Wednesday, April 22, 2020

Si të flisni me fëmijët tuaj rreth koronavirusit?

Të dish si t’u përgjigjesh pyetjeve dhe frikërave të fëmijëve tuaj, ndërkohë që jeni vetë në ankth, mund të jetë e vështirë. Nëse ke hasur vështirësi si prind që të shpjegosh se çfarë po ndodh në botë, nuk je vetëm.

Është e rëndësishme që të tregoheni të hapur rreth koronavirusit me fëmijët tuaj. Shoqëria Britanike e Psikologëve thotë në udhëzimin e saj se si të flisni me fëmijët rreth koronavirusit se: “Të rriturit kanë një rol kyç në ndihmën që duhet t’u jepet fëmijëve për të kuptuar se çfarë po ndodh, duke dhënë informacion dhe mbështetje, duke limituar ekspozimin ndaj mediave, dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se si veprimet e tyre mund të ndikojnë tek fëmijët e tyre.”

Kujtoni gjithashtu që edhe bebet dhe fëmijët e vegjël mund ta ndjejnë ankthin tuaj. Ata mund ta kuptojnë ndryshimin tuaj në sjellje nëse bëheni më të distancuar apo të pavëmendshëm. Mundohuni ta kontrolloni sjelljen tuaj. Flisni me fëmijët për t’i qetësuar ata, edhe nëse nuk e kuptojnë plotësisht se çfarë po ndodh, sigurohuni që të t’u qendroni shumë afër.

Mundohuni të mbani një rutinë sa më normale të jetë e mundur, në mënyrë që fëmijët tuaj të ndjehen të sigurt.

Ja disa këshilla se si mund të veproni:

  • Mos i nënvlerësoni frikërat e fëmijëve tuaj. Ndërkohë që është e rëndësishme që të mos u krijoni frikëra që nuk i kanë, është po aq e rëndësishme që të kuptoni se ata mund të jenë në ankth rreth asaj çfarë kanë dëgjuar për koronavirusin, si në lajme apo në biseda të ndryshme të më të rriturve. Dhe duke qenë se nuk e kuptojnë rrezikun ashtu si të rriturit, fëmijët mund të jenë më të shqetësuar se sa mund t’ju duket ju.
  • Pyetini fëmijët tuaj se çfarë dinë dhe çfarë nuk kuptojnë. Ndonjëherë fëmijët mund të mos i përmendin gjërat nga të cilat frikësohen, por kjo nuk do të thotë se ata nuk janë të shqetësuar. Është gjithmonë diçka e mirë që t’u jepni fëmijëve tuaj mundësinë që të flasin rreth gjërave që i frikësojnë.
  • Sqaro keqkuptimet. Qarkullojnë shumë thashetheme dhe mite rreth origjinës dhe detajeve të tjera të koronavirusit. Është e rëndësishme që t’i sqaroni fëmijët tuaj për atë se çfarë është e vërtetë e çfarë jo.
  • Mundohuni që shpjegimet që jepni të jenë të shkurtra dhe pa shumë detaje të tepërta. Për fëmijët më të vegjël, përdorni lojëra, histori apo kukulla që t’u shpjegoni situatën dhe t’i ndihmoni të kuptojnë. Dhe tregohuni të vëmendshëm se çfarë mund të jenë duke shprehur ata me anë të lojës apo vizatimeve të tyre.
  • Sigurojini fëmijët tuaj se shumë të rritur po punojnë që të na mbajnë të sigurt. Ka shumë raporte që tregojnë për masat që po merren në mënyrë që virusi të përmbahet dhe që çdokush të jetë sa më i përgatitur. Ndonjëherë fëmijët kamë nevojë që të kujtohen për këtë.
  • Mos shikoni vetëm lajme. Edicionet e lajmeve mund t’i mërzisin fëmijët, sepse toni i shumicës së tyre dramatizohet dhe fokusohet më shumë në pjesët negative se sa ato positive.
  • Mos e nënvlerësoni fuqinë e përqafimeve dhe ledhatimeve. Qetësimi jo – verbal mund të ketë efekte shumë pozitive.
  • Ndihmojini fëmijët tuaj të kuptojnë shkakun dhe efektin. Larja e duarve dhe qëndrimi larg nga personat e tjerë do të ndalojë përhapjen e virusit. Kjo do t’i ndihmojë ata të kuptojnë se pse duhet të qëndrojnë në shtëpi.

Historia e koronavirusit do të vazhdojë të zhvillohet dhe gjatë ditëve të ardhshme. Fëmijët tuaj do të dëgjojnë më shumë rreth tij nga burime të ndryshme. Qëndrimi afër tyre, dëgjimi i shqetësimeve të tyre, dhënia e informacionit të saktë, dhe dashuria që keni për ta, do t’i ndihmojë ata dhe ju që ta kaloni këtë situatë të vështirë.

Burimi: Babycentre

No comments:

Post a Comment