Situata e Covid-19 dhe mënyra se si po menaxhohet ajo nga mjekët dhe nga industria faramaceutike është një tematikë shumë e rëndësishme për vendin tonë.
Për ta zgjeruar këtë tematikë, ka qenë i ftuar në emsionin “Ditë e Re” në Rtv Ora, Defrim Goma, Sekretar i Përgjithshëm i Urdhrit të Farmacisë, i cili ka hedhur akuza se në vend po qarkullojnë barna të falsifikuara për kurimin e Covid-19.
Arjon Muça: Një pyetje, jo vetëm e jona, por e të gjithë shqiptarëve është se si janë ilaçet në Shqipëri në lidhje me Covid-19. A janë ilaçet e njëjta me ato që jepen në Europë, apo në Shqipëri kemi disa ilaçe alternative?
Defrim Goma: Pacientët me Covid, që të sigurojnë barnat në farmaci, duhet që të kenë një recetë, pra gjithë këto barna përshkruhen nga mjekët specialistë, pra nuk është farmacisti ai që e përcakton terapinë e mjekimit të Covid-19. Normalisht do të duhej që të kishte protokolle, ku të gjithë mjekët, qofshin ata në spitalin infektiv apo qofshin mjekët në sanatorium, apo edhe në spitalet rajonale, apo edhe mjekët e familjes, të kishin një protokoll se çfarë barnash do të përdorin.
Arjon Muça: E kemi këtë protokoll?
Defrim Goma: Unë nuk di që të ketë një protokoll dhe ky është problemi që duket sikur po mjekohen në mënyrë kaotike, pra siç mjekohet një pacient, nuk mjekohet një tjetër. Mua më duket mjekim kaotik, ne kemi marrë informacion nga kolegët tanë. Pra, siç mjekohet një pacient, flasim për të njëjtat simptoma, nuk mjekohet një tjetër. Ne nuk ndërhyjmë, ne jemi farmacistë, dhe ne nuk kemi as të drejtë dhe as detyrë që të gjykojmë protokollet apo përshkrimin që ka bërë mjeku. Është detyrë, përgjegjësi dhe kompetencë e tyre.
Arjon Muça: Kush e ka përgjegjësinë për këto mungesa?
Defrim Goma: Të jemi të qartë që në fillim. Urdhri i farmacistëve, nuk ka as për detyrë dhe as përgjegjësi në fakt që të garantojë vijueshmërinë e furnizimit me barna dhe as që të marrë pjesë në rregullimin e gjenjdjes së përgjithshme.
Arjola Shehu: Është kompentencë e ministrisë kjo?
Defrim Goma: Patjetër që është kompetencë e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo situatë konsiderohet e jashtëzakonshme, dhe në ligj është e përcaktuar qartë që në këto raste, qeveria, Ministria e Shëndetësisë, institucionet e tjera, Agjencia Kombëtare e Barnave, kanë të drejtë që të ndërhyjnë me forma më të shpejta, e kishin në dorë që në fillim në fakt. Do të duhej që t’i kishin paraprirë, por janë akoma në kohë që të garantojnë vijueshmëri, pra ato barna që janë të nevojshme, që pacientët po trajtohen me ato barna, të marrin masat që t’i regjistrojnë me procedura të përshpejtuara. Kosova e ka bërë këtë. Barnat, të cilat sot, po vijnë në mënyrë të jashtëligjshme në Shqipëri, por që mjekët po i përshkruajnë, pra barna kontrabandë. Kosova i ka të regjistruara. Nuk po them që ato vijnë nga Kosova, ato mund të vijnë edhe nga Turqia, ato mund të vijnë edhe nga India, madje. Ato mund të vijnë nga çdo shtet, po po vijnë në mënyrë jo të kontrolluara, po vijnë në mënyrë jo të ligjshme.
Organizatat kriminale i shfrytëzojnë këto momente dhe mundet që të fusin edhe barna të falsifikuara, sepse askush nuk e di nëse ai bari që ka një ambalazh dhe që duket sikur është origjinal.
Ne duhet që t’i dalim përpara që ky fenomen mos të ndodhë, duke i legalizuar, me procedura të përshpejtuara, regjistrimi, ose me dhënie leje importi. Ekziston dhe kjo mënyrë, është e parashikuar në ligj. Barnat duhet të vijnë sipas një zinxhiri të mirëkontrolluar, barnat duhet të jenë të sigurta, efikasë.. ORA NEWS
No comments:
Post a Comment