Monday, September 21, 2020

Gjendja shëndetësore e familjarëve dhe furnizimi me material të mbrojtjes personale janë vetëm disa nga shqetësimet e mjekëve nga COVID-19

Të pyetur për aspekte të ndryshme që potencialisht mund t’i shqetësojnë përgjatë kësaj periudhe pandemie, dukshëm gjendja shëndetësore e familjarëve zë vendin e parë në listën e shqetësimeve, në masën 82%, me diferencë të konsiderueshme nga shqetësimet e tjera.

Së dyti, stafi shëndetësor është i shqetësuar për furnizimin me materiale të mbrojtjes personale, në masën 57%, për të mbrojtur veten dhe gjithë të tjerët përreth. Gati gjysma e personelit (52%) janë të shqetësuar për kushtet e trajtimit të pacientëve me COVID-19 që mund të mos jenë brenda standardeve të kërkuara. Nga ana tjetër, duke qenë se shumë prej procedurave dhe protokollove të pandemisë janë duke u aplikuar për herë të parë nga ana e tyre, ky është një shqetësim që e ndajnë 40% e personelit. Më tej stafi shëndetësor shpreh shqetësim për kolegët në masën 39% dhe në fund të listës është shqetësimi për veten e tyre dhe gjendjen shëndetësore personale në masën 34%, duke konfirmuar edhe njëherë vetëmohimin për të mirën e përbashkët që këta heronj të shoqërisë janë duke realizuar.

Diferencat mes niveleve të ndryshme të shërbimit spitalor janë kryesisht të pandjeshme, pasi stafi shëndetësor në të gjitha nivelet ndan këto shqetësime pothuaj në të njëjtën masë. Përjashtim bën masa e shqetësimit për veten, ku personeli në spitalet COVID shprehet si më pak i shqetësuar sesa kolegët e tyre në spitalet e tjera ose në sistemin parësor.

No comments:

Post a Comment