Monday, March 23, 2020

Nga super përhapësi, te bilanci tragjik! Italia, vatra e madhe e koronavirusit ka disa mësime për botën!

Përvoja e vendit fqinj tregon se hapat për të izoluar koronavirusin dhe për të kufizuar lëvizjen e njerëzve duhet të vendosen që në fillim, me qartësi absolute, pastaj të zbatohen në mënyrë rigoroze.

Jason Horovic/ Ema Bubola/ Elisabeta Povoledo

Ndërsa infeksionet koronavirusit në Itali shënuan mbi 400 raste dhe vdekjet arritën numra dyshifrore, kreu i Partisë Demokratike në pushtet postoi një foto duke ngritur një dolli me “një aperitiv në Milano”, ku u kërkonte njerëzve “të mos ndryshojmë zakonet tona”.

Kjo ndodhi në 27 shkurt. As 10 ditë më vonë, pasi shifrat arritën në 5.883 të infektuar dhe 233 të vdekur, kreu i partisë, Nicola Zingaretti, postoi një video të re, këtë herë duke informuar Italinë se edhe ai ishte prekur nga virusi.

Tani Italia ka më shumë se 53,000 infeksione të regjistruara dhe më shumë se 4,800 të vdekur. Shkalla e rritjes vazhdon, me më shumë se gjysmën e rasteve dhe vdekjeve, vetëm javën e kaluar. Të shtunën, zyrtarët raportuan 793 vdekje të tjera, deri tani rritja më e madhe një-ditore. Italia ia ka kaluar Kinës si vendi me numrin më të lartë të vdekjeve, duke u bërë epiqendra e një pandemie që është zhvendosur.

Qeveria ka nxjerrë ushtrinë për të zbatuar masat e bllokimit në Lombardi, rajonin verior në qendër të shpërthimit, ku trupat e njerëzve janë bërë pirg në kisha. Të premten në mbrëmje, autoritetet shtrënguan bllokimin mbarëkombëtar, me mbylljen e parqeve, ndalimin e aktiviteteve në natyrë, duke përfshirë ecjen ose vrapimin larg shtëpisë.

Të shtunën në mbrëmje, Kryeministri Giuseppe Conte njoftoi një tjetër hap drastik, në përgjigje të asaj që ai e quajti krizën më të vështirë që ka kaluar vendi, qysh prej Luftës së Dytë Botërore: Italia do të mbyllë fabrikat dhe të gjithë prodhimin që nuk është absolutisht thelbësor, një sakrificë e jashtëzakonshme ekonomike që synon të frenojë virusin dhe mbrojë jetën.

“Shteti është këtu,” tha ai në përpjekje për të siguruar publikun.

Por tragjedia e Italisë tani është bërë një paralajmërim për fqinjët e saj evropianë dhe Shtetet e Bashkuara, ku virusi po vjen me të njëjtën shpejtësi. Në ka një gjë që na tregon përvoja e Italisë, ajo është se masat për të izoluar zonat e prekura dhe kufizuar lëvizjen e popullatës duhet të merren sa më herët, të vendosen me qartësi absolute, dhe më pas të zbatohen në mënyrë rigoroze.

Pavarësisht se tashmë kishin marrë disa nga masat më të vështira në botë, autoritetet italiane gabuan shumë në fillimet e infektimit – atëherë kur kishte më shumë rëndësi, teksa përpiqeshin të ruanin liritë themelore civile, si dhe ekonominë.

Përpjekjet e copëzuara të Italisë për ta ndërprerë epideminë – duke izoluar së pari qytetet, pastaj rajonet, duke mbyllur vendin në një bllokadë qëllimisht poroze – gjithmonë mbetën prapa trajektores vdekjeprurëse të virusit.

“Tani ne po rendim prapa tij,” thotë Sandra Zampa, nënsekretare në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila thotë se Italia bëri më të mirën që mundej, me informacionet që kishte. “Ne u mbyllëm gradualisht, siç po bën Evropa. Franca, Spanja, Gjermania, SHBA po bëjnë të njëjtën gjë. Përditë mbyllesh nga pak, heq dorë nga pak jetë normale. Sepse virusi nuk e lejon jetën normale”.

