Wednesday, April 29, 2020

COVID-19/ Raporti i testimeve në rajon dhe botë, si renditet Shqipëria

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur rekorde të zeza në lidhje me koronavirusin. Atje janë shënuar mbi 59 mijë viktima nga Covid-19, ndërsa janë infektuar mbi 1 milion të tjerë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë një të tretën e të gjithë infektimeve në botë.

Por Amerika mban një rekord pozitiv kur vjen puna tek testimet. Atje numërohen rreth 6 milionë qytetarë që janë testuar për Covid-19, 17 885 të testuar për 1 milion banorë. SHBA-të pritet të shtojnë akoma më shumë testimet në ditët në vijim.

Si renditen shtetet e tjera?

Pas SHBA-ve vjen Rusia. Sipas të dhënave në Worldometer, vendi lindor ka mbi 3.3 milionë të testuar në total ose mbi 22 mijë të testuar për 1 milion banorë. Gjermania ka testuar deri më tani mbi 2 milionë qytetarë, ndërsa numëron mbi 6 mijë të vdekur, më pak se vendet e tjera europiane.

Spanja dhe Italia, dy vende shumë të prekura nga koronavirusi, numërojnë përkatësisht 1.3 milionë dhe 1.8 milionë të testuar. Italia ka testuar më shumë se Spanja pasi krahasuar me 1 mln banorë, shteti apenin ka 30 547 të testuar, ndërsa shteti iberik mbi 28 mijë.

Numër më të ulët testimesh në Europë kanë Franca me 463 mijë dhe Britania me 763 mijë. Franca ka kryer 7 103 teste për 1 milion banorë, ndërsa Mbretëria e Bashkuar 11 245.

Po vendet e rajonit tonë?

Vendi ynë deri më tani ka 766 të infektuar nga koronavirusi. Ministria e Shëndetësisë njoftoi të mërkurën se në total janë testuar 8 028 raste të dyshuara.

Në vendin fqinj të Malit të Zi janë testuar 6 864 raste. Maqedonia e Veriut ka testuar 15 771 persona të dyshuar në total.

Kosova ka testuar 6 955 mostra të dyshuara, ndërsa Serbia ka analizuar 73 363 persona të dyshuar. Numër të lartë testimesh ka Greqia. Atje janë testuar rreth 70 000 raste të dyshuara në total dhe ka vetëm 2 566 të konfirmuar me sëmundjen.

Sipas të dhënave, Shqipëria ka numrin më të ulët të testimeve për 1 milion banorë. Worldometer llogarit, se Shqipëria ka 2 696 të testuar për 1 milion banorë. Vendin tonë e ndjek Greqia me 6 700 të testuar për 1 milion banorë.

Maqedonia ka 7 570 të testuar për 1 milion qytetarë, ndërsa Serbia 8 396 për 1 milionë banorë. Numrin më të lartë të testimeve në rajon e ka Mali i Zi me 10 929 të testuar për 1 milion banorë.

/tvklan.al

No comments:

Post a Comment