Wednesday, March 17, 2021

Dr. Dashamir Gjergji: Përdorimi afatgjatë i kortizonikëve do ketë pasoja

Bisedoi: Desara Çela

Ndërsa rastet e reja me koronavirus po rriten në SHBA, një studim i ri tregon se gati 40 për qind e pacientëve që kanë vdekur nga COVID-19, vuanin nga diabeti. Sipas një studimi tjetër të agjencisë “Reuters” u identifikua një normë e lartë diabeti në mesin e atyre personave që kishin vdekur nga COVID-19 në 12 shtete dhe në kryeqytetin e vendit Uashington.

Në Shqipëri ende nuk ka një paraqitje të dhënash lidhur me sesa prej pacientëve që kanë ndërruar jetë nga Covid-19, kanë qënë me diabet ( të dhëna që me siguri do të përpunohen me vonë nga Instituti i Shëndetit Publik, apo dhe organizatat që mbulojnë atë komunitet)

Aktualisht, mjekët shqiptar bazuar në punën e tyre të përditshme po ndajnë informacione lidhur me ndikimin e covid-19 tek pacientët me diabet, duke sjellë në vëmendje si problemet që kanë ardhur nga skema e mjekimit (ndikimi që ka patur edhe vetë-trajtimi) dhe kanë ndarë këshilla për këta pacientë, numri i të cilësive në Shqipëri rritet çdo vit.

Kortizonikët janë në skëmën e trajtimit të COVID-19. Në rastet kur pacientët trajtohen në shtëpi, pa monitorimin e një mjekë specialist, nga mos-dija kanë abuzuar me përdorimin e këtyre medikamenteve. Por, mjekët endokronolog kanë ngritur një problem shqetësues, duke evidentuar faktin se përdorimi i kortizonikëve po sjell probleme tek ata persona që vuajnë nga diabeti. Në një intervistë për gazetën “Shëndet +” mjeku endokrinolog Dr. Dashamir Gjergji tregon më shumë rreth pacientëve diabetikë të prekur nga COVID-19.

Doktor, sa të rrezikuar janë pacientët me diabet nga COVID-19?

Diabeti si sëmundje nuk e shton rrezikun për t’u prekur nga COVID-19. Problem është infektimi I një diabetiku me covid-19, pasi ecuria shpesh herë është më e keqe sa tek njerëzit që nuk kanë diabet. Kjo veçanërisht për ata pacientë me diabet që kanë patur komplikacione apo janë të patrajtuar mirë.  Megjithatë, theksoj se nuk është e thënë që një person që është me diabet të jetë më i prirur për tu prekur nga virusi.

COVID-19 duke qenë një sëmundje infektive është stres infektiv. Organizmi i një personi, qofë ky diabetik ose jo, kur përballet me një stres të caktuar fizik, psiqik apo infektiv sigurisht që e përjeton negativisht, kjo reflektohet në rritje të nivelit të sheqerit në gjak, në acarim të simptomave dhe të shenjave që kanë këto diabetik.

Rritja e nivelit të sheqerit në gjak që ju përmendni, a ndodh  të gjithë pacientët me diabet?

Po! Të gjithë diabetikët të cilët preken nga ky virus kanë rritje të sheqerit. Kjo është logjike. E rëndësishme për këta pacientë është ndërgjegjësimi, që ta parandalojnë dhe të bëjnë përpjekjet maksimale për të mos u infektuar. Por, nëse ndodh të preken, këta pacientë duhet të kenë kujdesin maksimal të mjekëve gjatë gjithë ecurisë së trajtimit. Këto pacientë duhe të ndjekin disa hapa të cilat janë:

  • Të marrin barnat siç duhet
  • Të shkojnë tek mjeku
  • Të bëjnë analizat
  • Të MOS bëjnë as një veprim pa u konsultuar sepse shpesh herë i keqinterpretojnë (këtë e theksoj fort)

Çfarë problemesh po sjell përdorimi në masë i kortizonikëve?

Është problem shumë I madh, veçanërisht kur skema e trajtimit jepet nga mjekë që nuk janë kopetentë të fushës, apo më keq kur pacienti vetë-trajtohet. Jo çdo individ me COVID-19 duhet të marrë kortizon dhe kortizoni nuk jepet ditën e parë. Kortizonikët si rregull jepen duke iu referuar disa kritereve që ka pacienti gjatë ecurisë që kalon COVID-19, sidomos tek diabetikët duhet bërë shumë kujdes.

Edhe personat të cilët nuk vuajnë nga diabeti duhet të bëjnë kujdes.

Po përdorimi i kortizonëve tek fëmijët, si ndikon?

Përdorimi pa kriter, i pakëshilluar dhe jashtë protokollit është problem si për të rriturit ashtu edhe për fëmijët. Bëj thirrje si për kolegët e mi ashtu edhe për pacientët që të bëjnë kujdes në përdorimin e këtyre medikamenteve.

A ka ndikur COVID-19 në shfaqjen e diabetit tek presonat që nuk e kanë ditur që e kanë?

Po ka ndikuar. Shumica e këtyre pacientëve mund të kenë qenë me diabet por që nuk e kanë ditur që vuajnë. Ka mjaftuar ky stimul nga infeksioni apo dhe nga kortizonikët e përdorur. Në mometin që shkon për të marrë shërbimin për COVID-19 kryen ekzaminimet dhe aty rezulton me diabet, për të cilin mund të mos kesh qënë në dijeni më përpara.

Nuk mund të themi që janë raste të reja, janë raste që kanë qenë më diabet por që tani i është bërë e dukshme.

Cila moshë tashmë po i drejtohet më shumë mjekut speciaslist?

Si rregull diabeti është sëmundje e meshës së tretë. Predispozitën për të patur diabet e kanë njerëzit  mbipeshë, obezë. Fatkeqësisht po ulet pragu i moshës së njerëzve që vuajnë nga këto probleme. Nëse deri para pak kohësh thonim : Diabeti i tipit 2 shfaqej tek moshat 40 vjeç e sipër tashmë diabeti i tipit 2 ka filluar dhe tek fëmijët dhe kjo është problematike. Sepse dikur nuk ka patur kaq shumë obezitet apo mbipeshë.

 

No comments:

Post a Comment