Çdo ditë konsumatori ndiehet i frikësuar në lidhje me konsumin e ushqimeve, sa të rrezikuar jemi dhe a mund të merren masa vetjake për të minimizuar rrezikun e infektimit COVID19.
Nuk jam ende vonë për të informuar pasi ende kur flitet për COVID19 konsiderohet një lloj infeksioni i ri i koronavirusit (SARS – CoV-2) që shkakton çrregullime të traktit respirator. Njohuritë për mënyrat e sakta të transmetimit të këtij koronavirusi janë ende të kufizuara dhe ato i referohen koronavirusëve të tjerë të njohur dhe që përafërojnë me të. Mënyra më kryesore e transmetimit të infeksionit është nëpërmjet stërkalave, ku koronaviruset lëshohen nga njerëzit ose kafshët në ajër përmes pikave, dhe pastaj thithen. Patogjenë të ndryshëm të traktit respirator gjithashtu mund të transmetohen përmes infeksioneve të ndotjes me stërkalat si dhe prekjes së sipërfaqeve të ndotura. Në ato raste, patogjenët e vendosur në duar hyjnë në mukozën e hundës ose syve, ku mund të çojnë në një infeksion. Pra këtu është zanafilla që na bën të pyesim si të kujdesemi dhe për ushqimet e produktet kryesore të konsumit këto ditë e më pas.
A mund të bartet virusi te njerëzit përmes ushqimit dhe produkteve të importuara siç janë lodrat e fëmijëve, telefonat mobile, artikuj të tjerë të tillë si dorezat e dyerve, enët e gatimit etj? Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) na jep përgjigjet sipas disa rrethanave të sigurimit dhe përdorimit të tyre.
- A mund të jenë mallrat e importuara nga rajone ku sëmundja është përhapur, një burim i përhapjes së infeksionit tek njerëzit?
Për shkak të metodave të transmetimit të regjistruara deri më tani, dhe qëndrueshmërisë relativisht të ulët mjedisore të koronavirusëve, nuk ka të ngjarë që mallrat e importuara siç janë ushqimet e importuara, kozmetika ose mallrat e konsumit si lodrat e fëmijëve, mjetet, kompjuterët, rrobat ose këpucët të mund të jenë burim i një infeksioni me llojin e ri të koronavirusit, kjo bazuar në nivelin aktual të njohurive. Ky vlerësim bazohet në botimin më të fundit të publikuar nga shkencëtarë të Universiteteve të Greifswald dhe Bochum, mbi këmbënguljen e viruseve të njohura të tipit korona. Ndoshta një inkurajim më tepër për t’i besuar blerjeve on-line.
- A mund të jenë infektuar nga lloji i ri i patogjenit punëtorët e ngarkim shkarkimit, punëtorët e ndërmarrjeve transportuese që merren me kontejnerë, ose punëtorët që merren me përpunimin e mëtejshëm të produkteve gjysëm të gatshme, përbërësve ose produkteve të tjera të parafabrikuara dhe të importuara nga Kina?
Për shkak të stabilitetit të ulët mjedisor të koronavirusëve, një transmetim i patogjenit përmes kësaj metode duket se nuk ka të ngjarë në shumicën e rasteve. Instituti Federal Gjerman për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, dhe Komiteti për Agjentët Biologjikë, janë përgjegjës për vlerësimin e rreziqeve të mundshme në lidhje me agjentët infektues në vendin e punës. Deri tani nuk ka asnjë gjetje të personave të infektuar me anë të kësaj mënyre transmetimi.
- Si mund ta mbrojmë veten nga infektimi me coronavirusin përmes ushqimit dhe produkteve (përfshirë kozmetikën)?
Megjithëse nuk ka të ngjarë që virusi të transmetohet përmes traktit tretës nëpërmjet ushqimit të kontaminuar ose produkteve të importuara, rregullat e përgjithshme të higjienës së përditshme, siç është larja e rregullt e duarve, dhe rregullat e higjenës gjatë trajtimit dhe përgatitjes së ushqimit duhet të respektohen me rigorozitet. Meqenëse viruset janë të ndjeshëm ndaj nxehtësisë, rreziku i infeksionit gjithashtu mund të zvogëlohet më tej duke i ngrohur ushqimet.
Kozmetikë të tillë si buzëkuqët ose make-up nuk duhet të ndahen ose përdoren nga shumë njerëz, dhe nëse na duhet të aplikojmë kremra nga vazot e hapura kjo duhet bërë vetëm mbasi të jenë larë duart me kujdes ose përdorimi i një një shpatule të pastër.
- A mundet që lloji i ri i koronavirusit SARS-CoV-2 të transmetohet përmes pjatave dhe enëvë në bare, restorante, mensa dhe vendet e tjera ku njerëzit konsumojnë vaktet e ngrënies së bashku?
