Kjo është këshilla e fundit nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve i ka përditësuar udhëzimet për maska këtë javë, për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
Zyrtarët e CDC-së kanë njoftuar se njerëzit që janë plotësisht të vaksinuar, duhet t’i rikthehen vendosjes së maskave në ambiente të mbyllura, nëse jetojnë në zona ku infektimi me koronavirus po rritet. Këto zona aktualisht përbëjnë pjesën më të madhe të SHBA-së, ose më shumë se 60% të qarqeve amerikane. Maskat, në përgjithësi, nuk janë të nevojshme jashtë.
Agjencia gjithashtu ka thënë se të gjithë mësuesit dhe nxënësit duhet të veshin maska në shkolla, pavarësisht nëse koronavirusi është në rritje në komunitet ose jo. CDC-ja nuk ka qenë e para që ka bërë thirrje për kthimin e maskave. Javëve të fundit, disa qytete amerikane kanë sjellë rregulla për veshje të maskave në ambiente të brendshme.
E gjitha është për shkak të versionit më ngjitës të koronavirusit, Delta, ka thënë CDC. Ky variant po nxit rritjen e numrit të rasteve në pjesën më të madhe të SHBA-së dhe tani përbën më shumë se 80% të infeksioneve. Zyrtarët e CDC-së kanë thënë se informacionet e reja në lidhje me përhapjen e tij, i kanë detyruar ata të ndryshojnë qasje. Pjesa dërrmuese e infeksioneve të reja në SHBA vazhdon të jetë midis njerëzve të pavaksinuar.
Rrallë, disa njerëz të vaksinuar përfundojnë si të infektuar, megjithëse vaksina zbut goditjen dhe në përgjithësi mbron nga simptoma të rënda. Më herët, njerëzit e vaksinuar dhe të infektuar kanë pasur nivele të ulëta të virusit dhe nuk kanë pasur shumë gjasa ta përhapin atë, ka thënë drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky. Por, të dhënat e reja tregojnë se ky nuk është rasti me variantin Delta. Njerëzit e vaksinuar “kanë potencial ta përhapin virusin te të tjerët”, ka thënë ajo.
Udhëzimet për këdo që nuk është vaksinuar kundër koronavirusit mbeten të njëjta: Maskat rekomandohen brenda, pothuajse kudo. Të gjithë pavarësisht nga vaksinimi ose vendndodhja duhet të mbajnë maska kur janë në aeroporte ose stacione treni, ose kur hyjnë në autobusë, trena ose transporte të tjera publike. Spitalet, dyqanet dhe bizneset gjithashtu mund të kërkojnë maska.
No comments:
Post a Comment