Disa zyrtarë iu dorëzuan mendimit magjik, duke hezituar të merrnin vendime të dhimbshme më shpejt. Gjatë gjithë kohës, virusi ushqehej me atë vetëkënaqësi.

Qeveritë përtej Italisë tani janë duke rrezikuar të ndjekin të njëjtën rrugë, të përsërisin gabimet e njohura dhe të shkaktojnë fatkeqësi të ngjashme. Dhe, ndryshe nga Italia, e cila lundroi në terren të paeksploruar për një demokraci perëndimore, qeveritë e tjera kanë më pak hapësirë për justifikime.

Zyrtarët italianë, nga ana e tyre, e kanë mbrojtur reagimin e tyre, duke theksuar se kriza është e paprecedentë në kohët moderne. Ata pohojnë se qeveria u përgjigj me shpejtësi dhe kompetencë, duke vepruar menjëherë me këshillën e shkencëtarëve të saj dhe duke lëvizur më shpejt me masat drastike, ekonomikisht shkatërruese, sesa homologët e tyre evropianë.

Por gjurmimi i të dhënave të veprimeve të tyre tregon mundësi të humbura dhe gabime kritike.

Në ditët e para kritike të shpërthimit, Z. Conte dhe zyrtarë të tjerë të lartë u përpoqën të zvogëlonin përmasën e kërcënimit, duke krijuar konfuzion dhe një ndjenjë të rreme sigurie, që lejonte virusin të përhapej.

Ata fajësuan për numrin e madh të infeksioneve të Italisë, testimin agresiv të njerëzve pa simptoma në veri, gjë që sipas tyre krijoi histeri dhe dëmtoi imazhin e Italisë jashtë vendit.

Edhe pasi qeveria italiane e konsideroi bllokimin universal, të domosdoshëm për të mposhtur virusin, ajo nuk arriti të komunikojë rrezikun aq fort sa nevojitej, për të bindur italianët të zbatonin rregullat, të cilat dukeshin të mbushura me hapësira anashkalimi.

“Nuk është e lehtë në një demokraci liberale,” tha Ualter Ricciardi, anëtar i bordit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe këshilltar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili argumentoi se qeveria italiane vepronte sipas provave shkencore të vëna në dispozicion të saj.

Ai tha se qeveria italiane kishte lëvizur shumë më shpejt, dhe e kishte marrë kërcënimin shumë më seriozisht, sesa fqinjët e saj evropianë ose Shtetet e Bashkuara.

Prapëseprapë, ai e pranoi që ministri i Shëndetësisë kishte “luftuar” që të bindte kolegët e tij të qeverisë të lëviznin më shpejt, dhe se vështirësitë që burojnë prej ndarjes së pushteteve në Itali, midis Romës dhe rajoneve rezultuan në një zinxhir të copëtuar komandash, dhe mesazhesh jo konsistente.

“Në kohë lufte, sic është epidemia”, ai sistem paraqiti probleme të rënda, tha ai, duke shtuar se ndoshta vonoi vendosjen e masave kufizuese.

“Unë do t’i kisha marrë ato masa 10 ditë më herët, ky është ndryshimi i vetëm”.

NUK MUND TË NDODHË KURRË KËTU

Për koronavirusin, 10 ditë mund të jenë sa një jetë.

Më 21 janar, pasi zyrtarët e lartë kinezë paralajmëruan se ata që fshihnin raste të virusit “do të gozhdoheshin në shtyllën e përjetshme të turpit “, Ministri i Kulturës dhe Turizmit i Italisë priti një delegacion kinez për një koncert në Akademinë Kombëtare të Santa Cecilia, për të përuruar vitin e Kulturës dhe Turizmit Itali-Kinë.

Michele Geraci, ish nënsekretar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe një mbështetës i marrëdhënieve më të ngushta me Kinën, po pinte një gotë me politikanë të tjerë, por shikonte rreth e rrotull me shqetësim.

