E drejta e informimit është një e drejtë e garantuar në Kushtetutën e Shqipërisë, neni 23/1 i saj. Kjo e drejtë mbrohet nga Institucioni i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.
Gjithsesi, ende institucionet shtetërore nuk e shohin të rëndësishëm informimin, e cila lidhet drejtpërdrejt me transparencën dhe llogaridhënien e këtyre institucioneve për punën e tyre. Në fakt, në nenin 24 të ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, parashikohet se “çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative”.
Çdo qytetar shqiptar ka të drejtë të kërkojë informacione publike dhe nuk ka pse të japë arsye se për ccfarë i duhen informacionet. Informacion publik është çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme apo formati, gjatë ushtirmit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik.
Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik nëpërmjet dokumentit original ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundësin akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.
Autoriteti publik është i detyruar të informojë kërkuesin nëse ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar. Autoriteti publik e trajton kërkesën për informim duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe. Mostrajtimi i kërkesës brenda afateve do të konsiderohet refuzim.
E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:
- Të drejtën për një jetë private
- Sekretin tregtar
- Të drejtën e autorit
- Patentat
Si dhe rasteve të tjera të parashikaura në nenin 17 të ligjit nr.119/2014
Ky shkrim është publikuar në kuadër të projektit “Nxitje transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në prokurimet publike në shëndetësi”, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur. Qëllimi i këtij shkrimi është informues.
No comments:
Post a Comment