Friday, April 24, 2020

Edhe 39 raste të reja me koronavirus në Kosovë, numri shkon në 669

39 raste të reja me koronavirus janë regjistruar të enjten në Kosovë, ndërsa Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar edhe për 21 të shëruar. Numri total i të prekurve me koronavirus arrin në 669, ndërsa me shtimin e 21 personave të shëruar numri total i të shëruarve arrin në 159.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka njoftuar se sot janë konfirmuar edhe 39 raste pozitive me coronavirus, duke çuar kështu në 669 numrin e personave të infektuar.

IKSHPK po ashtu ka njoftuar se sot janë shëruar edhe 21 persona.

Në njoftim thuhet se rastet pozitive janë raste kontakti,  26 raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit:  (15) raste Katund i ri dhe  (11) raste Pejë), (9) raste me vendbanim në Prizren,  (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga  (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.

 

Njoftimi i plotë i IKSHPK-së:

Sot më 23 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore.

Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e nëntë (39) raste.

Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë (26) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë), nëntë (9) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan.

Numri i madh i rasteve të konfirmuara sot në Pejë janë si pasojë e pjesëmarrjes në një ceremonial mortor më 6 prill 2020, përkundër masave të ndalimit të grumbullimit në masë të qytetarëve. Si pasojë e këtij veprimi deri më tani janë diagnostikuar 36 raste pozitive me COVID-19.

Më datë 23 prill 2020, nga Klinika Infektive është raportuar një (1) rast i vdekjes, i gjinisë mashkull me moshë 53 vjeç me vendbanim në Prizren dhe i konfirmuar me COVID-19 me datë 10.04.2020. Pacienti është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 13.04.20 në gjendje të rënduar dhe në përkujdesje Intensive. Te i sëmuri gjatë ecurisë së sëmundjes janë zhvilluar ndërlikime si pasojë e COVID-19.

Sot më 23 prill 2020, janë shëruar edhe njëzet e një (21) pacientë, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e pesëdhjetë e nëntë (159) raste.

Nga data 08 shkurt deri më 23 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.627 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej gjashtëqind e gjashtëdhjetë e nëntë (669) raste, ndërsa gjithsej nëntëmbëdhjetë (19) raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 23 prill 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 2.699.462 raste të COVID-19 dhe 188.930 raste të vdekjes.

No comments:

Post a Comment