Wednesday, September 30, 2020

Shefi i Toksikologjisë në QSUT: Kemi vëzhguar sjellje të re në përdorimin e alkoolit dhe drogës kur u prezantuan masat anti-covid

Gazetare: Klevisa GJIKA

Periudha e pandemisë së krijuar nga COVID-19 është shoqëruar edhe me probleme në përdorimin e alkoolit dhe lëndës drogë. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti”, Andrin Tahiri, shefi i Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tregon se gjatë kësaj periudhë është vënë re një sjellje e re nga qytetarët që kanë kërkuar shërbim mjekësor në Shërbimin e Toksikologjisë Klinike. Ja çfarë rendit Tahiri si pasoja të këtij problemi:

“Kemi vëzhguar sjellje të re të rrezikut që lidhet me përdorimin e alkoolit dhe lëndës drogë, sidomos kur u prezantuan masat e kontrollit COVID-19. Ka pasur:

  1. Risk të lartë për të rifilluar lëndën drogë dhe alkoolin
  2. Çrregullime sjellore me situata të dhunës verbale apo fizike në familje dhe në komunitet
  3. Dëme dhe pasoja të tjera shëndetësore dhe sociale
  4. Tendencë për suicide
  5. Konflikte ndërpersonale dhe familjare”

Referuar shefit të Toksikologjisë në QSUT, është rritur numri i persoanvfe që kanë kërkuar shërbim spitalor pas periudhës së karantinimit total. Megjithatë, ai thekson së është vepruar në përputhje me rregullat anti-covid të vendosura nga qeveria.

“Periudha post-izolim ka një rritje të dukshme në kërkim të shërbimit mjekësor, por kemi minimizuar shtrimet sipas udhëzimeve periodike, por pa anashkaluar cilindo rast në nevojë për asistencë mjekësore apo këshillime të rastit”, shprehet Tahiri.

Po gjatë izolimit të detyruar si kanë qenë rastet e personeve të alkoolizuar dhe të droguar?

“Gjatë karantinimit ka pasur një ulje të moderuar në kërkim të shërbimit mjekësor”, tregon mjeku.

Në lidhje me kushtet aktuale të higjienës ai bën me dije se:

“Zbatohen me korrektësi profesionale masat paraprake standarte të dezinfektimit spitalor. Çdo ditë bëhet higjienizimi dhe sterilizimi i ambienteve të shërbimit nga personeli sanitar i trajnuar për situatën. Në rast konfirmimi COVID-19 lajmërohet shërbimi Higjieno-Sanitar ku bën dezinfektimin e ambientit sipas protokollit të unifikuar.”

Stresi gjatë ushtrimit të punës gjatë kësaj kohe, pra nga marsi i këtij viti dhe deri në këto momente, nxirret në pah edhe nga vetë shefi i Toksikologjisë.

“Mund të them që fluksi i punës krahasuar me një vit më parë është pothuajse i njëjtë, me ndryshimin që stresi është i pranishëm në çdo moment të ditës gjatë punës sonë si mjek.”

Mjeku toksikolog i kërkon të gjithë qytetarëve që të dinë se si të përballen me situatën e COVID-19. “Disiplina për zbatimin e masave të unifikuara anti-covid është një qasje e rëndësishme për ju dhe ne si mjekë”, apelon mjeku.

I pyetur nëse ka një apel për kolegët e tij, mjeku Tahiri tha:

“Të nderuar kolegë, jam krenar që jam krah jush, Zoti t’ju bekojë.”

No comments:

Post a Comment