Denisa Canameti
Beteja me COVID-19 po bëhet gjithnjë e më vështirë për profesionistët e shëndetit, të cilët janë padiskutim të parët më të rrezikuarit. Eksperienca ndërkombëtare, e veçanërisht ajo e Italisë, tregoi se mjekët mund të jenë njësoj si pjesa tjetër e popullatës viktima, në përpjekjen e madhe për të shpëtuar jetë. Në Itali, aktualisht janë 24 mjekë të cilët kanë humbur jetën për shkak të COVID-19. Raportohet se 11 ndër 24 mjeket e vdekur i përkasin shërbimit të familjes, pra janë mjeke familje në qëndrat shëndetesore të zonave të ndryshme.
Njësoj të ekspozuar ndaj rrezikut janë edhe mjekët e familjes në Shqipëri. Rasti i Fierit, ku një familje (e konfirmuar tashmë me COVID-19) nuk tregoi të vërtetën se kishte udhëtuar drejt Italisë, çoi në karantinim jo vetëm mjekun e Qendrës Shëndetësore, por edhe personelin shëndetësor të Spitalit të Fierit.
Spitali Rajonal i Fierit, i shërben një komuniteti prej rreth 300.000 mijë banorësh dhe mbulon 3 bashki: Fier, Patos, Roskovec. Në këto kushte “paralizimi” i tij për shkak të mungesës së mjekëve do të ishte një dëm jashtëzakonisht i madh.
Si po funksionon shërbimi parësor sot në Shqipëri? Ç’masa janë marrë? Si po e marrin shërbimin të sëmurët kronik në kushtet e izolimit? Në Shqipëri,aktualisht janë rreth 400.000 pacientë që po trajtohen me recetë me rimbursim. Sa të mbrojtur janë mjekët, qoftë sa i takon pajisjes me mjete mbrojtëse, ashtu edhe përditësimit me ecurinë e sëmundjes; aftësinë për të njohur simptomat dhe orientuar drejt rastet.
Shoqata Together for Life përmes një lidhje telefonike ka kontaktuar me një prej drejtuesve të një prej Qendrave Shëndetësore në Kryeqytet për ta pyetur lidhur me sesi po funksionon puna në parësor.
“Ashtu sikurse edhe e keni parë FSDKSH ka vënë në dispozicion të gjithë kontaktet e mjekëve të familjes dhe farmacistëve, për të lehtësuar aksesin e pacientëve në shërbimin shëndetësor. Kjo është gjëja më e mirë që mund të bëhej në këtë situatë. Të kesh mundësinë të kontaktosh menjëherë me mjekun e familjes, që për më tepër njeh historikun shëndetësor të çdo pacienti, në rast të çdo problemi që mund të paraqitet, është lehtësi shumë e madhe. Por, është e rëndësishme të thuhet që kemi marrë masat që asnjë pacient të mos mbetet pa trajtimin e nevojshëm. Mendoni një pacient me diabet të mbetet qoftë dhe një vakt pa mjekim , apo pacientë me probleme të zemrës , me sëmundje kronike të mushkërive , apo mjaft sëmundje që rëndohen menjëherë nëse mungon edhe tableta apo injeksioni i parë i radhës”.
I pyetur se si po funksionon puna e përditshme me pacientët dhe me pacientët kronik, vecanërisht, drejtuesi tha se:
“Masat e marra për mbrojtje nga COVID- 19 e vënë theksin tek izolimi i gjithë popullatës e veçanërisht asaj në rrisk: si të sëmuret kronikë dhe të moshuarit. Në këto kushte shërbimi më i mirë që mund t’ju bëjë mjeku i familjes është dërgimi i medikamenteve pa u paraqitur në qendrat shëndetësore si dhe këshillimi nëpërmjet telefonit.
Prej më shumë se dy javësh dita e punës e një mjeku familje nis me evidentimin e datave të recetave për të sëmuret kronikë; më pas komunikohet me të sëmurin duke i mundësuar dërgimin e recetës me sms, ëhat’s App , viber etj . Për çdo rast që nuk ka mundësi të shkojë në farmaci për të marrë recetën, është personeli mjekësor që e kryen këtë detyrë në bashkëpunim me farmacistët, të cilët meritojnë gjithashtu një falenderim shumë të madh”.
