Dukuria e korrupsionit në “sistemin shëndetësor” është po aq e vjetër sa vetë krijimi i shoqërisë. Por, përse njerëzit në përgjithësi e lidhin këtë dukuri me bluzat e bardha? A janë përgjegjës mjekët për korrupsionin në shëndetësi? Si shumë pyetjeve të tjera për Gazetën “Shëndeti on line” u është përgjigjur Dr. Altin Kuqo, mjek Neurolog pranë Q.S.U. “Nënë Tereza”, Tiranë.
Doktor, çfarë duhet të kuptojmë me korrupsion në sistemin shëndetësor?
Sipas mendimit tim nuk ekziston koncepti i korrupsionit në shëndetësi. Pra nuk ka korrupsion në nivel të ofrimit të shërbimit shëndetësor. Korrupsioni është një dukuri negative që prek kryesisht administratën shtetërore dhe në këtë kuadër mund të prekë dhe pjesën e administratës së sistemit shëndetësor si Ministrinë e Shëndetësisë dhe drejtoritë në varësi të saj. Nëse do ti referohemi dhuratave që bëjnë vetë pacientët ose të afërmit e tyre dhe në raste më të rralla mitmarrjes, atëherë nuk kemi të bëjmë me korrupsion, por me një problem etik ose e shumta me një shkelje të disiplinës në punë dhe shfrytëzim të pozicionit për të nxjerrë fitime të pamerituara.
A ka ndryshuar koncepti i korrupsionit ndër vite? Në se po, si?
Korrupsioni nuk është koncept por një dukuri e vjetër sa vetë marrëdhënia shoqërore. Thelbi i saj nuk ndryshon, por mënyra e shfaqjes sa vjen e bëhet më e sofistikuar.
Pse njerëzit e lidhin korrupsionin përgjithësisht me bluzat e bardha?
Mjekësia dhe shërbimi shëndetësor janë sektorë shumë të ndjeshëm nga pikëpamja humane dhe sociale, ku njerëzit janë shumë të ndjeshëm pasi preken direkt dhe në masë. Fjala vjen të paguash ryshfet ose të pranosh ortakëri me një funksionar shteti për të marrë tendera publike nuk është se i bie në sy një njeriu të zakonshëm madje edhe kur çështja bëhet publike prej shtypit, ndërsa pranimi i pesëqind lekeve prej mjekut bën shumë bujë. Madje në media është shfaqur si denoncim i shekullit, prej një emisioni investigativ futja tinëz në xhepin e mjekes i dyqind lekëve.
Sipas jush, ku ndodh korrupsioni më i madh në shëndetësi, në institucionet shtetërore apo në spitale?
Korrupsioni monetar por edhe ai i influencave ndodh në institucionet që menaxhojnë fonde dhe influenca pra, në institucionet e shtetit dhe në administratat spitalore.
Si mendoni, sa fajtorë janë mjekët për situatën e sistemit shëndetësor sot, gjithmonë duke iu referuar konceptit të korrupsionit?
Masa e mjekëve nuk janë përgjegjës për situatën e sistemit shëndetësor. Ata mund të jenë përfitues prej amullisë që zënë këtë sistem prej keq strukturimit dhe keq menaxhimit nga i gjithë zinxhiri administrativ, që prej Ministrit të shëndetësisë dhe deri tek drejtori më periferik. Një rol të rëndësishëm do duhej të luanin drejtuesit e njësive të sistemit shëndetësor, fjala vjen shefat e shërbimeve spitalore, të cilët me mënyrën se si funksionojnë spitalet tona janë mënjanuar nga shumë vendimmarrje dhe nga menaxhimi i fondeve të shërbimeve të tyre si dhe menaxhimi i burimeve njerëzore. Drejtuesi i punës në shërbim është shefi i shërbimit dhe jo drejtori i spitalit, por për të marrë një mjek apo një infermier në punë firmos drejtori! Këtu fillon korrupsioni. Duke parë mangësitë e tjera që ka sistemi shëndetësor mendoj se edhe shefat vetë nuk i kërkojnë këto përgjegjësi pasi janë më rehat. Në këtë aspekt shefat nuk ndikojnë në përkeqësimin e situatës, por edhe nuk është se nxisin përmirësimin e saj.
Sa e ka penguar ky fenomen zhvillimin e sistemit shëndetësor?
Mjaftueshëm.
“Korrupsioni” a mendoni se e ka zbehur punën e një mjeku në sy të qytetarëve?
Për mjekët që janë punëtorë të devotshëm dhe që e ushtrojnë me pasion e ndërgjegje profesionin e tyre, puna e mjekut nuk zbehet madje është dukur më shumë në këtë sistem i cili ofron kushte jo të mira pune dhe të marrëdhënieve ndërmjet kolegëve. Figura e mjekut është ajo që është dëmtuar më shumë prej korrupsionit, sistemit të korruptuar i cili sjell edhe fenomenin e mit marrjes që zanafillën e tij e ka tek niveli shumë i ulët i pagave në mjekësi.
Bisedoi për shëndeti online: Xhoana Çallaku
No comments:
Post a Comment