Friday, July 2, 2021

Dr. Sonila Borici: Virozat tek fëmijët, pse ky vit ka patur shpërthim të rasteve

Stina e pranverës njihet si stina e alergjive. Alergjia nuk prek vetëm të rriturit por edhe fëmijët. Këtë vit ndryshe nga vitet e tjera është rritur virulenca e viruseve të stinës. Kjo rritje është vënë re tek fëmijët duke patur një “shpërthim” rastesh ku disa prej tyre kanë patur nevojë për hospitalizim në Pediatrinë e QSUT-së.  Në një intervistë për gazetën “Shëndeti online” mjekja pediatre pneumologe Dr. Sonila Boriçi tregon më shumë rreth virulencës së shtuar të viruseve këtë periudhë të vitit tek fëmijët.

Doktoresha, cilat janë problematikat që hasin fëmijët në këtë periudhë të vitit?

Zakonisht stina e pranverës përkon me fillimin e problemeve të alergjive, por ka dhe një numër virusesh të cilat qarkullojnë në  këtë periudhë. Momentalisht ne kemi patur ngarkesë në punë me raste kryesisht që i përkasin infeksioneve respiratore nga viruset  respiratore të tipit: bronkolit, bronkopneumoni virale.

Veç këtyre kemi pasur raste edhe me kriza astme, me renitin alergjik, pra probleme të cilat lidhen dhe i dedikohen problemeve të alergjisë.

Cili është shkaku i këtyre viruseve ose alergjive që shkaktohen?

Sa i përket viruseve, këto janë infeksione të cilat qarkullojnë gjatë gjithë vitit, kuptohet kanë karakteristikë stinore dhe pranvera si çdo stinë tjetër ka viruset e veta. Ndoshta një arsye pse ne po përjetojmë një shpërthim të këtyre viruseve në këtë moment (sepse zakonisht vitet e tjera nuk kemi patur kaq shumë ngarkesë në periudhën e qershorit) është edhe nga fakti që kemi një ndryshim në temperatura dhe në presionet atmosferike. Ka një luhatje të ndjeshme të temperaturave, kun ë mëngjes është shumë freskët, në drekë temperaturat rriten, dhe në mbrëmje sërish ulen temperaturat. Ky ndryshim i temperaturave ka bërë që të lulëzojë më shumë dhe të zgjasë me shumë në kohë prezenca e viruseve respiratore.

Cilat janë simptomat?

Simptomat respiratore fillojnë me:

  • Rrufë
  • Kollë
  • Konjuktivit(krurje dhe skuqje të syve)
  • Temperaturë( kjo jo dominante)
  • Shtimi i kollës
  • Vështirësi në frymëmarrje

Predominojnë simptomat respiratore.

Cila është mosha që preket nga viruset stinore?

Viruset respiratore zakonisht prekin fëmijët e moshës 0-1 vjeç. Tek kjo grupmoshë ato japin fenomene ose infeksione të tipit bronkolite për të cilat një pjesë e tyre mund të kenë nevojë të hospitalizohen pasi nuk mund të menaxhohen në kushte ambulatore në shtëpi.

Tek pjesa tjetër mund të manifestohen vetëm me shenjat të renitit, laringitit etj. Kryesisht tek të vegjlit manifestohen në formën e bronkoliteve. Veç kësaj moshe 0-1 vjeç që janë më të prekur nga kjo sëmundje, edhe fëmijët e jetës parashkollore të cilët frekuentojnë kopshtet dhe ato mund të manifestohen me simptoma më të lehta, por nuk mund të përjashtohen rastet kur kanë patur nevojë të hospitalizohen.

Për ne si pavioni i penumonologjisë është e pazakontë që në këtë periudhë të kemi kaq shumë shtrime. Në një farë mase i dedikohet qoftë zgjatjes së ndryshimeve të temperaturave, sikurse e thamë më lart, po ashtu kjo stinë ka favorizuar edhe kohëzgjatjen e polenizimit të luleve, bimëve, pemëve duke zgjatur në kohë edhe problemet alergjike të pranverës. Viruset e bëra bashkë me problemet alergjike kanë kontribuar që të kemi një lloj sëmundshmërie më të lartë në këtë periudhë në raport me vitet e tjera.

Duke qenë që simptomat janë të ngjashme me ato të virusit COVID-19 a ka patur raste kur prindërit janë alarmuar?

Simptomat e viruseve respiratore janë pak a shumë të ngjashme me ato të COVID-19. COVID-19 tek fëmijët nuk është se ka ndonjë simptomalogji të veçantë në raport me sëmundjet e tjera virale por, nuk mendojmë se kemi të bëjmë me COVID-19 në këtë moment për shumë arsye.

Një arsye është se, ne në rrafsh kombëtar kemi ulje të rasteve dhe këtë e tregon fakti që tek të rriturit nuk kemi sëmundshmëri. Të rriturit janë indikatori kryesor për prezencën e COVID-19 në popullatë. Gjithashtu numri i testeve të bëra ka treguar ulje maksimale të të infektuarve.

Alarmim nuk mund të them, sepse prindi merr këshillat e mjekut dhe për çdo gjë orientohet edhe sqarohet hap pas hapi. Prindi vetë nuk është në gjendje të kuptojë se cili është problemi, por gjithmonë një takim me mjekun pediatër ka shërbyer për të sqaruar probematikën se cili është roli I tij në asistencën dhe menaxhimin e situatës më pas.

A u “zhdukën” këto viruse vjet në kohën e karantinës? Apo dominonte virusi COVID-19?

Para shfaqjes së COVID-19, këto viruse kanë ekzistuar dhe do ekzistojnë për njerëzimin. Edhe prindërit ankoheshin që si ka mundësi që fëmija im sëmuret kaq shpesh ne i thonim që është jeta kolektive ajo që e favorizon të sëmuret. Praktikisht fëmijët janë si tabularasa (një tabelë që shkruhet) ku imuniteti i tyre është i pa formuar dhe normalisht do i kalojnë edhe viruset. Çdo fëmijë ka mënyrën e tij sesi reagon. Jeta kolektive është faktori kryesor në përhapjen e viruseve. Fakti që vjet nuk kemi patur viroza është se kemi patur distancim social, karantina, nuk u frekuentuan ambientet brenda dhe kjo ka larguar në një farë mase shfaqjen vjet të këtyre viruseve, por këto viruse qarkullojnë për aq kohë sa njerëzimi do ekzistojë. Kthimi në normalitet i jetës në një farë mase i ka rikthyer.

Këto viroza a ndikojnë për keq në shëndetin e fëmijëve?

Viruset janë infeksione të cilat i kalojnë të gjithë fëmijët. Tek fëmijët që kanë probleme alergjike, viruset respiratore mund ta rëndojnë gjendjen më shumë sesa tek fëmijët e tjerë.

 

 

 

 

No comments:

Post a Comment