Kur dukej se situata epidemiologjike anembanë globit po qetësohej dhe vaksinimi masiv po jepte frytet e veta, shfaqja e mutacionit indian “Delta” ka shqetësuar jo pak ekspertët e shëndetësisë. Covid-19, si të gjithë viruset, ka pësuar mutacion në mënyrë të vazhdueshme që kur u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019. Kësisoj, ka patur një sërë variantesh të SarsCov2, që janë shfaqur gjatë pandemisë që kanë ndryshuar mënyrën sesi ai transmetohet, rrezikshmërinë, madje edhe simptomat.
Një artikull i CNBC Health & Science thekson se disa nga ato variante, të tilla si lloji “alfa” (i njohur më parë si varianti “Kent” ose “britanik”) dhe më së fundmi varianti “delta” janë shndërruar në mutacione dominuese në rang global dhe kanë ngritur shumë pikëpyetje për një vijueshmëri të pandemisë edhe për disa vite.
Çfarë dihet për variantin “Delta”?
Varianti delta është mutacioni më i monitoruar dhe më alarmanti i koronavirusit dhe kjo jo pa arsye. Sipas të gjithë të dhënave të grumbulluar deri më tani nga Organizata Botërore e Shëndetit, ky mutacon i koronavirusit është më ngjitës sesa variantet e mëparshme dhe ka prova që rrit rrezikun e shtrimit në spital dhe është më rezistent ndaj vaksinave.
Varianti delta u zbulua për herë të parë në Indi në fund të 2020 dhe shkaktoi një valë të dytë infeksionesh dhe mijëra vdekje. Më pas ky variant filloi të përhapej me shpejtësi në të gjithë globin dhe sot numërohen mbi 90 shtete të botës ku ky variant jo vetëm që është prezentë, por edhe predominon ndër të infektuarit.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Anglisë, varianti Delta ka 64% qind më shumë mundësi që të përhapet brenda familjeve, sesa varianti Alfa. Ndërkaq, Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) ka thënë më 23 qershor, se pret që deri në fund të muajit gusht, varianti Delta të përbëjë 90% të rasteve me COVID-19 në vendet e Bashkimit Evropian. Edhe Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) e kanë klasifikuar shumë problematik variantin Delta.
Për dallim nga varianti fillestar i koronavirusit, që karakterizohet me simptoma si temperaturë, dhembje muskujsh, probleme me frymëmarrje, humbje të shijes apo nuhatjes, personat që po preken nga varianti Delta, sipas ekspertëve, përjetojnë kryesisht këto simptoma: dhembje të kokës e fytit dhe rrjedhje nga hunda.
A na mbron dot vaksina?
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Angli, të rinjtë, të pavaksinuarit dhe personat pjesërisht të vaksinuar (që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës) janë më të rrezikuarit të preken nga infeksioni, ndërsa shkalla e vdekshmërisë mbetet më e lartë sërish te moshat e treta.
Që prej përhapjes së variantit Delta janë kryer disa studime, për të parë nëse vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 janë efektive ndaj këtij varianti.
Sipas një studimi të kryer nga hulumtuesit e Universitetit të Oksfordit, vaksina e prodhuar nga AstraZeneca dhe ajo nga Pfizer/BioNTech mbeten gjerësisht efektive ndaj variantit Delta. Ky studim, gjetjet e të cilit janë publikuar në gazetën shkencore Cell, ka hetuar aftësinë e antitrupave në gjakun e njerëzve, të cilët janë vaksinuar me të dyja dozat, për të neutralizuar variantin ngjitës Delta. Megjithatë, hulumtuesit thanë se kanë parë rënie të përqendrimit të antitrupave në gjak, duke shtuar se kjo gjë mund të çojë riinfektim ose një ekspozim më të lartë nga koronavirusi.
Një shqetësim edhe më i madh është përhapur midis mjekëve, epidemiologëve dhe ekspertëve të shëndetit që një pasues më i rrezikshëm i variantit “Delta”, mutacioni “Delta Plus” mund të shkaktojë valën e tretë të rasteve, ashtu siç besohet që varianti Delta të ketë sjellë valën e dytë në shumë vende aziatike.
A ka filluar vala e tretë?
Frika nga një rikthim shkatërrues i valës së tretë po bren mendjet e shumë shkenctarëve dhe virologëve, veçanërisht në Perëndim. Disa studiues britanikë besojnë se një valë e tretë tashmë ka filluar në Mbretërinë e Bashkuar. Profesor Adam Finn, këshilltar në Komitetin për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), shprehet se vendi tani është në një garë të fortë midis vaksinave dhe variantit Delta.
