Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se po vëzhgon me vëmendje një formë të re të variantit Delta të Covid-19, ndërsa rastet po rriten në disa vende europiane.
Megjithëse nuk është forca shtytëse pas rritjes së rasteve Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar, në javët e fundit, forma e re, e quajtur AY.4.2, ka shkaktuar probleme në Britani. Ajo është zbuluar gjithashtu në Rusi, Gjermani, Danimarkë dhe SHBA. Megjithëse në këtë fazë është e paqartë nëse varianti i ri është më ngjitës se varianti fillestar Delta, po tregohet kujdes për shfaqjen e tij. Kjo po ndodh ndërkohë që Australia po përparon me rihapjen e kufijve ndërkombëtarë, pavarësisht shqetësimeve që janë ngritur në lidhje me këtë çështje.
Shefja e Shëndetësisë në NSW, Dr. Kerry Chant, paralajmëroi për rreziqet e përhapjes dhe bashkëekzistencës me virusin, duke theksuar se rritjet e papritura të rasteve ishin të mundura në të ardhmen.
“Zoti na ndihmoftë nëse fillon një variant tjetër”, tha ajo në gusht. Studimi i botuar në Gazetën Mjekësore të Australisë nga Qendra për Kërkimin e të Dhënave në Shëndetësi, zbuloi se sistemi i kujdesit shëndetësor të vendit mund të mbingarkohej nëse do të shfaqej një variant i ri po aq infektiv sa Delta për shkak të udhëtimeve ndërkombëtare.
“Rihapja e planifikuar e kufijve australianë për udhëtarët ndërkombëtarë, rrit rrezikun e hyrjes së infeksioneve dhe varianteve të reja SARS-CoV-2”, thuhet në studim.
“Politikanët dhe drejtuesit e sistemit shëndetësor nuk duhet të fokusohen ekskluzivisht në përcaktimin e pragut të vaksinimit për heqjen e kufizimeve. Ata duhet të pranojnë se vaksinimi në masë nuk ka gjasa të sigurojë një mbrojtje të plotë kundër Covid-19”.
Ndikimi i variantit të ri Delta AY.4.2
Shefi i Grupit të Vaksinimit në Oksford, Andrew Pollard, tha për BBC se varianti AY.4.2 “nuk ka gjasa të ndryshojë situatën në mënyrë dramatike” në popullatat kryesisht të vaksinuara. Por rastet e variantit AY.4.2 po rriten në Mbretërinë e Bashkuar dhe ai përbën tashmë rreth 10% të rasteve ditore.
Si rrjedhojë, po bëhen diskutime për imponimin e kufizimeve të reja në Mbretërinë e Bashkuar, në një përpjekje për të parandaluar mbingarkesën e sistemit shëndetësor. Ekziston frika se rastet do të shtohen edhe më tepër në dimër, deri në 100,000 në ditë. Rastet janë në rritje edhe në Francë dhe Letoni.
Varianti nuk është spikatur ende në Australi dhe doktor Paul Kelly e minimizoi ashpërsinë e tij, por tha se po tregohet një “vigjilencë e madhe” për zhvillimin e çdo varianti të ri që mund të shkaktojë probleme në Australi./Monitor
No comments:
Post a Comment