Institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut, Kuvendi dhe shoqëria civile diskutojnë rreth rëndësisë së rritjes së rolit të IKDNJ
Shoqata “Together for Life” (TFL), organizoi Konferencën “Roli i Mekanizmit Parlamentar në Fuqizimin e Institucioneve të Pavarura”, në të cilën prezantoi gjetjet e studimit të realizuar në kuadër të Projektit “Evropa Respekton të Drejtat e Njeriut”, mbështetur nga EU Albania, nëpërmjet programit IPA 2015, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave (CFCU Albania).
Studimi fokusohet në performancën e Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut (IKDNJ) – Avokatit të Popullit, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisonerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, pas ngritjes së Mekanizmit parlamentar të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura në vitin 2017.
Roli i institucioneve të pavarura është kyç në një demokraci funksionale. Institucionet e pavarura në fushën e të drejtave të njeriut, së bashku me pushtetin ekzekutiv, legjislativin dhe gjyqësorin kontribuojnë për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit në fushën e të drejtave të njeriut nga të gjitha institucionet publike dhe jopublike.
Qëllimi i ngritjes së Mekanizmi parlamentar të Monitorimit është bashkëpunimi ndërinstitucional mes Kuvendit të Shqipërisë, qeverisë dhe institucioneve të pavarura, për t’i dhënë zgjidhje problematikave të hasura në zbatimin e rekomandimeve të institucioneve të pavarura, rritjen e llogaridhënies të organeve të ekzekutivit dhe administratës publike si dhe forcimit të kontrollit parlamentar të Kuvendit në këtë proces.
Për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Z. Robert Gajda, pjesëmarrës në Konferencën e organizuar nga TFL, “me ngritjen e mekanizmit ka sinjale pozitive nga institucionet qendrore të cilat i zgjidhin çështjet në favor të qytetarit që në fazën e hetimit, pa detyruar vendimmarrjen e Komisionerit.“
“Ndërsa për vendimet e Komisionerit qasja e institucioneve është përmirësuar, u shpreh Komisioneri Gajda, për rekomandimet që Zyra e Komisionerit lëshon për çështje të caktuara që prekin një grup të gjerë individësh ende institucionet kanë të njëjtën qasje.”
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, z. Besnik Dervishi, vlerësoi kontributin në vite që shoqata ‘Together for Life’ jep në forcimin e demokracisë në vend dhe veçanërisht në mbështetjen e shtresave vulnerabël. “Në vlerësimin tonë është nga organizatat më aktive dhe më efektive në këtë fushë”, u shpreh z. Dervishi. Duke u ndalur tek roli i Parlamentit në mbështetje të institucioneve të pavarura, Komisioneri Dervishi theksoi se, Mekanizmi i Monitorimit të Institucioneve të Pavarura është një instrument shumë i rëndësishëm në radhë të parë në dorë të qytetarit.
Nënkomisioneri i Avokatit të Popullit, z. Erind Pirani, theksoi se ‘duke pasur parasysh nivelin e zbatimit të rekomandimeve nga ana e institucioneve publike, mendojmë se ka nevojë për permirësime nga ana e Mekanizmit përsa i përket komunikimit dhe bashkëpunimit edhe me institucione të tjera, të cilat nuk kthejnë përgjigje, apo që refuzojnë të zbatojnë rekomandimet e Avokatit të Popullit’.
Duke iu referuar Raportit Studimor të prezantuar në Konferencën “Roli i Mekanizmit Parlamentar në Fuqizimin e Institucioneve të Pavarura”, Drejtoresha e Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve që Raportojnë dhe Informojnë Kuvendin, theksoi se “ky raport vjen në momentin e duhur, pasi Kuvendi është aktualisht në procesin e hartimit të një vendimi të dedikuar mbi platformën ndërinstitucionale”.
“Këto dy vite i është kushtuar një rëndësi e veçantë rritjes së kontrollit parlamentar, i cili nuk i adresohet vetëm Qeverisë dhe njësive të saj, por edhe institucioneve të pavaruara, ku këto të fundit nuk janë parë nga ana e Kuvendit si subjekte mbi të cilat ai ushtron kontroll, por si partnerë në kontrollin që Kuvendi ushtron ndaj Qeverisë.”
Në Konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, grupeve të interest, përfaqësues të medias, etj.
Studimi vë në dukje se në përgjithësi është rritur vendimmarrja e institucioneve të pavarura të pranuar dhe zbatuar nga institucionet qendrore, por problematikë vazhdon të jetë numri i lartë i rekomandimeve të refuzuara prej tyre. Një ndër rekomandimet më të rëndësishme të Studimit, me qëllim përmirësimin e situatës, është përfshirja e rekomandimeve /vendimeve të institucioneve të pavarura në listën e çështjeve që monitorohen nga ana e Komisionit të Bashkimit Evropian, sipas modelit të Kosovës.
No comments:
Post a Comment