Thursday, January 21, 2021

COVID-19 shtoi izolimin dhe varfërinë e personave me aftësi të kufizuar

Një raport i hartuar nga organizata ‘Together for Life’ zbulon se qeveria nuk iu përgjigj në kohë nevojave të personave me aftësi të kufizuar gjatë pandemisë, duke nxjerrë në pah dobësitë e sistemit të ngritur për mbështetjen e tyre.
Në moshën 18 vjeçare, Shpresa Spahiu u diagnostikua për herë të dytë me kancer në shtyllën kurrizore dhe pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, mbeti e paralizuar.

Sot 46-vjeç, pas 28 vitesh me statusin e paraplegjikes, ajo jeton e vetme në një apartament garsonierë në Tiranë, duke mbijetuar me pagesën e invaliditetit dhe bonusin e qirasë që merr nga bashkia.

Spahiu merr 7 mijë lekë si bonus qiraje, ndërkohë që paguan dyfishin për apartamentin e saj modest. Me pagesën e invaliditetit prej 38 mijë lekësh, ajo mbulon shpenzimet mujore të jetesës dhe ato shëndetësore.

“Për të përballuar të gjitha nevojat është e vështirë,” tha Shpresa. “Përveç nevojave të tjera, kam edhe nevoja higjieno-sanitare,” shtoi ajo, ndërsa shpjegoi se për shkak se përdor pampers, shpesh i krijohen infeksione urinare, duke ia rritur shumë kostot mujore për medikamente.

Vështirësitë financiare me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuar u thelluan pas përhapjes në Shqipëri të pandemisë së koronavirusit të ri SARS-CoV-2.

“Për ne u futën kosto shtesë, se nëse do dilje, do pajiseshe me maskë, me alkool,” shpjegoi Shpresa, ndërsa u ankua se qeveria  nuk i ka pasur në fokus personat me aftësi të kufizuar gjatë kësaj periudhe.

“Jemi trajtuar njësoj me pjesën tjetër të popullatës,” theksoi ajo, ndërsa shtoi se “nuk patëm asnjë mbështetje shtesë nga shteti.”

Një raport i publikuar nga organizata ‘Together for Life’  me mbështetjen e Fondacionit Westminster për Demokraci zbulon se personat me aftësi të kufizuar janë përballur me problematika shtesë gjatë pandemisë së Covid-19, veçanërisht gjatë periudhës së karantinës së detyruar nga masat kufizuese të ndërmarra nga qeveria gjatë pranverës së vitit 2020.

Sipas këtij raporti që mbulon gjashtë qarqe, i titulluar “Ndikimi i Covid-19 te Personat me Aftësi të Kufizuara,” 8 në 10 persona me aftësi të kufizuara kanë përjetuar probleme financiare në mënyrë të drejtpërdrejtë nga pandemia e COVID-19.

Që nga shpërthimi i pandemisë së COVID-19 në mars, 61 705 persona janë infektuar dhe 1123 pacientë kanë humbur jetën.  Në Shqipëri, 74 194 persona ose 6,2% e popullsisë janë me aftësi të kufizuara.

Personat me aftësi të kufizuara rezultojnë një nga grupet më të përjashtuara të shoqërisë, që edhe në rrethana normale, përballen me pabarazi, diskriminim, mungesë shërbimesh dhe vëmendjeje nga politikëbërësit dhe vendimmarrësit.

Bajram Shkreta i humbi ttë dy këmbët nga diabeti | Foto ” TFL

“Shtetin e kemi pas prezent vetëm përmes ekranit të televizorit,” ankohet Bajram Shkreta, nënkryetar i Shoqatës së Tetraplegjikëve në Tiranë, i cili ka humbur të dyja këmbët nga sëmundja e diabetit.

“Më kanë ndihmuar të afërmit për të marrë medikamente,” shtoi ai, ndërsa i bërë thirrje autoriteteve për të marrë masa për t’i vaksinuar kundër COVID-19.

Sipas raportit të hartuar nga ‘Together for Life’, mbi 90% e të anketuarve deklaruan se nuk kishin përfituar mbështetje nga asnjë prej paketave financiare të akorduara nga qeveria gjatë pandemisë, por kanë gjetur mbështetje kryesisht nga organizatat jofitimprurëse, bashkitë si dhe miq dhe familjarë.

Raporti thekson se pandemia i gjeti të papërgatitura institucionet shtetërore, të cilat nuk arritën të reagonin në kohë për të marrë masa në hartimin, promovimin dhe zbatimin e protokolleve për grupet e veçanta,  të cilët e gjetën veten të izoluar nga masat e distancimit social.

“Një ndër problematikat që evidentuam gjatë monitorimit ishte pamundësia për të lëvizur e ndihmësit personal të personit që kishte nevojë për asistencë dhe izolimi i të dyve,” shpjegoi Darian Konomi, Specialist i Monitorimit dhe Raportimit tek Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit.

“Të pamundur të lëviznin e kishin edhe personat që jetonin vetëm,” theksoi ai, ndërsa shtoi se personat që kishin nevojë për ndihmës personal nuk morën asnjë udhëzim se çfarë protokolli duhej të ndiqte ky i fundit.

Sipas Konomit, një tjetër problem gjatë kësaj periudhe për personat me aftësi të kufizuar, në mënyrë të veçantë për persona me aftësi të kufizuar intelektuale, ishte mungesa e qasjes në shërbime sociale e rehabilituese të ofruara më parë në qendra komunitare ditore ose rezidenciale.

“Aftësia e kufizuar intelektuale pati probleme shumë të mëdha,” tha Konomi. “Kemi patur sjellje devijante si mbyllje në vetvete, apo edhe sjellje të dhunshme në disa raste,” shtoi ai.

Sipas raportit  të TFL-së, situata e krijuar nga pandemia e COVID-19 dhe kufizimet e vendosura nga qeveria për parandalimin e saj, çuan në uljen drastike të numrit të personave me aftësi të kufizuar që trajtoheshin në qendrat rezidenciale, ditore dhe komunitare.

Darjan Konomi monitorues pranë Komisionerit Kundër Diskriminimit | Foto : TFL

Ndërkohë që shumica e personave me aftësi të kufizuar gjatë periudhës së karantinës u trajtuan në shtëpitë e tyre, rreth 15% e të anketuarave deklaruan se u detyruan ta ndërprisnin trajtimin gjatë kësaj periudhe.

Kastriot Sulka, ekspert i çështjeve sociale dhe punësimit, tha se shoqëria po përballet me vështirësi për t’i ndihmuar dhe mbështetur shtresat më në nevojë gjatë periudhës së pandemisë.

“Pandemia që shkaktoi COVID-19 ka nxjerrë në dukje dobësinë e sistemeve të ngritura deri tani dhe në të njëjtën kohë, edhe vlerave njerëzore të shoqërisë,” tha Sulka.

“Kur vjen puna tek kufizimet dhe shtrëngimet, personat me aftësi të kufizuara janë të fundit që preken dhe po ashtu, ata janë të parët që ndihmohen dhe duhet të ndihmohen, në të kundërt, nuk ka kuptim shteti dhe funksioni i tij themelor,” përfundoi ai.

Autorët e prodhuan këtë artikull për Fondacionin Westminster për Demokraci. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë raport janë ato të autorëve dhe nuk pasqyrojnë ato të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar ose Fondacionit Westminster për Demokraci.

No comments:

Post a Comment