“A jemi të sigurt që duam ta bëjmë këtë?”, i pyeti. “A duhet të jemi këtu sot?”

Duke parë me sytë e sotëm, zyrtarët italianë thonë sigurisht që jo.

Znj. Zampa, nënsekretarja e Ministrisë së Shëndetësisë, thotë në retrospektivë se do të kishte mbyllur gjithçka dhe menjëherë. Por në kohë reale, nuk ishte aq e qartë.

Politikanët në të gjithë spektrin shqetësoheshin për ekonominë dhe si të ushqenin vendin. Ata e kishin të vështirë të pranonin pafuqinë e tyre përballë virusit.

Më e rëndësishmja, Italia e pa shembullin e Kinës, thotë Znj. Zampa, jo si një paralajmërim praktik, por si një “film fantastiko-shkencor që nuk kishte asnjë lidhje me ne”. Dhe kur virusi shpërtheu, Evropa, tha ajo, “na pa në të njëjtën mënyrë siç kishim parë ne Kinën”.

Por që në janar, disa zyrtarë të djathtë po i bënin thirrje kryeministrit Conte, ish-aleatit të tyre dhe tani kundërshtarit politik, të karantinonte nxënësit e shkollave në rajonet veriore, që po ktheheshin nga pushimet në Kinë, një masë që synonte mbrojtjen e shkollave. Shumë nga ata fëmijë ishin nga familje emigrante kineze.

Shumë liberalë kritikuan propozimin si populist dhe frikëndjellës. Conte nuk e pranoi propozimin dhe u përgjigj se qeveritarët veriorë duhet t’i besojnë gjykimit të autoriteteve të arsimit dhe shëndetësisë, të cilët, tha ai, nuk kishin propozuar asgjë të tillë.

Por Conte demonstroi gjithashtu se po e merrte seriozisht kërcënimin e infektimit. Më 30 janar, ai bllokoi të gjitha fluturimet për dhe nga Kina.

“Ne jemi vendi i parë në Evropë që morëm një masë të tillë paraprake,” tha ai.

Gjatë muajit tjetër, Italia iu përgjigj me shpejtësi frikës së koronavirusit. Dy turistë kinezë të sëmurë dhe një italian i kthyer nga Kina, iu nënshtruan kujdesit shëndetësor, në spitalin e sëmundjeve infektive në Romë. Një alarm i rremë i bëri autoritetet të kufizonin pasagjerët në një anije turistike në brigjet pranë Romës.

PACIENTI NUMËR NJË – SUPER PËRHAPËSI

Në 18 shkurt, kur një burrë 38 vjeç shkoi në urgjencën e një spitali në Codogno, një qytet i vogël në provincën Lodi të Lombardisë, me simptoma të rënda gripi, rasti nuk i ndezi alarmet.

Pacienti nuk pranoi të shtrohej në spital dhe shkoi në shtëpi. Ai u sëmur dhe u kthye në spital disa orë më vonë, si dhe u pranua në një repart të mjekësisë së përgjithshme. Më 20 shkurt, ai kaloi në kujdes intensiv, ku rezultoi pozitiv pas testimit.

Burri, i cili u bë i njohur si Pacienti Një, kishte patur një muaj të ngjeshur aktivitetesh. Ai mori pjesë në të paktën tre darka, luajti futboll dhe vrapoi me një ekip, të gjitha ndërkohë që ishte në gjendje të infektonte, edhe pa simptoma të rënda.

Z. Ricciardi tha se Italia kishte fatin e keq, që të kishte një super përhapës në një zonë me dendësi të madhe poipullsie, dhe tejet dinamike, i cili shkoi në spital jo një herë, por dy herë, duke infektuar qindra njerëz, përfshirë mjekë dhe infermierë.

“Ai ishte tepër aktiv,” tha Z. Ricciardi.

