Wednesday, September 30, 2020

COVID-19/ Kirurgu Koçeku: Maskat nuk kanë qenë kualitet për personelin

Gazetare: Klevisa GJIKA

Pajisja e bluzave të bardha me mjetet kryesore mbrojtëse që nga marsi i këtij viti, kohë kur COVID-19 erdhi edhe në vendin tonë, është një problematikë së cilës i duhet kushtuar një vëmendje e veçantë për shkak të rëndësisë që kanë në kushtet aktuale në të cilat jetojmë.

Sami Koçeku, mjek kirurg në Spitalin Universitar të Traumës tregon se cilësia e pajisjeve mbrojtëse për personelin mjekësor nuk ka qenë i duhuri.

“Vështirësitë kanë qenë në bazën materiale. Kemi pasur sasi të mëdha dorezash, maskash, por të ishin pak më të angazhuar mund të kishim jo maska të thjeshta, por ato me valvul dhe filter. Kemi kërkuar, por mbase kanë munguar edhe në treg.

Si numër kanë qenë të mjaftueshme, por maskat nuk kanë qenë kualitet për personelin“, shprehet mjeku.

Mjeku Koçeku thekson faktin se pacientët që shkojnë në dy spitalet COVID dihet se janë të infektuar, ndaj sipas tij vëmendja duhet të fokusohet edhe në spitalet e tjera të vendit.

“Personeli mjekësor, mjekë dhe infermierë duhet t’i kenë profesionale. Përjashto Infektivin, problemi është te pjesa tjetër. Tek ne, te spitalet e qarqeve, te “Nënë Tereza” vijnë çdo ditë qindra njerëz, por ai vjen për probleme barku, koke, gjoksi dhe ne nuk e dimë nëse këta sëmurë vijnë me COVID apo s’vijnë me COVID. Kjo padija është e rrezikshme. Ndërsa te Infektivi është e sqaruar, ai që shkon atje është me COVID. Ne kemi marrë masa, por janë kauçuk ato që përdorim për fytyrën, porn a pengojnë pamjen, ne jemi kirurgë, ne duhet të shohim edhe me mikroskop. Po të kesh atë nuk e sheh dot. Tek ne ka specifikë se mbase duhet të ishim më të vëmendshëm, jo ne, por ata që japin dhe sjellin material.”

Por cili është sugjerimi i kirurgut në lidhje me menaxhimin e situatës dhe delegimin e punës?

“Të gjithë te ne vijnë. Ishte një variant i mirë dhe oportun për t’u zbatuar te Sanatariumi, ku janë 10-12 kirurgë. Përderisa është spital për COVID-in këta të sëmurë mund të trajtoheshin shumë mirë atje. Ata nuk i operojnë se mbështesin këtë urdhrin e ministres që bëhen vetëm te Trauma. Atje mund të bëheshin shumë mirë se kushtet i kanë, mundësitë i kanë. Reanimacionin e kanë perfekt, pajisjet i kanë shumë të mira, personel kanë.”

No comments:

Post a Comment