Monday, March 23, 2020

Çfarë ndodh me mushkëritë e personave të prekur nga COVID – 19?

Mjeku i sëmundjeve respiratore dhe presidenti i Kolegjit Mbretëror Australian të Mjekëve, John Wilson, shpjegoi për The Guardian se çfarë u ndodh mushkërive pasi një person diagnostikohet me Covid-19, duke nisur nga një simptomë e lehtë deri në një sëmundje të rëndë që shkakton pneumoni.

Sipas OBSH, 80% e personave me COVID – 19 përmirësohen pa pasur nevojë për trajtim të specializuar. Vetëm rreth 1 në 6 persona sëmuret rëndë dhe zhvillon vështirësi në frymëmarrje.

Por, si kthehet COVID – 19 në një sëmundje serioze deri në zhvillimin e pneumonisë, dhe çfarë ka kjo të bëjë me mushkëritë tona dhe pjesën tjetër të trupit?

Si ndikon virusi te njerëzit?

 Wilson tha se njerëzit që preken nga koronavirusi mund të ndahen në katër kategori. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë ata që e kanë virusin, por nuk kanë simptoma. Kateogoria tjetër janë ata që kanë infeksion në traktin e sipërm të frymëmarrjes, të cilët, thotë Wilson, “kanë kollë dhe ethe si edhe ndoshta simptoma të buta, si dhimbja e kokës”.

Grupi më i madh i personave pozitivë me Covid-19 janë ata që paraqiten në spital me simptoma të ngjashme me ato të gripit, që zakonisht do t’i mbanin larg punës. Në grupin e katër hyjnë pacientët ku sëmundja zhvillohet në pneumoni.

Sipas Wilson, në Wuhan, situata ishte e tillë që nga ata që rezultuan pozitivë dhe kërkuan ndihmë mjekësore, rreth 6% e tyre kishin sëmundje të rëndë.

OBSH thekson se të moshuarit dhe perosonat që kanë dhe sëmundje të tjera shoqëruese si tensioni i lartë i gjakut, probleme me zemrën apo mushkëritë, apo diabet, kanë më shumë gjasa që të zhvillojnë sëmundje serioze.

Si zhvillohet pneumonia?

Kur njerëzit me Covid-19 kanë kollë dhe ethe, Wilson thotë se është rezultat i infeksionit që arrin “pemën e frymëmarrjes”, që drejton ajrin brenda dhe jashtë mushkërive. E shpjeguar më thjeshtë, veshja e “pemës së frymëmarrjes” lëndohet dhe shkaktohet inflamacion. Kjo gjë irriton aparatin e frymëmarrjes dhe vetëm një grimcë pluhuri mund të stimulojë kollë.

Por nëse kjo përkeqësohet, dëmtohen edhe përgjegjësit e shkëmbimit të gazeve dhe nëse infektohen, përgjigjen duke derdhur materiale inflamatore në qeset e ajrit të cilat ndodhen në fund të mushkërive tona. Në këtë rast, përfundojmë në pneumoni.

Ai thotë se kur mushkëritë mbushen me materiale inflamatore, zvogëlojnë aftësinë e trupit për të marrë oksigjen dhe për të nxjerrë jashtë dioksidin e karbonit. “Ky është shkaku i zakonshëm i vdekjeve nga pneumonia e rëndë,” thotë ai.

Është pneumonia e ndryshme nga Covid-19?

 Në fakt, pneumonia e shkaktuar nga Covid-19 është e ndryshme nga ajo e zakonshmja. Shumica e llojeve të pneumonisë janë bakteriale dhe përgjigjen ndaj një antibiotiku. Wilson thotë se ka prova që pneumonia e shkaktuar nga Covid-19 mund të jetë e rëndë.

Sipas tij, rastet e pneumonisë kanë tendencën të prekin të gjithë mushkëritë, në vend të pjesëve të vogla si në rastet e zakonshme. Mosha është vendimtare për rrezikun nga pneumonia, pasi është më serioze te personat e moshuar.

Burimi: The Guardian

 

No comments:

Post a Comment