Friday, November 13, 2020

Politikat e vendeve europiane për barnat e rimbursueshme

Nga Daniela Burnazi

Politikëbërësit përballen me sfida të rëndësishme kur zbatojnë politikat farmaceutike që kanë për qëllim që të arrihet një mundësi e përballueshme, e drejtë dhe në të njëjtën kohë e qëndrueshme në aksesin për ilaçe. Pagesat e larta nga xhepi, përfshirë këtu edhe bashkëfinancimet për ilaçet e financuara krijojnë një rrisk për konsumim më të ulët të ilaçeve të nevojshme.

Provat mbi të cilat politikat e rimbursimit mund të konsiderohen si modele të praktikës më të mirë për të siguruar aksesin ndaj ilaçeve mungojnë. Ky studim ka për qëllim të sigurojë një rishikim dhe analizë krahasuese të politikave të ndryshme të rimbursimit për barnat e aplikuara në vendet e rajonit Europian të OBSH-së, si dhe të identifikojë praktikat që mbrojnë më mirë grupet vurnerabël nga pagesat e larta nga xhepi.

Ndryshimet në shpenzime dhe organizimin e sistemit

Dallime të mëdha në shpenzimet farmaceutike për frymë ekzistojnë në të gjithë Rajonin Europian të OBSH-së, duke filluar nga 1056$ barazi e fuqisë blerëse (BFB) në Zvicër në 310$ BFB në Federatën Ruse (sipas të dhënave të 2015).

Vendet me të ardhura më të ulëta priren të kenë një pjesë më të lartë të shpenzimeve farmaceutike në raport me shpenzimet aktuale shëndetësore, për shembull, niveli është më i lartë se 26% në disa vende, përfshirë Hungarinë, Letoninë dhe Sllovakinë, krahasuar me një nivel më të ulët se 8% në Danimarkë, Hollandë, Norvegji (sipas të dhënave të vitit 2015).

Një model i ngjashëm është parë për burimet e financimit: vendet me të ardhura më të larta (jo gjithmonë) kanë një përqindje më të lartë të shpenzimeve farmaceutike publike, duke filluar nga më shumë se 80% në Gjermani dhe Luksemburg në vetëm 16% në Federatën Ruse (sipas të dhënave të vitit 2015). Sidoqoftë, kujdesi shëndetësor, përfshirë edhe farmaceutikën kanë mbulimin më të lartë në shumë vende europiane krahasuar me rajonet e tjera të botës.

Shpenzimet dhe politikat farmaceutike publike janë të përfshira në mjediset organizative që synojnë të arrijnë mbulim shëndetësor universal.

Dy llojet kryesore në Europë janë:  Sistemi i Sigurimit Shëndetësor Social (SSSHS) i gjendur në Francë, Gjermani dhe disa vende të Europës Lindore dhe Shërbimi Kombëtar i Shëndetit (SHKSH) i gjendur në Itali, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Dallimi kryesor i tyre ka të bëjë me bazën për të drejtën e shërbimeve: në sistemet SSSHS lidhet me pagimin e kontributeve, ndërsa në sistemin SHKSH sistemet nuk kanë asnjë lidhje midis pagesës së taksave dhe së drejtës për shërbime.

Politikat e rimbursimit për ilaçet nuk duhet të shihen të veçuara, Ekziston një lidhje e fortë midis çmimeve farmaceutike dhe rimbursimit. Për shembull, kjo reflektohet në mënyrën e vendosjes së çmimeve dhe proceset e rimbursimit përfundojnë njëkohësisht në disa vende (psh në Suedi) dhë janë përgjegjësia e të njëjtit autoritet kompetent tek të tjerët (psh në Itali). Shtetet mund të zbatojnë politika të ndryshme për të rregulluar çmimet e ilaçeve.

Një politikë e përbashkët e zbatuar nga disa vende në Rajon është praktika e referimit të çmimeve të jashtme, e cila konsideron çmimet e të njëjtin ilaç si bazë për çmimin dhe nganjëherë për rimbursimin në vendet e tjera. Kjo zakonisht plotësohet nga rregullimi i çmimeve drejtuar aktorëve të zinxhirit të furnizimit (përfshirë shitësit me shumicë të farmaceutikës dhe farmacitë).

