Kur motra e Elvira Dushkut doli nga spitali pasi ishte kuruar për COVID-19 në fund të tetorit, ajo kishte ende insuficencë në frymëmarrje. Gruaja 68 vjeçare kujton se bëri e shqetësuar mbi një duzinë telefonatash “duke qarë dhe duke u lutur”, derisa siguroi me qira për 9 mijë lekë në muaj një pajisje oksigjeni.
“Ky është një biznes i shëmtuar,” tha Dushku, ndërsa shpjegoi se pajisja shitej për 900 euro. “Ne nuk i kishim ato para,” theksoi ajo.
Rasti i Elvirës nuk është i vetmi. Të dhënat e siguaruara nga BIRN nga një duzinë intervistash me familjarë dhe pacientë me COVID-19 tregojnë se ata kanë paguar deri në 1500 euro për bombula ose pajisje oksigjeni.
Në disa raste pas përdorimit, ata i janë drejtuar rrjeteve sociale për t’i shitur pajisjet, duke u bërë pjesë e një tregu infomal që ka shënuar një rritje eksponenciale gjatë vitit të fundit.
“I kisha të dy prindërit e sëmurë dhe erdha vërdallë, pastaj u shtrëngova t’i blija,” i tha BIRN në fillimit të marsit Dritan Selmani, infermier nga Saranda që po kërkonte t’i shiste aparatet në Facebook.
“Mora një dhjetë litra dhe pastaj një mik nga Italia më solli një tjetër,” shtoi ai, ndërsa shpjegoi se pajisjet e oksigjenit i kishin kushtuar rreth 1 mijë euro.
Tregëtimi i pajisjeve dhe bombulave të oksigjenit rregullohet në mënyrë strikte me ligj dhe ato nuk tregtohen zakonisht në rrjetet sociale, por kompanitë e licencuara theksojnë se dhjetëra mijëra pajisje dhe bombula të pacertifikuara qarkullojnë në tregun e zi, të cilat sipas ekspertëve nuk janë të përshtashme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
Oksigjeni cilësohet si bar mjekësor dhe përdorimi i tij duhet të bëhet me recetë dhe kujdes të mjekut dhe se çdo sasi e oksigjenit mjekësor apo paisje për këtë qëllim duhet të kontrollohet nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, AKBPM.
Doktor Krenar Lilaj, koordinator i reanimacionit për situatën nga COVID-19 në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i tha BIRN se kishte mjaft raste me pacientë që vinin të rënduar në spitale, për shkak të trajtimit jo të plotë ose jo të duhur në shtëpi me bombula ose pajisje elektrike oksigjeni.
“Oksigjeni është medikament dhe marrja në sasi të mëdha e tij apo jo në kushtet e duhura, njësoj si medikamentet e tjera ka dëmet e tij,” tha Lilaj.
Ai megjithatë pranoi se numri i specialistëve që duhej të monitoronin situatën ishte i pakët dhe kërkesa e krijuar nga pandemia e COVID-19 ishte e madhe.
AKBPM nuk iu përgjigj një kërkese për informacion nëse kishte apo jo ndonjë kontroll mbi tregun e lulëzuar rishtazi.
Pandemia rrit kërkesën për oksigjen
Që nga shpërthimi i pandemisë një vit më parë, më shumë se 117 mijë persona janë infektuar me COVID-19 në Shqipëri, nga të cilët 2045 kanë humbur jetën. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, aktualisht janë mbi 34 mijë raste aktive dhe rreth 500 pacientë të shtruar në spitale.
Rritja e kurbës së epidemisë gjatë muajve të fundit ka sjellë një rritje të kërkesës për oksigjen mjekësor.
Të dhënat që BIRN mori nga dy kompanitë e vetme të licencuara për të importuar dhe shpërndarë oksigjen mjekësor në Shqipëri, GTS dhe Messer Albgaz, tregojnë se kërkesa për oksigjen në spitalet e vendit në 2 muajt e parë të 2021 u rrit me 6.4 herë në krahasim me vitin e kaluar.
