Wednesday, September 16, 2020

‘Pushime’ pas pushimeve?!/ Ja çfarë duhet dhe nuk duhet të bëni sipas psikologes Haxhiu

Gazetare: Klevisa GJIKA

Mbarimi i pushimeve dhe rikthimi në monotoninë e jetës është një kalim jo i pëlqyeshëm për të gjithë. Mirëpo si t’ia bëjmë që ta përjetojmë sa më mirë dhe si ta heqim mendjen nga pushimet?

Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, psikologia Jonida Haxhiu tregon se mënyra më e mirë është përshtatja me kalimin nga një mjedis në tjetrin. Sipas saj është mirë që të organizojmë pushime pas pushimeve, pra disa ditë pas udhëtimit është e nevojshme që ta marrim veten që të shkojmë sa më të përgatitur në punë.

“Duhen ca ditë pushime pas pushimeve. Edhe pushimet kanë angazhime dhe kur kthehemi na duhet të përshtatemi pas shëtitjeve, takimeve me njerëz. Na duhet të përshtatemi. Rikthimi menjëherë nga udhëtimi në zyrë mbase do ishte me stres. Për ta marrë me sa më pak stres këtë kthimin në punë, do ishte më mirë të programonim ca ditë tranzitore. Studiuesit thonë se kështu është më pak stresuese”, tregon psikologia.

Haxhiu thekson se masat anti-covid nuk duhen harruar, nisur nga fakti se jetojmë në një normalitet të ri të pashmangshëm.

“Çdo ndryshim rutine mund të shkaktojë stres për shkak të nevojës për t’u përshtatur ndaj situatës së re. Kthimi nga pushimet në punë, në rutinën e zakonshme është periudhë stresante. Tashmë, ne kthehemi nga pushimet e pandemisë në normalitetin e ri, në ato ambientin e punës ku duhet të klemi parasysh masat anti-covid.”

Sa me vend është hapja e email-eve dhe komunikimet në lidhje me punën gjatë pushimeve? Jonida Haxhiu shprehet kështu:

“Emaile-t, hapja e tyre varet nga prioriteti që kanë. Unë besoj se nuk është mirë. Për sa kohë që jemi me pushime, jemi me pushime. Nuk këshillohet që kur jemi me pushime të rrimë me kontakte pune. Është e rëndësishme që pushimet të shijohen në mënyrë që pushimet dhe relaksimi të jetë sa më shumë efektiv”, shprehet Haxhiu.

Por a duhet të mendojmë për pushimet  e vitit të ardhshëm, kur sapo i kemi mbaruar këtë vit? Si ndikon kjo në shëndetin mendor?

“Jemi në kohën e pandemisë dhe nuk mund të mendojmë se si do shkojë gjërat. Edhe një një situatë normale nuk duhet të bëjmë plane, jeta është e vrullshme, mund të ndodhin ndryshime dhe si psikologe nuk do këshilloja si psikologe planifikimin në avanc të gjërave. Nëse diçka nuk shkon ka individë që e përjetojnë me shumë stres, ankth prishjen e planeve.

Planifikimi lidhet me reduktimin e stresit. Personat që janë të planifikuar kanë nivel më të ulët stresi sesa ata që nuk janë të organizuar dhe që i lënë gjërat për në momentin e fundit. Ka persona tek të cilët planifikimi e lehtëson nivelit e ankthit, pastaj ka të tjerë që përjtojnë nivel tjetër stresi në varësi të tipit dhe personalitetit”, shton më tej psikologia.

No comments:

Post a Comment