Si femra ashtu edhe mashkulli nuk janë imunë ndaj infertilitetit, por duket se mosha është një faktor kryesor, qe prek ne kohë të ndryshme për të dyja gjintë. Në moshë të re, problemet më serioze nga infertiliteti konstatohen tek mashkulli. Në një intervistë për gazetën “shëndeti online” mjeku obsetër gjinekolog Dr. Blerti Cami shpjegon shkaqet e kësaj sëmundje dhe format e trajtimit.
“Një pjesë e meshkujve kanë probleme si pasojë e ndonjë infeksioni, si parotitet ose si njihen ndryshe shytat, të cilat janë ndër infeksionet më të shpeshta që sjellin probleme me spermogramën. Meshkujt vuajnë edhe nga probleme të lindura, ku ajo që haset më shpesh janë problemet e lidhura me mbylljen e tubave të spermatozoidëve. Më rrallë mund të hasen edhe shkaqe gjenetike, të cilat ndikojnë në realizimin e një procesi të pamjaftueshëm të të prodhuarit të spermës deri në mosprodhimin komplet të saj”, – thotë mjeku Dr. Blerti Cami
Duhani, alkooli por dhe ndotja mjedisore janë faktorë të cilat ndikojnë në përkeqësimin e spermatogjenezës. E ndërsa për mashkullin problemet janë më së shumti të lidhura me shëndetin femrat kanë orën e tyre biologjike që ndikojnë në rritjen e masës së infertilitetit. Mjekët thonë se, problemet më të shpeshta hasen tek femrat në moshën mbi 35- vjeç.
“Një femër kur lind mbart brenda trupit të saj 2-3 milion vezë, në pubertet 500 mijë vezë dhe në menopauzë nuk i ka mbetur as edhe një vezë. Femra është krijuar që gjenetikisht të harxhojë çdo muaj nga rreth 60-70 vezë, çka do të thotë që, me kalimin e moshës do kenë më pak vezë, për t’u fekonduar. Me kalimin e viteve bie edhe cilësia e vezëve qoftë kjo gjenetike ose kjo e lidhur me aftësinë energjitike të kësaj qelize për të dhënë një jetë”, – shpjegon mjeku Cami.
Fertilitetin tek femrat e shkaktojne edhe gjendja e saj hormonale si: ovari polikistik, i cili është një nga shkaqet më të shpeshta që ndikon, problemet me tubat e mitrës, të cilat mund të mbyllen nga infeksionet e ndryshme ose probleme që kanë të bëjnë me mitrën, si mishi i huaj ose ndryshe fibromioma.
Mjektët thonë se 1 vit është kohë e mjaftueshmë që çifti që kërkon të sjellë në jetë një fëmijë të kuptojë nëse është prekur nga infertiliteti ose jo.
“Mundësia për të patur një shtatzani që muajin e parë që çifti ka vendosur të sjellë në jetë një fëmijë, është në 15% të rasteve. Nëse çifti kryen marrëdhënie të rregullta përgjatë një viti, 80% e tyre ia kanë dalë t’i gëzohen një shtatzënie, 20% e cifteve mund ti gëzohen ngjizjes së fëmijës në vitin e dytë” – shprehet mjeku dr.Blerti Cami
Por në rast se të gjitha tentativat kanë dështuar për të pasur një ngjizje natyrale të një fëmijë, atëherë mjekët rekomandojnë zgjidhje të tjera.
Fertizilimi in vitro, një mundësi që nuk ofrohet në shtet
Fekondimi in vitro gjithnjë e më shumë po shikohet si mundësi për sjellë në jetë një fëmijë. “Fekondimi konsiderohet si një alternativë e cila ngel vetëm kur janë ezauruar të gjitha hapat diagnostik, hapat e pritjes, menaxhimi , nëse të gjitha këto hapa janë realizuar dhe nuk ngelet mundësi tjetër, ky çift i drejtohet procedurës In-Vitro.”-shprehet mjeku Blerti Cami
Suksesi I fekondimit në një çift normal shkon deri ne 80%. Tek një femër që është tek të 40-tat edhe nëse nuk ka asnjë problem tjetër suksesi shkon 20 % dhe jo më shumë se kaq.