“Mbase ne mund të përpiqemi të jemi paksa optimistë pasi varianti ‘Delta’ nuk po avancon shumë shpejt, por një valë e tretë është padyshim në zhvillim,” tha Finn.
A mundet që varianti Delta Plus të shkaktojë një valë tjetër?
Varianti Delta Plus u formua për shkak të një mutacioni në B.1.617.2, ose varianti ‘Delta’, i zbuluar për herë të parë në Indi, i konsideruar gjerësisht si shkaktari i valës së dytë vdekjeprurëse. Ky variant është një nën-varianti i “Deltës” (B.1.617.2.1 ose AY.1) kombinuar me disa karakteristika të variantit ‘Beta’ të identifikuar për herë të parë në Afrikën e Jugut. Ky variant është zbuluar në dhjetë vende: Mbretëri e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Portugali, Zvicër, Poloni, Japoni, Nepal, Indi, Kinë dhe Rusi. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se për momentin ky variant është nën kontroll dhe po shfaqet më rrallë se varianti kryesor “Delta”.
Të pyetur nëse ky variant mund të bëjë kërdinë dhe të nxisë një shpërthim të një vale tjetër në vjeshtë, shkencëtarët shprehen se gjasat janë të ulta, por gjithsesi situata epidemiologjike në vendet e prekura do vijojë të mbetet në monitorim.
Sa e rrezikuar është Shqipëria nga varianti “Delta” apo “Delta Plus”-i?
Deri më tani, Në Shqipëri nuk ka ende persona të konfirmuar me mutacionin indian të Covid-19, por nuk mungojnë rastet e dyshuara. Në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik janë kryer analiza tek personat e dyshuar, por kanë rezultuar negative. Megjithëkëtë, nuk duken të largëta ditët kur ky variant të shfaqet edhe në vendin tonë pasi këtë të martë, Kosova konfirmoi dy rastet e para.
Përballë rasteve të reja gjithnjë në zbritje dhe shifrave në rritje të të vaksinuarve, Shqipëria vijon me lehtësimin e masave anticovid dhe në 1 korrik pritet të lehtësohet edhe më tepër qarkullimi. Ndërkohë vendi ynë po ashtu ka hequr kufizimet ndaj turistëve duke mos kërkuar as tampon negativ e as një vërtetim të kryerjes së vaksinës, për të gjithë vizitorët dhe për ata që vijnë nga Anglia, Italia apo vende të tjera që tanimë janë alarmuar nga varianti Delta.
Dr. Skënder Brataj, anëtar i komitetit teknik të ekspertëve është skeptik për vijimësinë e lehtësimit të masave anticovid, pasi i druhet një tjetër shpërthimi në shtator apo në fillim të vjeshtës.
“Unë nuk do të isha për lehtësime të tjera të masave. Duhet të jemi alertë ndaj mutacionit “Delta” i cili i ka krijuar situatë kritike edhe në Britaninë e Madhe, që është vendi me numrin më të madh të të vaksinuarve. Për faktin që tanimë e kemi shumë afër, do të vijë edhe te ne. Tani na favorizojnë temperaturat e larta, por dyshoj se gjatë këtyre muajve po krijojmë një serbator infeksioni që do të na shpërthejë në vjeshtë.
Sigurisht që na bën më optimistë vaksinimi në Shqipëri. Po të kapet 2 mln (vaksinime) brenda vjeshtës, situata do të jetë më e menaxhueshme, por nuk e dimë se cfarë do vijë. Nuk mund të flasim kaq lirshëm. Virologët parashikojnë një valë tjetër në vjeshtë, do të jetë edhe “vala e bishtit” të kësaj pandemie, jo e atyre përmasave që kaluan, por janë jetë njerëzish që duhen mbrojtur. Nuk ka marrë fund” tha Brataj në një intervistë për televizionin ABC.
Mendimit të tij i bashkohet edhe shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive, Silvia Bino që shtoi se kjo ishte edhe arsyeja përse është vendosur për shtrirjen e vaksinimit edhe tek personat mbi 18-vjeç, ndonëse kjo për një periudhë shumë të shkurtër dyditore.
“Mutacioni Delta mund të na preki të rinjtë apo njerëz që s’kanë qenë të infektuar apo të kemi reinfeksione, ndaj me rëndësi është që të vazhdojmë me fashat që kanë mbetur por të shtrihemi dhe në grupmoshat e tjera”, tha Silva Bino.
Edhe epidemiologë të tjerë në vendin tonë shprehen të shqetësuar për një rritje alarmante të mundshme të shifrave të të infektuarve në fillim të vjeshtës. Për momentin duket se e vetmja alternativë për daljen nga kjo situatë mbetet marrja e të dyja dozave të vaksinës.
No comments:
Post a Comment