Tiranë, 28 prill 2020 – Agjensia e Kombeve të Bashkuara për Shëndetin Seksual dhe Riprodhues, UNFPA në Shqipëri dhuroi një sasi mjetesh mbrojtëse personale ndaj COVID-19 për personelin e Maternitetit “Koço Gliozheni” në Tiranë.
Artikujt përfshijnë veshje totale për mbrojtjen e trupit, maska, doreza, mbrojtës për sytë, mbrojtës të kokës, qafës dhe supeve. UNFPA po bashkëpunon me LDS Charities, një nga partnerët e saj kryesore në promovimin e shëndetit amtar dhe foshnjor, për realizimin e prokurimit të një sasie më të madhe të këtyre artikujve mbrojtës dhe artikujve të tjerë të rëndësishëm në mbështetje të personelit shëndetësor të materniteteve të Shqipërisë, që do të mbulojnë nevojat afatmesme në luftën ndaj COVID–19.
Këto artikuj do të shërbejnë për mbrojtjen e mjekëve obstetër gjinekologë, mjekëve neonatologë, mamive dhe infermiereve të neonatologjisë për një periudhë emergjente një mujore. Për UNFPA është shumë e rëndësishme dhe jetike sigurimi i vazhdimësisë së shërbimeve të shëndetit riprodhues, ku kujdesi amtar dhe foshnjor zë një vend tepër të rëndësishëm.
Deri më tani, nuk ka asnjë provë shkencore në lidhje me rritjen e rrezikut të grave shtatzëna ndaj COVID-19. Nuk ka asnjë provë që të mbështesë transmetimin vertikal të virusit nga nëna tek fëmija. Gratë shtatzëna duhet të ndërmarrin të njëjtat masa parandaluese për të shmangur infeksionin, siç rekomandohen edhe për pjesën tjetër të popullatës.
Ajo që është me rëndësi të theksojmë është që duhet të ruajmë vazhdimësinë e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor ndaj nënës dhe fëmijës, si edhe shërbimeve të tjera të shëndetit seksual dhe riprodhues, përfshirë kujdesin gjatë dhe pas shtatzënisë si dhe lindjen e sigurt të fëmijëve, veçanërisht në epiqendrat e pandemisë, ku mund të shfaqen dhe më shumë problematika në aksesin ndaj shërbimeve.
Është po kaq jetike që punonjësit e kujdesit shëndetësor të mbrohen nga infektimi me COVID-19 dhe të pajisen me mjete mbrojtëse personale për të siguruar vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore.
Për më shumë informacion, https://www.unfpa.org/covid19
No comments:
Post a Comment