Saturday, August 15, 2020

Sa shpenzon në muaj një familje shqiptare, ja qyteti me shpenzimet më të ulta

Burimi: INSTAT

Shpenzimet mesatare mujore të konsumit të një Njësie Ekonomike Familjare (NjEF) shqiptare në vitin 2018 janë 75.935 lekë sipas vlerësimeve të Anketës së Buxhetit të Familjes. Struktura e shpenzimeve të konsumit tregon shpërndarjen e shpenzimeve mesatare të konsumit ose “blerjet” e kryera nga një NjEF. Një NjEF në Shqipëri përbëhet mesatarisht nga 3,7 persona, ku 44 % e shpenzimeve të saj për konsum shkojnë për ushqime dhe pije joalkoolike. Vlerësimi i shpenzimeve mesatare mujore të konsumit të NjEF-së, në 2018 është 3,45 % më i lartë se në vitin 2017 dhe 9,35 % më i lartë se në vitin 2014.

Tab. 1 Shpenzimet mesatare mujore të konsumit të NjEF në vite (në LEK)

Ndryshimet në shpenzimet e konsumit ndërmjet Qarqeve

Shpenzimet mesatare mujore të konsumit sipas qarqeve kanë ndryshuar gjatë periudhës 2014-2018. Në vitin 2018,  qarku i Tiranës shfaq shpenzimet mesatare më të larta mujore të konsumit. Një NjEF në qarkun e Tiranës shpenzonte çdo muaj për konsum mesatarisht 88.691 lekë. Qarqet që tregojnë shpenzimet më të larta mesatare të konsumit pas qarkut Tiranë, janë qarqet Durrës dhe Korçë, me përkatësisht 75.744 lekë dhe 74.319 lekë mujore për NjEF. Rritja më e lartë e shpenzimeve mesatare të konsumit nga viti 2014 është regjistruar në qarkun Korçë (29 %) dhe Vlorë (24,2 %), ulja më e madhe e shpenzimeve është regjistruar në qarkun Dibër (12,7 %)

Fig. 1 Shpenzimet mesatare mujore të konsumit për NjEF sipas qarqeve në 2018 dhe 2014 (në LEK)

Struktura e shpenzimeve të konsumit e përbërë nga 12 grupe kryesore

Shpenzimet e konsumit përcaktohen në atë mënyrë që shpenzimet e bëra për disa produkte ose shërbime të të njëjtit lloj përfshihen në një grup më gjithëpërfshirës. Figura 2 përdoret për të treguar ndarjen në këto grupe dhe vendos vlerat në “%” për të treguar përmasat e tyre. Figura duket më shumë si pica sesa si grafik. Sa më e madhe të jetë “feta” që keni zgjedhur, aq më e madhe është vlera në % për atë grup të “fetës” dhe shpenzimet që kryhen po në atë grup janë më të mëdha.

Fig. 2 Shpërndarja e strukturës së shpenzimeve të konsumit të NjEF sipas 12 grupeve kryesore në përqindje

                                                                                                               Grupi “Ushqime dhe pije jo-alkoolike” është elementi më i rëndësishëm në buxhetin familjar, duke zënë vlerën prej 33.436 lekë ose 44 % të buxhetit të përgjithshëm të NjEF-ve. Kjo do të thotë se afërsisht gjysma e shpenzimeve të konsumit të NjEF-ve është për ushqim dhe pije joalkoolike.

Feta tjetër më e madhe është grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzime për energji elektrike, ujë, karburant, qira dhe riparime të vogla me një shpenzim mesatar mujor prej 7.988 lekësh, përfaqëson 10,5 % të buxhetit të NjEF-ve.

Grupi “Transport” me një shpenzim mesatar mujor prej 5.153 lekë zë 6,8 % të buxhetit të përgjithshëm.

No comments:

Post a Comment