Por ai gjithashtu nuk kishte pasur kontakte të drejtpërdrejta me Kinën, dhe ekspertët dyshojnë se ai e kish marrë virusin nga një evropian tjetër, që do të thotë se Italia nuk kishte një pacient të identifikueshëm zero, gjë që mund ta ndihmonte të frenonte virusin.

Virusi tashmë kishte qenë aktiv në Itali për javë me radhë, thonë sot ekspertët, duke u përcjellë nga njerëz pa simptoma dhe shpesh i ngatërruar si thjesht një grip. Ai u përhap në Lombardi, rajoni italian që ka më shumë tregti me Kinën dhe në Milano, qyteti më i gjallë i vendit dhe me përqëndrim më të lartë të biznesit.

“Ai që ne e quajmë Pacienti NJë, ishte ndoshta Pacienti 200”, thotë Fabrizio Pregliasco, epidemiolog.

Të dielën, 23 Shkurt, numri i infeksioneve kaloi 130 dhe Italia mbylli 11 qytete me postblloqe policie dhe ushtrie. Ditët e fundit të Karnavaleve të Venecias u anuluan. Rajoni i Lombardisë mbylli shkollat, muzetë dhe kinematë. Milanezët rendën në supermarkete.

Por ndërsa Conte e lavdëroi përsëri Italinë për dorën e fortë, ai gjithashtu u përpoq të minimizojë përhapjen, duke ia atribuar numrin e madh të të infektuarve, numrit të lartë të testimeve në Lombardi.

“Ne kemi qenë të parët me kontrollet më rigoroze dhe të sakta,” tha ai në televizion, duke shtuar se më shumë njerëz në Itali dolën të infektuar sepse “ne bëmë më shumë teste”.

Të nesërmen, pasi infeksionet tejkaluan 200, shtatë njerëz vdiqën dhe tregu i aksioneve u fundos, Conte dhe ndihmësit e tij dyfishuan masat, por edhe akuzat.

Ai fajësoi spitalin e Codognos për përhapjen, duke thënë se i kishte trajtuar gjërat në “një mënyrë jo plotësisht të duhur”, si dhe argumentoi se Lombardia dhe Veneto, një rajon tjetër verior, po frynin përmasat e problemit, duke devijuar nga udhëzimet globale dhe duke testuar njerëzit pa simptoma.

Ndërsa zyrtarët e Lombardisë u përpoqën të çlirojnë shtretërit spitalorë dhe numri i të infektuarve u rrit në 309 me 11 të vdekur, Conte tha më 25 shkurt se “Italia është një vend i sigurt dhe ndoshta më i sigurt se shumë të tjerë”.

Të premten, zyra e kryeministrit Conte ofroi një intervistë me kusht që ai të mund t’i përgjigjej pyetjeve me shkrim. Kur mori pyetjet, përfshirë ato në lidhje me deklaratat e tij të mëparshme, ai nuk pranoi të përgjigjej.

MESAZHET E PËRZIERA SHKAKTOJNË KONFUZION

Siguritë e dhëna nga drejtuesit e hutuan popullsinë italiane.

Më 27 shkurt, Z. Zingaretti postoi foton e tij me aperitivë. Po atë ditë, Ministri i Jashtëm i vendit, Luigi Di Maio, ish-drejtuesi i njërës prej partive qeverisëse, “Lëvizja Pesë Yjet”, mbajti një konferencë shtypi në Romë.

“Në Itali, ne kaluam nga rreziku i një epidemie, në një infodemi”, tha z. Di Maio, duke shpërfillur mbulimin e mediave që nxorën në pah kërcënimin e infektimit, dhe shtoi se vetëm “0.089 përqind” e popullsisë italiane ishte karantinuar.

Në Milano, vetëm pak milje larg qendrës së shpërthimit, kryetari i bashkisë, Beppe Sala, bëri publike një fushatë me emrin “Milano nuk ndalet”, dhe Duomo, katedralja historike e qytetit që është një magnet për turistët, u rihap. Njerëzit dolën jashtë.