Nga 382 mijë litra të shitura prej tyre një vit më parë në spitale, sasia e konsumuar në 2021 u rrit në mbi 2.4 milionë litra oksigjen, pa llogaritur një numër spitalesh të vogla për të cilat nuk qe e mundur të merreshin të dhënat.
Të dy kompanitë pranuan se rritja e kërkesës i kishte vënë në vështirësi dhe se i gjithë rajoni ishte në krizë nga kërkesa e lartë për oksigjen.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova janë ndër vendet e rajonit që nuk kanë impiante prodhuese oksigjeni dhe varen nga importi.
Një përfaqësues i kompanisë GTS i tha BIRN se vendi kishte qenë me fat që flukset e kërkesës për oksigjen në vendet prodhuese kishin qenë në kohë të ndryshme nga ato të Shqipërisë.
Ai theksoi gjithashtu se duke qenë se furnizuesit ishin dy kompani të mëdha shumëkombëshe, kjo kishte minimizuar rrezikun dhe kishte mundësuar investime të shpejta në depozita shtesë për spitalet apo autobote shtesë transporti.
“Një orë vonesë do të thotë 260 persona të vdekur,” theksoi ai.
Bombula oksigjeni të pacertifikuara
Bombulat me oksigjen mjekësor kontrollohen nga dy institucione. Siguria e tyre teknike kontrollohet nga Inspektorati Shtetëror Teknik, ISHTI, ndërsa përmbajtja e oksigjenit dhe nëse ai përmbush kushtet për të qenë oksigjen mjekësor nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe e Paisjeve Mjekësore.
Në përgjigje të një kërkesë për informacion, ISHTI i tha BIRN se dy kompanitë që lejoheshin të tregtonin oksigjen mjekësor, veç rezervuarëve të mëdhenj kishin të regjistruara jo më shumë se 5770 bombula oksigjeni.
Inspektoriati shtoi se kishte bërë në total 30 inspektime për sigurinë e oksigjenit që prej vitit 2019 dhe shumica dërrmuese e inspektimeve, 25 të tilla, ishin në dy kompanitë e licensuara GTS dhe Messer Albgaz. Ndërsa pesë inspektime ishin bërë në subjekte që furnizoheshin prej tyre.
Përfaqësuesit e dy kompanive pretenduan se kishin standarde të larta sigurie të imponuara prej kompanive mëmë dhe se oksigjeni mjekësor, ndryshe nga ai industrial, kalonte një sërë kontrollesh pastërtie që prej prodhimit e derisa dorëzohej tek spitalet.
Por përfaqësuesi i GTS-së tha se në vend mund të kishte rreth 20 mijë bombula të paregjistruara të mbetura në biznese private që prej kohës së diktaturës dhe që mund të ishin në përdorim, pavarësisht rrezikut që kishin.
Kompanitë importuese theksuan se ata nuk jepnin bombula me oksigjen për individë. Përfaqësuesi i GTS-së deklaroi se një pjesë e mirë e bombolave që qarkullonin në familje për të sëmurë me COVID-19, dilnin më mënyrë të paligjshme prej spitaleve.
Ai iu referua një rasti nën hetim nga Prokuroria e Kavajës, e cila lidhet me arrestimin e Mensur Shtyllës – oksigjenistin e spitalit bashkiak të këtij qyteti me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, pasi dyshohet se shiste bombulat e oksigjenit të spitalit për të sëmurë me COVID-19 që trajtoheshin në shtëpi.
Sipas kërkesës së prokurorisë për masë sigurie, Shtylla u zbulua kur drejtues të spitalit bënë një inventar në magazinë dhe gjetën aty vetëm gjashtë nga 30 bombulat që duhej të kishin në gjendje.
