Komiteti Teknik i Ekpsertëve vendosi të mos ndryshojë masat antiCovid të paktën për 2 javët e ardhshme, pavarësisht rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus në Shqipëri dhe rritjes së shtrimeve në spitalin infektiv.
“Ka një rritje të rasteve, rritje të shtrimit të pacientëve në spitale. Arsyeja kryesore është prania e virusit Delta”, tha kryetarja e komitetit, Mira Rakacolli.
Ndërsa shefja e departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino tha se vaksinimi në vend ka vijuar me ritme të mira. “27% e popullsisë është vaksinuar me të dy dozat. 37% me një dozë. Rastet e vaksinuara me një dozë janë 32 herë më pak sesa rastet e pavaksinuara. Pra kjo tregon efektin e rëndësishëm të programit të vaksinimit”, tha Bino.
Masat që janë në fuqi:
Detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura dhe ku ka grumbullime njerëzish, sidomos në aeroporte.
Grumbullimet në ambientet e jashtme do vazhdojnë të jenë të lejuara deri në 50 persona.
Ora policore do vazhdojë të mbetet në fuqi 00:00-06:00 dhe muzika deri në 23:00. Vijojnë të lejohen aktivitetet sportive, teatro, me kapacitete të reduktuara deri në 30%.
Ne mendojmë se nëse këto protokolle zbatohen me rigorozitet dhe nëse vazhdojmë të vaksinohemi, situata mbahet nën kontroll. Vaksinimi dhe zbatimi i masave janë të vetmet mënyra që ne mundet të kontrollojmë infeksionin dhe të mos përballemi me valë të tjera”, tha zv.ministrja Rakacolli.
“Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 që ishin një javë më parë. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur nga 5573 në 5792, që çon në rritje të incidencës dyjavore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara.
Sa i përket pozitivitetit të mostrës, mbetet në shifrën 7.8%. Raporti i infeksionit mes femrave dhe meshkujve mbetet 52 me 48. Raporti i fataliteteve është 1.8%. Grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje në numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Saranda, Himara, Malësia e Madhe, Shkodra, Tirana dhe Vlora janë bashkitë me incidencën më të lartë”, tha Fico.
Shkak për rritjen e infektimeve është bërë qarkullimi masiv i variantit Delta në vend, që është një variant shumë herë më i transmetueshëm se variantet e tjera të virusit Covid-19.
No comments:
Post a Comment