Friday, July 30, 2021

Kosovë: 90% e rasteve të infektimit me COVID-19 janë me variantin Delta

Zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, kanë bërë të ditur se rreth 90% të rasteve të infektimit me koronavirus në Kosovë, janë të lidhura me variantin Delta të këtij virusi.

Sipas tyre, ky variant, sikur edhe në shumë vende të botës, është dominues edhe në Kosovë. Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, ka paralajmëruar për rritje të numrit të të infektuarve me koronavirus, si pasojë e përhapjes së variantit Delta të këtij virusi. Sipas tij, arma e vetme kundër pandemisë, është vaksinimi.

“Sot kur vendi ynë ka vaksina për secilin qytetar, dhe kur qytetarët mund të zgjedhin vaksinën, dhe kur janë hequr kategoritë e vaksinimit, nuk ka arsye të vetme për të mos u vaksinuar”, ka thënë Vitia. Ai deklaroi se interesim më i madh për t’u vaksinuar vërehet në Prishtinë, ndërsa ka qytete tjera që janë duke treguar më shumë hezitim.

Ministri Vitia, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë ka punuar për të shtrirë oksigjenimin qendror aty ku ka munguar në spitalet e Kosovës, si dhe janë bërë intervenime urgjente ku është parë se ka pasur nevojë gjatë valëve paraprake të pandemisë.

 

No comments:

Post a Comment