Shtylla i ka mohuar akuzat për vjedhje. Ai ka pretenduar gjatë marrjes në pyetje se i kishte nxjerrë bombulat për të ndihmuar miqtë e tij të sëmurë me COVID-19 dhe pa shpërblim financiar.
Megjithatë, një nga ‘klientët’ e tij i tha BIRN se ndihma nuk kishte ardhur falas.
“Unë nuk jam në gjendje të them momentalisht se sa para ka paguar vëllai për të siguruar bombulat e oksigjenit,” shpjegoi Ervin Kollacaku nga fshati Synej i Kavajës, i cili i kishte siguruar bombulat e oksigjenit për babanë e sëmurë me COVID-19.
Në kërkesën e prokurorisë përmendet ndërkohë se shumë prej bombulave u kapën nga policia në oborrin e shtëpisë së Shtyllës, pasi personat ia kthyen kur mësuan se ai po hetohej – por jo të gjitha.
Eduart C. pranoi për Prokurorinë se kishte marrë 10 bombula. Ai tha se kishte babanë të sëmurë, por kur mësoi se policia e kishte ndaluar Shtyllën, i çoi në shtëpi 7 copë.
“Tre copë i kam në shtëpi, pasi kam babën me oksigjen akoma,” u tha ai prokurorëve.
Edmond Sulejmani vendosi gjithashtu ta kuronte babanë e sëmurë me COVID-19 në shtëpi, pasi nuk mundën ta shtronin në spitalin e Fierit dhe nuk donin ta dërgonin në Tiranë. Kur gjendja e pacientit u përkeqësua, familja iu drejtua një pike shitjeje gazi me pakicë për oksigjen.
“Kur u rëndua gjendja, u detyruam që të blinim oksigjen në privat,” shpjegoi Sulejmani.
Administratori dhe shitësi i kompanisë ku ai bleu bombulat e oksigjenit, Braka Sh.p.k u procedua në gjendje të lirë prokuroria, pasi dyshohet se oksigjeni që tregtonin nuk ishte oksigjen mjekësor.
Erjon Hajderaj, drejtori teknik i Messer Albagaz sh.p.k i tha BIRN se bombulat për oksigjen mjekësor ndryshonin, qoftë në përmbajtje të oksigjenit, qoftë teknikisht nga bombulat e tjera. Ai tha se shumica e këtyre bombolave shkonin për të furnizuar spitalet rajonale me të cilat ata kishin kontrata dhe që nuk kishin depozita të oksigjenit të lëngshëm.
Spekulimi me aparatet e oksigjenit
Kur Italia fqinje u godit një vit më parë nga vala e parë e infektimeve dhe spitalet në rajonin verior të Lombardisë po punonin mbi kapacitet, u bë e qartë se për të ndihmuar të sëmurët me COVID-19 – mushkëritë e të cilëve goditeshin rëndë nga virusi, duhej oksigjen.
Bota u përfshi në një garë të ethshme për të siguruar aparate respirimi artificial. Megjithëse e pati fluksin e të sëmurëve muaj më vonë – në vjeshtë 2020, Shqipëria duket se nuk ishte gati.
Bled Xaxa, farmacist në Durrës, i tha BIRN se kur kërkesat për aparate oksigjeni filluan, ishte e vështirë që ato të gjendeshin, ndërsa theksoi se kërkesa për këto aparate arriti kulmin në shkurt të këtij viti.
“Tani mendoj se është piku, nuk ka qenë asnjëherë në këtë stad që jemi këto javë,” tha ai.
Klara Zeqo me profesion infermiere i tregoi BIRN se familja e saj kishte paguar 1500 euro për aparatin që prodhon oksigjen. Zeqo tha se çmimi ishte gati i papërballueshëm, por familja e kishte konsideruar një sakrificë për shëndetin dhe për jetën.
“Kur personi bëhet mirë, nuk llogarit asgjë,” theksoi ajo.