Ndërsa se sa të njohur janë mjekët e familjes me simptomat e COVID -19 dhe a kanë zhvilluar trajnime apo seminare Brenda QSH për plotësimin e njohurive të mjekëve të familjes:
Mjekët e familjes, sikurse dhe gjithë pjesa tjetër e stafit të Qendrave Shëndetësore, ku përfshihen mjekët specialist dhe infermierët janë njohur dhe po njihen me çdo përditësim të udhëzimeve që nxjerr Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si dhe Instituti I Shëndetit public, në lidhje me COVID-19. Epidemiologët e Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor u kanë bërë trajnim pothuajsë të gjithë mjekëve të familjes ende pa u identifikuar rasti I parë me COVID-19 në Shqipëri. Mundësitë e informimit sot janë të pafundme, por po kujdesemi që të marrim si dhe shpërndajmë informacione zyrtare që kalojnë në sitën e profesionistëve. Puna jonë pas fillimit të epidemisë në vend konsiston në mbajtjen e të sëmurëve sa të jetë e mundur, larg ambienteve ku mund të infektohen. Mjekësia është e pamundur të bëhet e gjitha në distancë, por është thelbësore në kushtet aktuale që popullata të marrë maksimumin e informacionit të mundur në distancë nga profesionistët e mjekësisë. Një komunikim e vlerësim I problemeve nëpërmjet telefonit nga mjekët e familjes bën të mundur uljen e fluksit të pacientëve nëpër Qendra Shëndetësore e Urgjenca . Na bëjnë optimistë dhe rezultatet e punës së deritanishme që kanë ulur ndjeshëm fluksin e vizitave në rrjetin e shërbimit shëndetësor publik , duke theksuar që perpiqemi të mos lëmë asnjë rast ambulator pa zgjidhje .
Por, a kanë mundur të pajisin personelin; mjekë, infermierë, recepsionistë, sanitarë me masat mbrojtëse?
Në të gjitha Qendrat Shëndetësore janë marrë masat maksimale të mundura për të mbrojtur stafin nga infektimi. Nga masat e thjeshta por mjaft të rëndësishme higjeno -sanitare , dezinifektimet e ambjenteve e deri tek pajisjet. Në fillim ishte mjaft e rëndësishme që pacientet të ishin korrekt me mjekun për histori udhëtimi në vendet me rrisk , por sot nuk mjafton vetëm kjo . Pas çdo rasti të ri duhen zbuluar me kujdes gjithë kontaktet me qëllim minimizimin e përhapjes . Edhe këtu luan shumë rol mjeku i familjes sepse zotëron një armë të fuqishme; konfidencialitetin e krijuar më herët me pacientin. Mjekët e familjes bashkë me epidemiologët e zonave po bëjnë punë të admirueshme në atë që quhet hetim epidemiologjik.
A po kryhen vizita ndërkohë në Qendrën Shëndetësore?
Në qendrën tonë dhe pothuaj në të gjitha qendrat e tjera nuk ju mohohet shërbimi pacienteve që paraqiten për vizita akute . Kemi organizuar një vlerësim paraprak të pacienteve nga stafi ynë pa u futur në ambjentet e brendshme të qendrës . E bëjnë këtë vlerësim infermireret duke ju këshilluar si “rregull numër një” pacientëve mbatjen e distancës .
Pas çdo rasti të nevojshem për vizitë zbret mjeku famijes për të komunikuar me pacientin po jashtë ambjenteve e më pas nëse vizita është e domosdoshme, pacientit i vihet maskë dhe vijohet shërbimi. Nuk duhet harruar që ka kategori pacientesh për shërbim të domosdoshëm në Qendra Shendetësore si : mjekime plagësh , vizita kardiologjike që kërkojne patjetër një mendim të kardiologut shoqëruar me një elektrokardiogramë ; infeksione që nuk kanë lidhje me COVID -19 por që kërkojnë trajtim të menjëhershëm; injeksione etj. Mjafton aq për të thënë sa shumë punë po bëhet .
Nëse në një moment nuk jua hapim telefonin bjerini përsëri sepse nuk është bezdi, por thjesht një pamundësi moment, ishte porosia e fundit, përpara se të ndërpritej lidhja telefonike.
No comments:
Post a Comment