Koronaviruset në përgjithësi mund të arrijnë tek enët përmes një personi të infektuar duke teshtitur ose kollitur direkt mbi to dhe viruset mund të mbijetojnë në këto sipërfaqe të ngurta për ca kohë. Ky do të ishte një infeksion i ndotjes, dhe megjithatë transmetimi i virusit do të ishte i mundur përmes duarve që prekin enët në mukozën e gojës, fytit ose syve. Sidoqoftë, Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) nuk është ende në dijeni të ndonjë infeksioni me SARS-CoV-2 përmes kësaj rruge transmetimi.
- A bëhet virusi joaktiv duke i larë enët me dorë dhe/ose duke përdorur makinën larëse të enëve?
Koronaviruset, si viruse të mbështjellura, ku materiali gjenetik është i veshur nga një shtresë yndyre (shtresa lipidike), reagojnë me ndjeshmëri duke u shkatërruar ndaj substancave që shpërndajnë yndyrën, siç janë alkoolet ose agjentët aktivë sipërfaqësorë, të cilat janë përbërës të sapunëve dhe larëseve të enëve. Larja e enëve me ujë në temperature 60 gradë Celsius është efikase. Kjo vlen veçanërisht nëse enët lahen dhe thahen në një makinë larëse enësh në 60 gradë Celsius ose më të lartë.
- A mund të mbijetojnë koronaviruset në tekstile – rroba?
Aktualisht, Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) nuk ka asnjë informacion mbi kohën e mbijetesës së virusit SARS-CoV-2 në tekstile ose në lavatriçe. Si viruse të mbështjellura, në të cilat materiali gjenetik është i veshur nga një shtresë e yndyrës (shtresa lipidike), koronaviruset në përgjithësi reagojnë me ndjeshmëri ndaj substancave që zgjidhin yndyrën, siç janë solucionet larëse të përdorura për larje në lavatriçe. Në jetën e përditshme normale, njerëzit në familje private mund të lajnë rrobat në lavatriçe si në të përditshmen e tyre.
- A mund të transmetohen koronaviruset përmes produkteve të brumit( bukë etj) ose frutave dhe perimeve të freskëta?
Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) nuk është ende në dijeni të ndonjë infeksioni me SARS-CoV-2 përmes kësaj rruge transmetimi. Koronaviruset në përgjithësi mund të shfaqen në produkte buke ose fruta – perime përmes transmetimit nga një person i inatosur/i qëllimshëm/i papërgjegjshëm që teshtin ose kollitet direkt mbi to. Ky infeksion ndotës transmetohet vetëm nëpërmjet të transmetimit nga prekja me duar ose nga vetë ushqimi me mukozën e gojës, fytit ose syve. Për të mbrojtur veten nga transmetimi i virusit, është shumë e rëndësishme të respektoni rregullat e përgjithshme të higjenës së përditshme, siç është larja e duarve rregullisht dhe mbajtja e duarve larg fytyrës tuaj. Produktet e bukës në dyqanet me pakicë zakonisht mbrohen nga teshtitja dhe kollitja e klientëve në raftet ku ato janë vendosur konform standarteve por edhe nga prodhuesit gjatë procesit të përgatitjes së produkteve të brumit të cilët ndjekin rregullat e sigurisë ushqimore të paisur me doreza e maska, kjo në çdo kohë jo vetëm në kohën e pandemisë. Gjatë përgatitjes së frutave dhe perimeve, duhet të respektohen rregullat e përgjithshme të higjenës, të cilat përfshijnë larjen e plotë të ushqimit dhe larjen e shpeshtë të duarve gjatë trajtimit.
- A mund të transmetohen koronaviruset përmes produkteve të mishit?
Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) nuk e ka të provuar një infeksion me SARS-CoV-2 përmes kësaj rruge transmetimi. Në përputhje me njohuritë dhe gjetjet aktuale, bagëtitë e përdorura për prodhimin e mishit që konsumohet nga njerëzit nuk mund të infektohen me SARS-CoV-2, dhe për këtë arsye këto kafshë nuk janë në gjendje të transmetojnë virusin te njerëzit përmes rrugë së mishit e produkteve.
Koronaviruset në përgjithësi mund të kontaminojnë gjellërat dhe mishin përmes një personi të infektuar duke teshtitur ose kollitur direkt mbi to. Infektimi ndotës ndaj një personi tjetër bëhet i mundur nëse virusi transmetohet nëpërmjet të duarve ose vetë ushqimit në mukozën e gojës, fytit ose syve. Për të mbrojtur veten nga transmetimi i virusit, është shumë e rëndësishme të respektoni rregullat e përgjithshme të higjenës së përditshme, siç është larja e duarve rregullisht dhe mbajtja e duarve larg fytyrës tuaj. Për më tepër, mishi dhe shpendët duhet të nxehen aq sa duhet para konsumimit. Shumë e rëndesishme kjo për t’u mbrojtur nga patogjenë të tjerë të mundshme. Temperatura në brendesi të mishit duhet të arrij 70 gradë celcius të paktën për 2 minuta, që të sigurohemi për trajtimin e duhur termik. Për mishin e shpendëve e kuptojmë kur ngjyra e mishit të jetë plotësisht e bardhë; për mishin e derrit deri sa të jetë ngjyrë gri nnë rozë; për mishin e viçit ngjyra të jetë kafe.