Shumë persona panë në këtë filozofi një mundësi përfitimi. Në rrjete sociale dhe faqe shit-blerjesh online mbinë njoftimet për aparate oksigjeni. Një pjesë janë aparate të përdorura dhe rishiten nga familjarër e pacientëve me COVID-19, ndërsa të tjerë janë aparate që u importuan në muajt e fundit.
Nezir Ferhati nga Kukësi thotë se kështu e ka filluar biznesin. Ai bleu në Kosovë një pajisje që i duhej “për hall të vetin”, por kur pa kërkesën e lartë, vendosi të sillte të tjera.
Çmimi sipas tij varion sipas sasisë së oksigjenit dhe vendit të origjinës, nga 400-700 euro për pajisje që vijnë nga Kina, deri në 1300 USD për pajisje që vijnë nga Kanadaja. Por përtej çmimeve të kripura, kërkesa ka qenë e madhe.
“Më ka hap djali një faqe në Instagram dhe shkruajnë njerëzit, por nuk u përgjigjem dot të gjithëve,” tha Ferhati në një intervistë nëpërmjet telefonit.
Zhaneta Çoniku i tha BIRN se ishte në kërkim të një aparati, pasi kishte frikë se nuk do ta gjente dot në momentin që do t’i duhej. Çoniku tha se kishte bashkëshortin me probleme të veshkave dhe se donte të ishte gati.
“Afërsisht po bëj dy javë që kërkoj, të paktën sa kam kërkuar unë,” tha ajo, ndërsa tregoi se ende nuk e kishte gjetur dhe se i thoshin se nuk ka në gjendje.
Specialistë të fushës thonë se aparatet që po tregtohen nuk janë të përshtatshme dhe se shumë pacientë po neglizhojnë kurimin e duhur, duke i varur shpresat tek to.
Përfaqësuesi i GTS në Shqipëri i tha BIRN se kompania e tij zotëronte aparate të tilla, por ato përdoreshin kryesisht për të sëmurë që kishin probleme kronike të mushkërisë dhe nuk mjaftonin për të sëmurët me COVID-19.
Ai po ashtu vuri në dyshim cilësinë e oksigjenit që prodhonin pajisjet që po importoheshin. Sipas tij në vend ishin futur mbi 10 mijë aparate të importuara nga Kina. Edhe pse importoheshin me një çmim 70 euro copa, ato shiteshin disafish më shtrenjtë.
“Oksigjeni mjekësor është 99.5% oksigjen,” tha ai, ndërsa theksoi se oksigjeni që prodhojnë disa nga këto aparate kineze shkon në 88 për qind.
“Atë sasi oksigjeni mund të shkosh ta marrësh në Dajt,” shtoi ai.
Oksigjen Albania- një tjetër kompani që tregton ndër të tjera dhe prodhues oksigjeni me energji elektrike, i tha BIRN se aparaturat që ata shisnin nuk ishin të përshtatshme për të sëmurët me COVID-19.
“Të sëmurët me COVID kanë nevojë për sasi më të mëdha,” shpjegoi Ervini, një nga përfaqësuesit e Oksigjen Albania i pyetur nga BIRN.
Megjithatë, jo çdo vlerësim vjen bardh e zi. Mjeku reanimator, Krenar Lilaj i tha BIRN se edhe pse nuk mund të fliste specifikisht për aparaturat që tregtoheshin, kishte raste që ato kishin funksionuar dhe i kishin ndihmuar të sëmurët.
Megjithatë, Lilaj vuri në dukje se pacientët duhej të ndiqeshin nga mjekët në çdo rast dhe këta të fundit duhej të kontrollonin saturimin e oksigjenit në gjak. Ai shpjegoi se mjeku do të përcaktonte se kur i sëmuri kishte nevojë për sasi më të mëdha dhe kur duhej dërguar në spital.
“Unë e theksoj që duhet të ndiqen nga mjekë specialistë,” përfundoi Lilaj.
Burimi: Birn Albania
No comments:
Post a Comment