Lidhja e rimbursimit me kritere të ndryshme

Skemat e rimbursimit në vendet e Rajonit Europian të OBSH-së ndryshojnë shumë midis sektorëve ambulator dhe spitalor. Pothuajse të gjitha vendet kanë mbulim të plotë për medikamentet në sektorin spitalor, çka do të thotë se pacientët nuk duhet të paguajnë për medikamente në spital .

Një medikament mund të konsiderohet i rimbursueshëm, por kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht do financohet 100% nga një pagues i palës së tretë (që në shumicën e rasteve është entitet publik). Në disa vende, disa medikamente me përfitim të lartë terapeutik rimbursohen plotësisht (megjithëse mund të zbatohen bashkë-financime të tjera në receta), ndërsa pacientët duhet të bashkë-paguajnë një pjesë të çmimit për medikamentet me përfitim terapeutik më të ulët. Një diferencim i tillë për medikamente (rimbursimi specifik i produktit) është një skemë e përdorur shpesh për të përcaktuar pranueshmërinë në vendet Europiane.

Vendet Balltike janë një grup i vogël shtetesh që përdorin një skemë të përshtatshme për sëmundjen-specifike, që do të thotë se i njëjti medikament mund të kërkojë bashkë-financime të ndryshme në varësi të trajtimit të sëmundjes. Danimarka dhe Suedia operojnë skema të rimbursimit të bazuara në konsum, në të cilat pacientët duhet të paguajnë nga xhepi për medikamente deri në një prag specifik të shpenzimeve, pas të cilave ndajnë pagesat me një etnitet publik. Gjatë një viti, bashkë-financimet ulen në varësi të shpenzimeve të pacientëve për medikamentet.

Një lloj tjetër i pranueshëm për rimbursim është skema specifike për një grup popullsie që jep rimbursim më të lartë për grupe të përcaktuara njerëzish. Në disa vende Europiane aplikohen më shumë se një kriter i pranueshëm rimbursimi, megjithëse skema specifike më e pranueshme është zakonisht skema mbizotëruese, e plotësuar me rregulla specifike për grupe të përcaktuara të popullsisë.

QASJET PËR T’U MBROJTUR NGA CËNUESHMËRIA

Instrument krysor rimbursimi për të siguruar qasje të përballueshme të pacientëve për medikamente është hartimi i një liste rimbursimi që specifikon medikamentet e zgjedhura për rimbursim (listë pozitive) ose në mënyrë eksplicite të hartohet një listë me medikamentet që përjashtohen nga rimbursimi (listë negative). Të gjitha vendet e anketuara  të Rajonit Europian të OBSH-së e kanë të paktën një listë rimbursimi, zakonisht në formën e një liste pozitive.

Vetëm në disa vende (si Austria, Kroacia, Qipro- sektori publik, Gjermania, Irlanda, Ilatia, Malta- sektori publik, Hollanda dhe Mbretëria e Bashkuar) është çmimi i medikamenteve të rimbursueshme  plotësisht i mbuluar nga paguesi publik (pa aplikuar përqindje rimbursimi apo bashkë-financim), por mund të zbatohen bashkë-financime të tjera. Përveç përqindjeve të normave të bashkë-financimeve që janë përhapur gjerësisht në rajon, bashkë-finakcimet fikse janë gjithashtu të zbatueshme në disa vende (si Estonia, Franca, Polonia). Keto zakonisht marrin formën e një pagese recete.

Më pak e zakonshme është zbritja që kërkon pacienti që fillimisht ka paguar plotësisht nga xhepi  deri në një shumë fikse, kjo gjendet zakonisht në Danimarkë, Finlandë dhe Zvicërr. Për më tepër, pagesat nga pacientët mund të kërkohen gjithashtu nëse ata refuzojnë cmimet më të ulëta për medikamente ekuivalente me medikamentet në sistemin e çmimeve të referencës. Llojet e ndryshme të bashkë-financimeve nuk lejojnë domosdoshmërisht të nxirren konluzione për pagesat që duhet të bëhen  nga pacienti, pasi kjo varet edhe nga numri i medikamenteve në listën pozitive ambulatore ose në sektorin publik.