Por, në katin e gjashtë të selisë së qeverisë rajonale në Milano, Giacomo Grasselli, i cili është koordinatori i njësive të kujdesit intensiv për të gjithë Lombardinë, pa që numrat po rriteshin dhe kuptoi shpejt se do të ishte e pamundur të trajtoheshin të gjithë të sëmurët, nëse infeksionet vazhdonin pa u pakësuar.

Task-forca e tij punoi për të sistemuar të sëmurët në shtretër në njësitë e kujdesit intensiv në spitalet më të afërta të mundshme, si dhe për të përshtatur burimet e pakta në dispozicion.

Në një nga takimet e përditshme të rreth 20 zyrtarëve shëndetësorë dhe politikë, ai i tregoi presidentit rajonal, Attilio Fontana, për shifrat në rritje.

Një epidemiolog u tregoi kurbën e infeksionit. Sistemi shëndetësor i mirënjohur i rajonit po përballej me një katastrofë.

“Ne duhet të bëjmë diçka më shumë,” u tha z. Grasselli të pranishmëve.

Z. Fontana, i cili i kishte bërë presion qeverisë qendrore për veprime më të ashpra, ishte dakord. Ai tha se mesazhet e përziera nga Roma dhe lehtësimi i kufizimeve i kishin bërë italianët të besonin “se gjithçka ishte një shaka, dhe ata vazhduan të jetonin njësoj si më parë”.

Ai tha se kishte bërë thirrje për masa më të ashpra kombëtare në konferenca me kryeministrin dhe presidentët e tjerë rajonalë, duke argumentuar se numri i rasteve në rritje kërcënonte të fuste në kolaps sistemin spitalor në veri, por kërkesat e tij ishin refuzuar vazhdimisht.

“Ata ishin të bindur se situata ishte më pak serioze dhe nuk donin të dëmtonin shumë ekonominë tonë,” tha z. Fontana.

Qeveria filloi të japë një ndihmë ekonomike, e cila më vonë do të pasohej nga një paketë lehtësimi prej 25 miliardë eurosh, por vendi u nda midis atyre që e panë rrezikun dhe atyre që nuk e panë.

Znj. Zampa tha se ishte rreth asaj kohe që qeveria mësoi, se infeksionet në qytetin Vò, epiqendra e virusit në rajonin Veneto, nuk kishin asnjë lidhje epidemiologjike me shpërthimin e Codognos.

Ajo tha se Ministri i Shëndetësisë, Z. Speranza dhe Z. Conte diskutuan se çfarë të bënin dhe brenda ditës, ata vendosën të mbyllnin pjesën më të madhe të veriut.

Në një konferencë shtypi të befasishme në 2 mëngjesit në 8 Mars, kur 7.375 njerëz ishin testuar tashmë pozitivë për koronavirus dhe 366 kishin vdekur, z. Conte njoftoi hapin e jashtëzakonshëm të kufizimit të lëvizjes për rreth një çerek të popullsisë italiane në rajonet veriore, që shërbejnë si motori ekonomik i vendit.

“Ne po përballemi me një emergjencë,” tha Conte në atë kohë. “Një emergjencë kombëtare”.

Një draft i dekretit, i nxjerrë në media italiane të shtunën në mbrëmje, shtyu shumë banorë të Milanos të nxitojnë në stacionin e trenit dhe të përpiqen të largohen nga rajoni, duke shkaktuar atë që shumë më vonë u konsiderua, si një valë e rrezikshme e përhapjes drejt jugut.

Megjithatë, ditën tjetër, shumica e italianëve ishin ende të hutuar për ashpërsinë e kufizimeve.

Për të sqaruar çështjen, ministria e Brendshme lëshoi forma “autorizimi” që do t’u lejonin njerëzve të udhëtonin brenda dhe jashtë zonës së mbyllur për punë, arsye shëndeti ose “nevoja të tjera”.

Ndërkohë, disa guvernatorë rajonalë urdhëruan në mënyrë të pavarur njerëzit që vinin nga zona e mbyllur rishtas, që të vetëkarantinoheshin. Të tjerët nuk e bënë.

