Një deklaratë e ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu pak ditë më parë kaloi pa u vënë re. Ajo tha se Shqipëria është përzgjedhur nga Organizata Botërore e Shëndetësise për t’u bërë pjesë e një studimi klinik ndërkombëtar për të njehsuar protokollin e trajtimit te koronavirusit.
“Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 po ndiqen protokollet si në vendet e tjera, përdorim po ato linja trajtimi. Shqipëria për herë të parë do të jetë pjesë e një studimi të madh klinik, “solidarity trial”, iniciuar nga OBSH. Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, – tha ministrja.
Më shumë detaje ka dhënë këtë diel vetë zyra e OBSH-së në Tiranë. Në një njoftim të saj thuhet se Shqipëria së fundmi është bërë pjesë e një studimi të Organizatës Botërorë të Shëndetësisë ku do të marrin pjesë 100 vende. Studimi konsiston në gjetjen e mjekimit të efektshëm kundër Covid-19 në një kohë sa më të shpejtë.
Sipas zyrës së OBSH në Shqipëri studimi do të përfshijë pacientët në moshë të rritur me COVID-19, të cilët janë hospitalizuar. Ndërkohë pacientët adultë, të cilët marrin trajtimin spitalor standard, do të marrin gjithashtu medikamente që po studiohen për veprimin e tyre ndaj koronavirusit të ri dhe sëmundjes së shkaktuar prej tij.
Sipas OBSH do të jenë vetë pacientët që do të vendosin nëse do të marrin medikamentet ndërsa ekipi mjekësor do të vlerësojë gjendjen e pacientëve për efektet anësore që do të japë medikamenti. OBSH ka deklaruar se medikamentet e certifikuara për këtë testim janë: Chloroquine ose hydroxychloroquine, lopinavir dhe ritonavir dhe lopinavir/ritonavir plus interferon beta dhe remdesivir.
Medikamente të tjera mund të shtohen në studim sipas të dhënave kërkimore. Studimi monitorohet nga Komiteti për të dhënat globale dhe monitorimin e sigurisë, i përbërë nga një grup ekspertësh të pavarur.
No comments:
Post a Comment