Tuesday, August 18, 2020

Qytetari në spitalin COVID-2: “Flas me mjeken edhe 5 herë në ditë”/ A informohen të gjithë për të afërmit e tyre?

Gazetare: Klevisa GJIKA

“Edhe 5 herë në ditë informohem, edhe në 12 të natës na japin përgjigje. Herë e komunikojmë ne, por edhe na marrin.” Ky është rrëfimi i një prej të afërmve të të infektuarve në spitalin “Shefqet Ndroqi. Në komunikimet e bëra me persona të ndryshëm pranë ambienteve të kësaj godine, komunikimi i familjarëve të të shtruarve nuk mungon.

Gjatë punës në terren, shumë persona pranuan se kontakti me bluzat e bardha nuk mungon:

“Ne duam ta dimë se e kemi me filanin dhe ta dimë nëse është mirë apo jo.

Gjendja është dobët, ka qenë edhe me zemër. I çojnë gjërat që i japim. Herë na marrin mjekët, herë i marrim. 1 herë në ditë flasim”, tregon një qytetar.

Ka nga ato që theksojnë se fillimi ka qenë shumë i vështirë.

“Ankesa ime e madhe është se për një javë rresht nuk na dhanë informacion. Pasi bëmë ndërhyrjet dhe revoltimet te dera u ndryshua situata. Tani është më  problem. Këtu te dera vjen për një orë e gjysmë”, shprehet një qytetare.

“Ne duke qenë këtu përjashta jemi në tension gjatë gjithë kohës. Informacion na i japin shkurt: i bëmë këtë, i hoqëm BiPAP-in dhe kështu…”, rrëfen për gazetën “Shëndeti Plus” një qytetare tjetër.

Për të afërmit e të saposhtruarve, situata nuk është normale. Ata nuk kanë komunikuar me të afërmit e tyre fare që pas dërgimit të tyre në Urgjencë. Një qytetare nga Shkodra, në pritje të informimit për bashkëshotin e saj, shprehet kështu:

“Dje e kena pru, e kena lënë te urgjenca, por s’na kanë dhënë informacion. Ky polici bën detyrën thotë s’na lë të hyjmë brenda, bën punën e tij, është gjë normale. S’po dimë me kë me u marrë vesh. S’ke me kë. Jena prej Shkodre, është ndrysh qyteti.”

No comments:

Post a Comment