Tuesday, August 18, 2020

Masat e reja në Sanatorium/ Kontakti vetëm te porta kryesore me sanitaret. Ja pse…

Gazetare: Klevisa GJIKA

Masat janë ashpërsuar në spitalin COVID-2. Ndryshe nga më parë, qytetarët nuk lejohen të hyjnë në oborrin e “Shefqet Ndroqit”, por mund të rrinë vetëm para portës kryesore. Në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus”, vihet re se kontakti kryesor është ai i sanitareve me qytetarët që duan të fusin rroba dhe ushqim.

Siç shihet nga imazhet e realizuara, një dritare është vënë në dispozicion për kalimin e pakove apo qeseve. Disa herë në orë, sanitaret janë aty për të marrë qeset me ndërresa të pastra dhe pasi i dërgojnë, marrin ato të palarat për t’ia dhënë të afërmve të të shtruarve.

Në çdo pako vendoset emri i pacientit, numri i katit dhe i dhomës.

Megjithatë, pritja për të marrë veshjet e përdorura konsiderohet e gjatë. Një qytetare tregon:

“Ka shumë pacientë, duhen çuar dhe marrë rrobat. Tani unë do çoj këto gjërat dhe do pres 1 orë ose dy orë sa të më sjellin gjërat e vëllait tim. Ka pasur raste edhe 3 orë sepse ka pasur shumë ngarkesë. Sa të shkojnë në katet përkatëse ka vonesa, po jo që nuk i kanë çuar. Ka pasur raste që i kanë ngatërruar, por më vonë ia kanë çuar.”

Tek porta kryesore të pranishme janë uniformat blu dhe hyrja e paautorizuar nuk aprovohet. Nuk lejohen të hyjnë automjetet private. Vetëm bluzat e bardha dhe urgjencat futen lehtësisht. Gjithsesi, kjo masë e re nuk i pëlqen shumë qytetarëve. Ka edhe raste kur individë të shqetësuar për shëndetin e të afërmve të tyre duan të hyjnë në spital, por përballen me rojet dhe forcat e policisë.

Janë të pakta rastet kur mjeku del në hyrje të godinës dhe jep informacion tek të afërmit e të infektuarve.

Tashmë, porta kryesore është kthyer në vendin ku dhjetëra persona drejtohen për të marrë informacion apo për të nxjerrë të afërmit e tyre të shëruar.

Një grua e moshuar, siç shihet edhe në foto, pret me padurim bashkëshortin e saj të dalë nga Sanatariumi. Për gazetën “Shëndeti Plus”, ajo shprehet: “Do e nxjerr sot. Shërbimi ka qenë shumë i mirë.”

No comments:

Post a Comment