th. ku eshte vendosur dhjami më shumë . Perimetri i belit prej më shumë se 102 cm tek burrat dhe 88 cm në gratë tregon se personi është në rrezik të shtuar për probleme shëndetësore, veçanërisht nëse ai ka një indeks të masës trupore mbi 27.
Të dhënat e fundit nga Organizata Botërore e Shëndetit tregojnë shtrirjen e sëmundjes: Në vitin 2016, mbi 1.9 miliardë të rritur ishin mbipeshë, dhe 650 milion prej tyre ishin obeze. Problemi në fakt fillon që në fëmijëri. Në të gjithë botën, 41 milion fëmijë nën moshën 5 vjec dhe 340 milion fëmijë të moshës 5-18 vjeç janë mbipeshë ose obezë.
Obeziteti shoqërohet me sëmundshmëri më të lartë dhe vdekshmëri nga sëmundjet koronare të zemrës, insuficience kardiake kongestive , sëmundja kronike e veshkave, sëmundje vaskulare cerebrale, fibrilacion atrial dhe hipertensioni të qëndrueshem. Në studimin e Framingham, pacientët obez kishin dy herë më shumë të ngjarë të zhvillonin hipertension se ata që ishin në peshë normale, por tre herë më shumë të ngjarë të zhvillonin sëmundje koronare të zemrës.
Dhe në përvojën e fundit me pandeminë COVID-19, mbipesha shoqërohej me një rezultat më të keq në rastin e sëmundjes së koronavirusit.
No comments:
Post a Comment