Situata ekonomike dhe financiare e krijuar nga Pandemia COVID-19 ka koston e vet financiare. Sipas raporteve nga MFE që analizojnë treguesit e buxhetit, kjo pandemi ka ulur me jo më pak se 73 miliardë lekë të ardhurat në buxhetin e shtetit dhe gjithashtu ka rritur shpenzimet përtej parashikimeve. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) është shprehur se pret që ekonomia e Shqipërisë të ulet me 7.5% gjatë 2020 si rezultat i pandemisë së koronavirusit dhe tërmetit 2019. Gjithashtu pret që deficiti fiskal i Shqipërisë të rritet në rreth 7% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) dhe raporti i borxhit publik ndaj PBB-së të rritet në 80% në vitin 2020. Banka Botërore u shpreh që produkti i brendshëm bruto i Shqipërisë (PBB) pritet të bjerë me 8.4% në 2020, duke ulur parashikimin e tij për një tkurrje prej 5% të bërë në qershor.
Varësia e lartë nga turizmi është një nga arsyet kryesore pse parashikimet e institucioneve ndërkombëtare janë pesimiste. Përtej parashikimeve, fakti është se, pandemia COVID-19 pati efekt mbizotërues në ekonominë globale e patjetër edhe në atë Shqiptare. PBB nominale u kontraktua me 3.3% në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, në terma shifror rezulton në vlerën e 1,607.9 miliardë lekë. Të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për vitin 2020 u paraqitën rreth 34.4 miliardë lekë (-7.5%) më pak se një vit më parë.
Si peshë ndaj ekonomisë, të ardhurat e përgjithshme publike rezultojnë në 26.5% të PBB-së nga 27.4% një vit më parë. Shpenzimet e përgjithshme publike gjatë vitit 2020 ishin 536.6 miliardë lekë, ose 44.6 miliardë lekë (9.1%) më shumë se viti 2019. Deficiti fiskal arriti në 6.9% të PBB dhe borxhi publik arriti në nivelin e 76% të PBB-së, rritje me pothuaj 10% nga viti 2019. Në vitin që lam pas, rritja e shpenzimeve të lidhura me krizën e pandemisë, kombinuar me një rënie të ndjeshme të të ardhurave, rezultuan në zgjerim të deficitit fiskal. Si përfundim në Shqipëri, rritja vjetore ekonomike pësoj një rënie të ndjeshme në -3.3% nga +2.1% që ishte në vitin 2019.
No comments:
Post a Comment