Të dhënat e përpunuara nga Zëri i Amerikës, tregojnë se në 7 ditët e fundit (17-23 gusht), numri i të prekurve rishtaz u rrit me 65 përqind, krahasuar me javën pararendëse (10-16 gusht) duke kapur një total prej 3574 rastesh, ose një mesatare ditore prej 510 rastesh. Ky është niveli më i lartë javor që prej periudhës 16-22 mars. E premtja shënoi dhe ditën me kuotën më të lartë, me 658 të prekur, një nivel që nuk ishte rregjistruar që prej 21 marsit. E hëna ishte dita me më pak raste, 397 të infektuar, të shpërndarë në 32 bashki të vendit: 88 raste në Tiranë, 44 në Durrës, 42 në Vlorë, 38 në Shkodër, 23 në Kavajë, 18 në Fier, 16 në Lezhë, 14 në Gjirokastër, nga 11 raste në Korçë, Divjakë,nga 10 raste në Malësi e Madhe, Berat, 9 në Krujë, 8 në Lushnje, 7 në Sarandë, 6 në Rrogozhinë, nga 5 raste në Përmet, Librazhd, nga 4 raste në Peqin, Kamëz, Vau i Dejës, nga 3 raste në Tropojë, Kurbin, Dibër, nga 2 raste në Gramsh, Tepelenë, Mat, nga 1 rast në Mirditë, Vorë, Mallakastër, Këlcyrë, Poliçan. Edhe pozitiviteti (raporti mes rasteve të reja dhe testimeve) po ngjitet në nivele gjithnjë e më të larta, ndonëse testimet vijojnë të shtohen, duke kapur një mesatare ditore prej 5791 tamponësh. Mesatarja e pozitivitetit, në 7 ditët e fundit u ngjit në 8.8 përqind, nga 6.7 përqind që ishte një javë më parë.
Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet. Rritja e shpejtë e të prekurve ka çuar në një shumëfishim të rasteve aktive të cilat kanë arritur në 5792 persona, ose 100 herë më shumë se fundi i muajit qershor. Shtimi i rasteve, sipas autoriteteve, i detyrohet qarkullimit të përhapur të variantit Delta, i konfirmuar zyrtarisht disa javë më parë. Gjatë javës së fundit, u vu re dhe një dyfishim i viktimave. Janë 12 persona që humbën jetën, niveli më i lartë javor që nga periudha 11-17 maj. E vetmja ditë pa viktima ishte kjo e hënë.
Paralelisht, numri i pacientëve që kërkojnë trajtim të specializuar, është rritur progresivisht. Sipas të dhënave të ditës së sotme në spital ndodhen 84 të shtruar, ndërkohë që të hënën e kaluar (16 gusht) kishte 47 pacientë. Që nga fillimi i muajit gusht janë rregjistruar 6608 raste, gati 1 mijë më shumë se sa ishin gjatë gjithë prillit, dhe më shumë se trefishi i totalit të rasteve në muajt maj-qershor-korrik, të marrë së bashku. Megjithatë autoritetet nuk kanë dhënë asnjë sinjal për të shtrënguar masat kufizuese, Masat që janë në fuqi, shpërfillen haptazi, me miratimin e heshtur të institucioneve të ngarkuara për të ndjekur respektimin e tyre.
Vëmendja e autoriteteve është përqëndruar te vaksinimi, me thirrjet e përsëritura drejtuar popullatës, duke qenë se gushti është dhe muaji i hapur për moshat mbi 18 vjeç. Të dhënat e fundit zyrtare për këtë proces i përkasin 18 gushtit, dhe sipas tyre janë kryer 1.340.339 doza të vaksinës ndaj koronavirusit. Bazuar në to, rezulton, sipas përllogaritjeve të bëra nga Zëri i Amerikës, se 35.4 % e popullsisë mbi 18 vjeç ka marrë të paktën një doze. Prej tyre, 25.9 %, ose mbi 575 mijë persona i kanë marrë të dyja dozat./abcnews.al
No comments:
Post a Comment