Friday, August 28, 2020

Gruaja për bashkëshortin: Pse e mbajnë në spital kur nuk është i infektuar? S’po më japin informacion

Gazetare: Klevisa GJIKA

Spitali COVID-1 dhe COVID-2 janë vënë në dispozicion të të prekurve nga COVID-19. Por çfarë po ndodh me të sëmurët e tjerë që kanë nevojë për shërbim mjekësor që lidhet jo domosdoshmërisht me koronavirusin?

Gjatë një vëzhgimi të kryer ditën e sotme pranë spitalit Infektiv, një grua shprehet e shqetësuar për gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj 60-vjeçar. Ajo pohon se prej një jave që ai është i shtruar në spitalin COVID-1, informacioni në lidhje me ecurinë e shëndetit të tij mungon. Ajo tregon se burri i saj nuk është i infektuar, por pas mbajtjes në urgjencë për 3 ditë, mjekët e kanë shpërngulur në Infektiv pa ia shpjeguar pse.

“Komunikuam me këto dhe s’japin as përgjigje. Burri është 60 vjeç, ai është me veshka. Ai ska dalë i infektuar dhe e mbajnë nga 1 javë.”

Sipas saj, bashkëshorti ka nevojë për oksigjen, ndaj e mbajnë të shtruar.

“E sollën këtu për oksigjen, iu bllokua frymëmarrja. Më parë ishte te urgjenca, do ta çoj te 6-katëshesh. Nuk e di pse e mbajnë këtu. Po na luajnë mendsh. Ai vuan nga mushkëritë”, shprehet ajo.

Zonja në fjalë druhet se mbjatja e të shoqit në Infektiv në një kohë kur ky i fundit nuk është i infektuar, mund të sjellë një infektim të mundshëm nga COVID-19. Krahas kësaj, ajo tregon për gazetën “Shëndeti Plus” se nuk i kanë marrë as ilaçet, as rrobat e bashkëshortit që kur e kanë shtruar.

“Burri pret ilaçet, insulinat dhe këta akoma s’kanë dalë. Ku i kanë dhënë ilaçe ata? Unë nuk e di njëherë pse nuk ia çojnë ilaçet. Ia dërgova këtu dhe asgjë fare. Nuk dalin të sqarojnë njerëzit, të paktën të thonë që filani ka këtë arsye.

“Po u fut këtu, s’zgjidh gjë këtu”, preferoi të mbyllte shqetësimin zonja.

No comments:

Post a Comment