Thursday, September 17, 2020

Protesta e naftëtarëve/ Qytetarja: Si lejohen të preken gra këtu? Po ndodh në mes të Tiranës, po në pjesën tjetër çfarë ndodh?

Gazetare: Klevisa GJIKA

Protesta e naftëtarëve të Ballshit në Tiranë për shlyerjen e pagave dhe rinisjen e punës është shoqëruar me përplasje dhe kundërshtime. Pjesë e këtij grumbullimi, krahas naftëtarëve janë edhe qytetarë të thjeshtë dhe aktivistë.

Krahas kërkesave për problemin në fjalë, nuk mungojnë reagimet për trajtimin e gjinisë femërore gjatë zhvillimit të protestës. Një qytetare e indinjuar shprehet kështu (qytetarja në foton më lart):

“Si mund ta denoncoj unë nëse ai shkel ligjin? Si lejohen këta burra që janë me armë, pa numra (për policët) që të prekin gra këtu? E kuptoni se ka shkelje ligjore dukshëm, në sy të mediave, në mes të Tiranës. Çfarë ndodh në pjesën tjetër të Shqipërisë? Ky është shteti represiv i Edi Ramës.”

Kështu, krahas grumbullimit për kauzën PUNË, PAGË, PERSPEKTIVË!” të naftëtarëve, qytetarët nuk kanë ngurruar të shprehin edhe shqetësime të tjera të krijuara gjatë zhvillimit të protestës.

Në anën tjetër të rrugës “Abdi Toptani” oficerët e policisë qëndronin në gatishmëri, nisur nga fakti se përplasjet dhe përleshjet nuk mungonin.

Uniformat blu përiqeshin t’i shpërndanin qytetarët, për të shmangur grumbullimet për shkak të COVID-19, por kjo ishte e pamundur.

Rreth 800 punonjës të rafinerisë së Ballshit përballen prej së paku tre vitesh me situata të përsëritura të mos-shlyerjes së pagave apo të ndërprerjes së punës. Në vitin 2017 dhe 2018 protestat e tyre u përshkallëzuan ndjeshëm dhe detyruan qeverinë të hynte në diskutim me kompanitë private Tosk Energji dhe Bylis Energji, të cilat kishin pak kohë që kishin marrë në administrim rafinerinë.

No comments:

Post a Comment