Në Shqipëri rastet e reja me COVID-19 shënuan një rritje të ndjeshme gjatë javës së fundit (19-25 Tetor) pas një rënieje graduale që kishte nisur që prej 10 ditëshit të fundit të muajit shtator. Të dhënat zyrtare të përpunuara nga Zëri i Amerikës tregojnë se të infektuarit rishtazi u ngjitën në kuotën e 3772 rasteve, 25% më shumë se java pararendëse (12-18 tetor), ose 757 të prekur më shumë. Mesatarja ditore gjatë javës së fundit ishte 538 raste, ose 108 të infektuar më shumë.
Ajo që vihet re gjatë kësaj jave është dhe fakti se testimet po ashtu iu rikthyen rritjes në numër, me 11% më shumë se java pararendëse, por jo mjaftueshëm për të shpjeguar shtimin e infektimeve. Edhe sepse nga ana tjetër, pozitiviteti (raporti mes testimeve dhe rasteve të reja) ka pësuar rritje, duke u ngjitur në 15.6%, nga 13.9 që ishte një javë më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Një tjetër tregues i rikthimit të tendencës së zgjerimit të pandemisë janë dhe shifrat e rasteve ende aktive. Nëse më 20 shtator në të gjithë vendin, ato arritën një kulm me mbi 12.700 raste, në 18 tetor ishin thuajse përgjysmuar, duke zbritur në 6.274 raste. Ndërsa shifrat e kësaj të hëne, tregojnë një rritje me mbi 800 raste të tjera aktive. Më shumë se gjysma janë në qarkun e Tiranës, ndërkohë që në të gjithë qarqet e tjera janë në nivelin e 900 rasteve (në Fier) e më poshtë (Dibër 75 raste).
Edhe numri i viktimave ka mbetur thuajse i pandryshuar gjatë javës së fundit, ose vetëm 1 më pak, duke qëndruar në nivelin e 51 vdekjeve të rregjistruara në spitalet Covid. Më 19 tetor ishte dhe dita me më shumë humbje jete, 12 të vdekur, ndërsa në 24 orët e fundi u njoftua për 6 viktima: katër qytetarë nga Tirana 57-76 vjeç, një qytetar nga Elbasani 66 vjeç, një qytetar nga Berati 83 vjeçe.
Gjendja në spitale po ashtu ka mbetur po e njëjtë, me pak më shumë se 150 pacientë që kanë nevojë për trajtim të specializuar, ndërsa 18 prej tyre janë në gjendje më të rëndë, në terapi intensive./ VOA
No comments:
Post a Comment