OBSH thotë se gjysma e viktimave në Europë kanë humbur jetën si pasojë e mungesës së kujdesit shëndetësor. Kreu për Europën i kësaj organizate thotë se vendet e BE-së kanë mungesë stafi shëndetësor, të cilët nuk paguhet sa ç’meritojnë dhe janë të mbingarkuar në punë .
Drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge thotë se gjysma e viktimave të COVID-19ës në Europë kanë humbur jetën në qendrat e përkujdesjes. Gjatë një konference për mediat në Kopenhagen, ku ndodhet qendra për Europën, Kluge u tërhoqi vëmendjen autoriteteve të shteteve europiane se kanë lënë pa përkujdesje shumë pacientë të shtruar nëpër klinika e azile, çka u ka marrë atyre jetën.
Shkak për një situatë të tillë është bërë mungesa e theksuar e stafit mjekësor, çka i ka gjetur të papërgatitura klinikat dhe spitalet në disa vende europiane për të përballuar një situatë të tillë. Kreu i OBSH-së për Europën tha se mjekët dhe infermierët janë heronjtë e panjohur të pandemisë, të cilët shpesh herë paguhen më pak nga ç’meritojnë, janë të mbingarkuar me punë dhe u rrezikohet jeta nga kontakti i vazhdueshëm me të infektuarit. Në gjithë kontinentin numërohen rreth 100 mijë të vdekur nga koronavirusi.
Në Francë dhe në Spanjë, dhjetëra të moshuar të infektuar me COVID-19 janë gjetur të vdekur në azile nga pamundësia e stafeve mjekësore për t’i kuruar.
Në gjithë globin numërohen mbi 2.6 milionë të prekur, prej të cilëve më shumë se 185 mijë kanë humbur jetën, ndërsa 27% e tyre janë shëruar.
Shtetet e Bashkuara janë vendi me shifrat më të larta të përhapjes. Gjatë 24 orëve të fundit u shënua një rekord i ri prej 2492 të vdekurish. Megjithatë, në Nju Jork, vatra më e nxehtë të këtij vendi, situata duket e stabilizuar pasi numri i viktimave dhe të infektuarve të rinj po bie në mënyrë të qëndrueshme. Në Spanjë dhe Itali, numri i viktimave ditore është nën 500 prej disa ditësh.
Ndërsa në Francë, instituti i statistikave dha alarmin se ekonomia e vendit është si një i sëmurë nën anestezi, pasi aktiviteti privat ka pësuar një rënie drastike nga pandemia me 41%. Kina dhuron 30 milionë dollarë shtesë për Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
No comments:
Post a Comment