- A mund të transmetohen koronaviruset përmes qumështit nga lopët e ushqyer me ushqim potencialisht të kontaminuar?
Transmetimi i SARS-Cov-2 përmes qumështit, si edhe për ushqimet e tjera, nuk është evident në këtë fazë të njohurive. Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) nuk është e informuar për ndonjë infeksion me SARS-Cov-2 përmes kësaj rruge transmetimi. Instituti Friedrich Loeffler dhe Instituti Robert Koch nuk janë ende në dijeni të ndonjë informacioni nga Kina ose vendet e tjera të prekura nga SARS-CoV-2, të cilat tregojnë një rol të veçantë të transmetimit të virusit nga ushqimi për kafshët që prodhojnë ushqim për njerëzit por edhe atyre shtepiake. Sipas rregulloreve ligjore, ushqimi i kafshëve është substanca ose produkte të destinuara për t’u përdorur për ushqimin oral të kafshëve. Ushqimi i kafshëve, dhe gjithashtu aditivët, mund të përdoren ose në formë të përpunuar, të përpunuar pjesërisht ose të papërpunuar. Deri më tani, nuk ka asnjë provë që ushqimi i kafshëve është një vektor për viruset korona.
- A mund të infektohemi me SARS-CoV-2 përmes ushqimit të ngrirë të kontaminuar?
Deri më tani nuk ka asnjë dëshmi të zinxhirëve të infeksionit për SARS-CoV-2 përmes konsumit të ushqimit, përfshirë ushqimin e ngrirë. Koronaviruset e mëparshme SARS dhe MERS janë rezistente ndaj të ftohtit dhe mund të qëndrojnë infektive në minus 20 gradë celsius deri në 2 vjet në gjendje të ngrirë. Por duhet të merret në konsideratë zbatueshmëria me rregullat e përgjithshme të higjienës për përgatitjen e ushqimit të ngrirë.
Shumë e rëndësishme që të kryhet shkrirja e plotë e produkteve të ngrira sidomos ato me origjinë shtazore; vrasja e patogjenëve përfshirë edhe rastin e coronavirusit bëhet me përpunimin direkt mbas shkrirjes së ushqimit të ngrirë.
Ringrirja e produktit të shkrirë përbën një rrezik potencial. Duhet evituar totalisht.
Modeli Covid-19 nuk ka ngjashmëri me modelet e shpërthimit të epidemive me origjinë ushqimet (Foodborn illness) ku disa nga shkaktarët e njohur janë : Campylobacteriosis (Campylobacter); Cryptosporidiosis (Cryptosporidium); Cyclosporiasis (Cyclospora spp.); Escherichia coli O157:H7 Infection (E. coli O157); Hemolytic Uremic Syndrome (HUS); Giardiasis (Giardia); Listeriosis (Listeria monocytogenes);Norovirus Infection (aka Norëalk virus, calicivirus, viral gastroenteritis);Salmonellosis (Salmonella); Scombroid Fish Poisoning; Shigellosis (Shigella);Toxoplasmosis (Toxoplasma gondii); Vibrio Infection (Vibrio parahaemolyticus); Yersiniosis (Yersinia species).
KJO NENKUPTON SA DOMETHENES ESHTE KUJDESI NDAJ SHUME PATOGJENEVE QE TRANSMETOHEN ME USHQIM DHE SHKAKTOJNE RREZIK PER SHENDETIN.
NJERIU USHQEHET DISA HERE NE DITE DHE NE RASTIN E CORONAVIRUS NUK KA LIDHJE TRANSMETIMI ME KONSUMIMIN E USHQIMIT.
VIRUSI I CORONA QUHET EDHE VIRUS I FRYMEMARRJES. RIPRODHOHET NE TRAKTIN RESPIRATOR JO NE TRAKTIN TRETES.
NUK THEMI E THITHA NJE USHQIM (SALLAM, BUKE, SALLAT ETJ) POR THEMI E HENGRA!!
PERGATITUR: Nga Valbona PALUKA
Referencë :
Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR)
Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut është një institucion shkencor i pavarur brenda portofolit të Ministrisë Federale të Ushqimit dhe Bujqësisë (BMEL) në Gjermani. Ai këshillon qeverinë federale gjermane dhe shtetet federale gjermane (“Länder”) për pyetjet në lidhje me sigurinë ushqimore. Instituti Federal Gjerman për Vlerësimin e Riskut (BFR) bën hulumtimet e veta për tema që janë të lidhura ngushtë me detyrat e tij të vlerësimit.
Burimi: Monitor
No comments:
Post a Comment