Tuesday, January 19, 2021

Si ndikon hipertensioni arterial në sëmundjet e veshkave

Alket Koroshi, mjek nefrolog

Hipertensioni arterial është një nga sëmundjet më të shpeshta sot në të gjithë botën. Mbi një milliard e gjysëm njerez  në botë vuajnë nga hipertensioni arterial. Mjafton të themi që mbi 40 % e të rriturve janë të sëmurë nga hipertensioni arterial. Kjo shifër sugjeron  që në Shqiperi ka mbi 500 mijë vetë që vuajnë nga hipertensioni arterial . Natyrisht që shkaqet e një shpeshtësie të tillë të hipertensionit arterial lidhen me ndryshimet e mënyrës së jetesës së njerëzve në epokën e sotme që ka të bëjë së pari  me rritjen e përdorimit të kripës në ushqim dhe së dyti me mungesën e aktivitetit fizik dhe së treti me rritjen e stresit në jetën e perditeshme. Këto faktorë të rëndësishëm shkaktojnë me kalimin e kohës komplikacione të tilla siç janë obeziteti,  sindroma metabolike , diabeti , dhe të gjitha këto predispozojnë për zhvillimin e hipertensionit arterial. Një arsye tjetër madhore e hipertensionit arterial është plakja e popullsisë në të gjitha vendet. Sa më shumë plaket njeriu aq më shumë ka mundesi të sëmuret nga hipertensioni arterial. Studimet kanë treguar që mbi moshën 60 vjeç, 80 % e njerëzve janë me hipertension arterial.

Nga ana tjetër më shumë se gjysma e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni arterial nuk e dinë fare që kanë hipertension sepse nuk e masin asnjëherë tensionin e gjakut. Por edhe ata që e dinë që kanë hypertension , në shumicen e tyre ose nuk mjekohen fare ose mjekohen në mënyrë të pamjaftueshme me barna anti hypertensive. Nga gjithë numri total i  të sëmurëve me hypertension arterial vetëm 15 % e tyre mjekohen siç duhet për tensionin e rritur në gjak.

Mungesa e profilaksisë dhe  mjekimi jo adekuat i tensionit të rritur të gjakut bëjnë që tensioni me kalimin e kohës të shkaktojë  komplikacione shumë të rënda në organizmin e njeriut. Këto komplikacione jane Insultet cerebrale, semundjet e zemres si infarkti i miokardit dhe insuficienca kardiake kongestive, dhe sëmundjet kronike të veshkave.

Veshkat e hipertensioni arterial kanë një lidhje shumë të fortë midis tyre. Hipertensioni arterial është shkaku i dytë për nga rëndësia i sëmundjeve kronike të veshkave pas diabetit  dhe është konstatuar se një e katërta e pacienteve me hipertension arterial kanë edhe demtim kronik të veshkave . Ndryshimet në veshka të hipertensionit arterial bëjnë që të zhvillohet ajo që quhet nefroskleroza hypertensive. Kjo prekje e veshkave ka të bëjë me ndryshime strukturore të parenkimës renale si edhe të enëve të gjakut brenda veshkës. Në stadet e avancuara ndodh insuficienca renale kronike me përkeqesim të funksionit renal dhe rritje progresive të atyre parametrave në gjak që tregojnë nivelin e funksionit të veshkave. Pra kemi rritje të uremisë (azotemisë) dhe të kreatininemisë. Kur kjo situate rëndohet shumë bëhet e domosdoshme aplikimi i terapisë renale zevendesuase që janë ose dializa ose transplanti i veshkave.

Veç asaj edhe sëmundjet e ndryshme të veshkave mund të japin si komplikacion në ecurinë e tyre hypertension arterial. Sëmundjet e veshkave sot janë shumë te përhapura. Studimet kanë treguar që 10-15 % e popullsisë adulte janë me sëmundje kronike të veshkave. Semundje të tilla siç janë glomerulonefritet, pyelonefritet kronike , sëmundjet e trashëguara të veshkave si veshka polikistike etj. Shoqërohen dhe komplikohen shumë shpesh me hipertension arterial. Krijohet një lidhje e pandarë ku veshka e sëmurë jep hipertension arterial dhe nga ana tjetër hipertensioni e përkeqëson edhe më tej funksionin e veshkave. Veshka pra mund të jetë shkak por edhe viktimë e hipertensionit arterial. Ky cikël vicioz e rëndon progresivisht gjendjen e të sëmurit deri sa e nxjerr veshkën komplet jashtë loje.

No comments:

Post a Comment