Në disa vende, janë krijuar mekanizma për të mbrojtur grupe të përcaktuara të popullsisë nga bashkë-financime të tepruara për ilaçe. Mekanizmat më të zakonshëm përfshijnë shkallë rimbursimi në 100%, një normë më e lartë se norma e rimbursimit, ulje ose përjashtime nga pagesa e recetës. Arsyet kryesore për uljen ose përjashtimin nga bashkë-financimet janë për të ardhurat e ulëta, për sëmundje të përcaktuara ose paaftësi dhe për moshën.

POLITIKAT PËR MEDIKAMENTET ME ÇMIM TË LARTË

Një numër i madh vendesh në Rajonin Europian të OBSH-së kanë përfunduar marrëveshjen hyrëse menaxhuese (MHM). Këto janë marrëveshje kontraktuale midis një kompanie farmaceutike dhe një paguesi publik që mundëson rimbursimin e medikamenteve, në varësi të kushteve të specifikuara. Ekziston një shumllojshmëri MHM-sh, të cilat mund të klasifikohen në parim si të bazuara në financa (p.sh zbritje në cmime ose marreveshje për cmimet) ose të bazuara në performancë (psh të lidhura me rezultatet e shëndetit), të parat aplikohen më shpesh. Indikacionet më të zakonshme të mbuluara nga një MHM, janë onkologjia, reumatologjia, hepatiti C dhe diabeti. Në përgjithesi MHM-të priren të jenë konfidenciale, të paktën në marrëveshjet në lidhje me çmimet e zbritjes.

MENAXHIMI I MARRJES SË MEDIKAMENTEVE ME ÇMIM TË ULËT

Mjetet për promovimin e përdorimit të produkteve gjenerike janë masat e rekomanduara nga Emrat Ndërkombëtar Jo-pronësor (ENP) dhe zëvëndësuesit gjenerik. Në shumicën e vendeve europiane, ju kërkohet mjekëve të përshkruajnë EPN-të, zakonisht vullnetarisht, ndërsa në disa vende përshkrimi i EPN-ve është i detyrueshëm. Zëvëndësimi gjenerik është praktika e zëvëndësimit të një medikamenti, qoftë në treg nën një emër tregtar ose gjenerik (gjenerik i markës ose pa markë) me një alternativë me çmim më të ulët për medikamentin (gjenetik të markës apo pa markë). Kjo  praktikë ekziston në shumë vende europiane, kryesisht mbi baza indikative. Në vitet e fundit një numër i lartë shtetesh e kanë bërë të detyrueshëm përshkrimin e EPN-ve dhe zëvëndësimin gjenerik.

Një politikë rimbursimi mund të përdoret në tregjet me alternativa terapeutike (p.sh gjenerikët) në Sistemin e Çmimit të Referencës(SCR), referenca er brendshme e çmimit; për medikamente që konsiderohen të këmbyeshme (p.sh medikamente me të njëjtin përbërës aktiv ose të të njëjtit grup kimik) grumbullohen në një grup referimi dhe paguesi publik mbulon të njëjtën shumë rimbursimi për medikamentet e atij grupi/kategorie. Shumica e vendeve vendosin çmimin e referencës në nivelin e çmimit me pakicë të ilaçit nga farmacitë me çmimin më të ulët të grupit të referencës. Pacientët që duan të marrin një medikament me çmim më të lartë (psh nga një markë origjinale) duhet të paguajnë diferencën midis çmimit të referencës dhe çmimit të shitjes me pakicë në farmaci. Një SCR përfiton nga dispobueshmëria e produkteve gjenerike dhe medikamenteve të tjera ekuivalente me çmimin më të ulët të tregut dhe në të njëjtën kohë kontribuon në marrjen e këtyre medikamenteve. Në një SCR, pacientët janë të stimuluar financiarisht për të përdorur produkte gjenerike në mënyrë që të shmangin bashkë-financimet.

Referenca: https://ift.tt/3psnAq0

Ky artikull u përgatit nga shoqata Together for Life në kuadër të projektit “Rritja e ndërgjegjësimit për COVID-19 dhe cilësisë së barnave për sëmundjet kronike” – projekt nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC.

No comments:

Post a Comment