Wednesday, September 16, 2020

Drejtori i Ankesave për Konsumatorin: Karantinimi solli rreth 18% ankesa më shumë sesa mars-qershori i vitit 2019

Gazetare: Klevisa GJIKA

Periudha e izolimit detyroi qytetarët të bëjnë blerje të shpejta nga frika e mungesës së produkteve, kryesisht ushqimore, në treg për shkak të përhapjes së COVID-19. Por sa të kënaqur kanë qenë qytetarët me produktet e blera dhe me shërbimet e marra?

Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, Hasan Stafa, drejtori i Ankesave në “Qendrën për Mbrojtjen e Konsumatorit” tregon se numri i ankesave është rritur për periudhën mars-qershor të këtij viti, praktikisht në kohën e izolimit total. Ai shprehet se referuar të dhënave, kemi 18% më shumë ankesa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Po flasim për një periudhë 3-mujore dhe ankesat për këtë afat kohor kanë qenë më të larta krahasuar me të njëtën periudhë të vitit të kaluar. Rreth 18% ankesa janë më shumë sesa mars-qershori i vitit 2019. Duke qenë se kemi qenë në kohë lufte nuk duhet të kishte ankesa sepse gatishmëria e strukturave duhet të përqendrohej te shëndeti i konsumatorëve. Shëndeti vazhdon nga kontrolli i tregut, i produktit, kontrollin e ujit, sistemit të ambientit, distancimit fizik dhe të bëhej një punë reale nuk do të ishin këto probleme”, tregon Stafa.

Stafa thekson se ankesat lidhen ushqimet, medikamentet, por edhe me ujin e pijshëm.

“Nga data 8 mars deri më 23 qershor ka pasur 264 ankesa. Këto ankesa po ti klasifikojmë janë për ushqimin, kryesisht për nënproduktet e mishit dhe qumështit, janë ankesa për medikamentet që shumëherë nuk kanë dhënë rezultatin e tyre, pasi kanë qenë medikamente stoqe që nuk kanë qenë të efektshme, por të denatyruara ose janë blerë në kohë lufte për më lirë dhe janë shitur duke bërë abuzime. Ka pasur ankesa për ujin e pijshëm për përzierjet e ujërave të zeza me ato të bardha. Kemi pasur nga 1 rast në Shëngjin, Shkodër, Laç dhe në Tiranë 4 raste që nuk janë pak”, shprehet drejtori i Ankesave në “Qendrën për Mbrojtjen e Konsumatorit”.

Krahas blerjeve të realizuara vetë nga qytetarët, natyrisht nuk kanë munguar edhe blerjet online nisur nga kushtet e detyruara të karantinimit.

“Edhe për blerjet online ka pasur ankesa. Duke qenë se u mbyllëm , të rejat duke pasur nevojë për produkte kozmetike që i blejnë online kanë bërë porosinë dhe jo vetëm që është vonuar porosia, por edhe kur ka hapur produktin ka parë që nuk është cilësia e atij produkti që i është premtuar përmes sistemit online. Atëherë, konsumatori është dëmtuar dhe ka marrë justifikime si: jo është dëmtuar gjatë rrugës, jo ka pasur vonesa. Ka pasur 7 raste të tilla, 2 në Fier dhe 5 në Tiranë”, shton më tej Stafa.

No comments:

Post a Comment