KLSH ka njoftuar se, pavarësisht kufizimeve objektive të auditimit të drejtpërdrejtë, po ndjek me vëmendje dhe përgjegjshmëri shpenzimet që kryhen nga institucionet publike lidhur me fondet e akorduara për zbutjen e fatkeqësisë natyrore. Me Urdhrin e Kryetarit të KLSH nr.48, datë 31.03.2020, institucioni ka ngritur grupin e punës për regjistrimin e rasteve të denoncuara në media mbi abuzimet me fondet dhe pronën publike, të cilat janë dhe do të jenë objekte auditimi në vijim, të shqetësuar se situata të tilla mbartin rreziqe të konsiderueshme për deformim të procedurave dhe keqpërdorim të fondeve publike, me dëm eventual ndaj Buxhetit të Shtetit.
Duke qenë të vetëdijshëm se zyrtarët e prokurimeve publike në mbarë botën po hasin një presion të jashtëzakonshëm në përpjekjet e tyre për të plotësuar kërkesën shumë të madhe për pajisje dhe furnizime, Institucionet e specializuara ndërkombëtare theksojnë se duhet të vijojë zbatimi me rigorozitet, transparencë dhe rregulla të qarta i mënyrave se si qeveria duhet t’i prokurojë mallrat dhe shërbimet. Në dt. 15.04.2020, Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) publikoi udhëzime dhe referenca për risqet dhe luftën ndaj korrupsionit në kontekstin e COVID-19, duke e nisur pikërisht me sistemet e prokurimit. Udhëzimet theksojnë se “Qeveritë në mbarë botën duhet të aktivizojnë bazën ligjore emergjente për t’u përballur me COVID-19, në mënyrë të tillë që sistemet shëndetësore të jenë të pajisura siç duhet. Por, ndërkohë që legjislacioni në kushte emergjence duhet të jetë eficient në prokurimin e pajisjeve jetike shëndetësore, mund të dobësohet kontrolli mbi shpenzimet publike dhe sistemet e prokurimit mund të bëhen shënjestra të lehta për abuzuesit.” Në këto kushte, KLSH rekomandon fort që prokurimi duhet të kryhet në mënyrë të ndershme dhe jodiskriminuese, me përgjegjshmëri dhe mbështetur në vendim-marrje të shëndosha e kolegjiale. KLSH inkurajon të gjitha entet tona publike të përdorin platforma prokurimi online, duke i publikuar të dhënat në formate sipas Standardeve Ndërkombëtare të të Dhënave të Hapura të Kontraktimit, përmes sistemeve transparente që veprojnë në bazë të të dhënave të strukturuara dhe komunikimit efiçient. Në këtë mënyrë, prokurimet bëhen të gjurmueshme, në përputhje me ligjet dhe praktikat e mira, duke i shërbyer më së miri taksapaguesve.
Lidhur me problematikat e mprehta të evidentuara nga auditimet tona në fushën e prokurimeve publike, sjellim në vëmendje se që në janar të këtij viti, KLSH i ka kërkuar Kuvendit dhe Agjencisë së Prokurimit Publik një sërë përmirësimesh ligjore e konkretisht:
- vlefshmërinë e procedurave të prokurimit në jo më pak se dy operatorë ekonomikë pjesëmarrës, që plotësojnë kriteret e kualifikimit,
- vendosjen e garancisë së ofertave në të gjitha llojet e procedurave,
- përcaktimin e qartë ligjor, transparent dhe ezaurues të alternativave për llogaritjen e fondit limit, si dhe
- hartimin e një kuadri rregullator të veçantë për prokurimet e klasifikuara sekrete, duke u bazuar në direktivën përkatëse të BE-së, me qëllim minimizimin e tyre, nxitjen e konkurrencës së lirë dhe rritjen e efektivitetit të fondeve të konsiderueshme përkatëse.
Sot më shumë se kurrë është koha që Kuvendi dhe qeveria të kalojnë Ligjin për Përgjegjshmërinë Materiale të Zyrtarëve të Lartë Publikë, të kërkuar me këmbëngulje nga KLSH në shtatë vitet e fundit si mjet tejet efiçient në luftën kundër korrupsionit. Në këto momente, prokurimi publik duhet të udhëhiqet nga parimet e qeverisjes së hapur, duke qene transparent dhe thelluar llogaridhënien, Situata kërkon arritjen dhe ruajtjen e një ekuilibri midis fleksibilitetit të përkohshëm të rregullave për kryerjen e shpenzimeve dhe përgjegjshmërisë së zyrtarëve publikë të angazhuar në procedurat e prokurimit. Si një institucion ëatchdog, agjent i Kuvendit dhe në shërbim të qytetarëve, KLSH do të ndjekë me vëmendje të gjitha procedurat e prokurimit të kryera gjatë kësaj periudhe, me qëllim që t’i ofrojë Kuvendit dhe publikut opinionin nëse fondet publike nuk janë keqpërdorur, por administruar me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë, nëpërmjet një auditimi dhe raportimi të veçantë, krahas Raportit për Auditimin e Zbatimit të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2019.
Institucioni ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vijuar funksionin kushtetues të kontrollit të veprimtarisë ekonomike dhe financiare të institucioneve shtetërore (shih Buletinin nr. 1, 2020 të KLSH për periudhën janar-mars 2020). Krahas kornizës rregullative, është përcjellë Udhëzimi i Kryetarit të KLSH “Për zhvillimin e veprimtarisë audituese gjatë kohëzgjatjes së fatkeqësisë natyrore”, nëpërmjet një qasjeje të shtuar drejt kanaleve zyrtare të komunikimit online.
Në këtë kohë, krahas auditimeve online, KLSH ka vijuar përmirësimin dhe përditësimin me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit të manualeve të auditimit, si të atij financiar, të përputhshmërisë, të performancës, etj., duke ngritur grupet përkatëse të punës. Në përmbushje të detyrimeve ligjore, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të vijojë bashkëpunimin në një shkallë më të lartë me Prokurorinë e Përgjithshme, me SPAK dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, në denoncimin e rasteve të abuzimit me fondet dhe pronën publike gjatë pandemisë, duke garantuar auditim të thelluar për një proces tenderimi publik sa më transparent, të hapur, gjithëpërfshirës e të përgjegjshëm. Për këtë, KLSH do të vazhdojë të jetë i hapur dhe bashkëpunues me mediat dhe OJF-të e specializuara në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike, me qëllim thellimin e luftës kundër korrupsionit edhe në këto situata të pazakonta, përfundon njoftimi zyrtar.
No comments:
Post a Comment