Kufizimet më të gjera në Lombardi praktikisht hoqën karantinën mbi Codognon dhe qytetet e tjera të “zonës së kuqe”, të lidhura me shpërthimin fillestar. Pikat e kontrollit u hoqën. Kryetarët e komunave lokale u ankuan se sakrificat e tyre kishin vajtur dëm.

Një ditë më vonë, më 9 mars, kur rastet pozitive arritën në 9.117 dhe numri i vdekjeve u rrit në 463, Conte ashpërsoi kufizimet dhe i zgjeroi ato në shkallë vendi.

Por deri atëherë, thonë disa ekspertë, ishte shumë vonë.

EKSPERIMENTE LOKALE

Italia është ende duke paguar çmimin e atyre mesazheve të përziera nga shkencëtarë dhe politikanë. Njerëzit që kanë vdekur në një numër tronditës së fundmi – më shumë se 2,300 në katër ditët e fundit – u infektuan kryesisht gjatë konfuzionit të 1 apo 2 javëve më parë.

Roberto Burioni, një virolog i njohur në Universitetin San Raffaele në Milano, tha se njerëzit ishin ndjerë të sigurt që të vazhdonin me rutinat e tyre të zakonshme dhe ai ia atribuon shtimin e madh të numrave javën e kaluar, pikërisht asaj sjelljeje.

Qeveria i ka bërë thirrje unitetit kombëtar në zbatimin e masave kufizuese. Por të shtunën, qindra kryetarë nga zonat më të goditura i thanë qeverisë se masat ishin të pamjaftueshme.

Udhëheqësit në veri janë të dëshpëruar që qeveria të veprojë më fort.

Të premten, Z. Fontana u ankua se 114 trupat që qeveria vendosi ishin të pakta dhe se të paktën 1.000 të tjera duhet të dërgoheshin menjëherë. Të shtunën, ai mbylli zyrat publike, vendet e punës dhe ndaloi vrapimin. Ai tha në një intervistë se qeverisë i duhej të ndalonte grindjet dhe “të zbatonte masa të forta”.

“Ideja ime është që nëse do të kishim mbyllur gjithçka në fillim për dy javë, ndoshta tani do të festonim fitoren,” tha ai.

Aleati i tij politik, Luca Zaia, presidenti i rajonit të Venetos, i parapriu qeverisë kombëtare me masat e tij, dhe tha se Romës i duhej të zbatonte “një izolim më drastik”, duke përfshirë mbylljen e të gjitha dyqaneve dhe ndalimin e veprimtarive publike.

“Shëtitjet duhet të ndalohen,” tha ai.

Z. Zaia ka një farë besueshmërie për këtë çështje. Ndërsa infeksionet e reja janë përhapur në të gjithë vendin, ato kanë rënë dukshëm në Vò, një qytet me rreth 3,000 njerëz që ishte një nga të parët e karantinuar, dhe që pati vdekjen e parë prej koronavirusit në vend.

Disa ekspertë qeveritarë ia atribuan këtë kthesë, karantinës së rreptë që kishte ekzistuar prej dy javësh. Por Z. Zaia kishte porositur gjithashtu teste për këdo atje, në kundërshtim me udhëzimet shkencore ndërkombëtare dhe qeverinë. Qeveria ka argumentuar se testimi i njerëzve pa simptoma është një shpërdorim i burimeve.

“Të paktën kjo ngadalëson shpejtësinë e virusit”, tha z. Zaia, duke argumentuar se testimi ndihmoi në identifikimin e njerëzve potencialisht ngjitës, por pa simptoma. “Dhe ngadalësimi i shpejtësisë së virusit lejon që spitalet të marrin frymë”.

Nndryshe, numri i lartë i pacientëve do të shkatërronte sistemet e kujdesit shëndetësor dhe do të shkaktonte një katastrofë kombëtare.

Amerikanët dhe të tjerët, tha ai, “duhet të jenë gati”. / NYT

No comments:

Post a Comment