“Kjo procedurë në vetvete kërkon 12 ditë kohë, aq është koha e vezës që ta stimulosh, rritet dhe të bëhet gati për tu marrë dhe për tu përdorur në laburator me qëllim që të krijosh embrionin”- shpjegon mjeku.
E ndërsa ekspertët janë optimist për përdorimin e invitros e cila në pjesën më të madhe shënon hisotri suksesi për çiftet e reja, duket se ky proces ka një kosto që varion nga 2500-3000 Euro. Ndëryrje dhe trajtim që merret përsipër vetëm në kliniat private dhe jo në spitalet shtetërore.
“Në vitin 2012 një projekt i nënshkruar nga qeveria shqiptare dhe Bashkimi Evropian kishte si objektiv realizimin e fekondimit in vitro në strukturat shtetërore brenda vitit 2013. Projekti, me vlerë prej 25.000.000 lekësh (të rinj) u publikua në tetorin e vitit 2012 dhe rezultatet e para, sipas deklaratave të muajit tetor, do të ishin nga 9-12 muaj më pas. Asokohohe u bë me dije se përmes projektit u dërguan dy persona për kualifikim në Itali, një për fekondimin artificial dhe një për laboratorin, pra, një embriolog. U deklarua se nga ky projekt do të përfitonin falas metodën e riprodhimit të asistuar të gjithë ata qytetarë që paguanin sigurimet shëndetësore, ndërkohë që do të përcaktoheshin kriteret dhe procedurat e përfituesve nga i gjithë vendi në bazë të prioriteteve që do të vendoste institucioni shëndetësor dhe stafi i ekspertëve.”
Edhe pse kanë kaluar 9 vite nga nëshkrimi i projektit kjo procedurë ende është e pamundur për tu kryer në spitalet shetërore, duke bërë që shumë çifte ti drejtohen klinikave private.
Histori personale: Sa na kushtoi sjellja në jetë e një fëmijë përmes FIV
Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Online” një zonjë e cila e ka kryer këtë procedurë tregon më shumë rreth saj.
Kur jeni diagnostikuar me sëmundjen e infertilitetit?
Në moshën 18 vjecare diagnostikohem me sëmundjen e infertilitetit. Që nga ia moment më është përplasur në fytyrë damka që ti nuk do bëhesh kurrë nënë, dhe më ka shoqëruar për shumë kohë.
Sa e vështirë ka qenë kjo periudhë për ty?
Duke jetuar në një shoqëri shumë të frustruar nuk ka qenë e lehtë , mbi të gjitha kjo sëmundje nuk kalon por të shoqëron ty për të gjithë jetën dhe trauma mbetet aty edhe pse kalojnë vite, unë sot jam 30 vjeçe. Presioni nga shoqëria është shumë i madh, qoftë kjo me dashje ose pa dashje, sepse gishti drejtohet drejt teje duke të bërë ty fajtore për sëmundjen që ti ke.
A ishte bashkëshorti juaj një mbështetje për ty?
Bashkëshorti im duke e ditur problemin që unë kam vendosi të martohej me mua.
Ai ka qenë forca ime që unë munda tja dal, në as një moment ai nuk e ka drejtuar gishtin drejt meje duke më quajtur fajtore pse nuk mund të kishim një fëmijë por, jo aq mbështetëse ishte familja e tij karshi meje. Në çdo urim ishte: Urojmë që me një bebe. Vjen një moment ku ti nuk do të festosh as një lloj feste vetëm nga urimi që të bëjnë, duke e ditur që ti nuk mund ta kesh është diçka shumë e dhimbshme. Aq sa shpesh herë përdorej si “armë” ndaj meje meqë djali i tyre ishte i shëndetshëm dhe pa probleme duke e drejtuar gishtin tek unë, meqënëse unë isha “fajtorja”.
Kur vendosët për ta kryer procedurën IN-VITRO?
Dëshira për të bërë një fëmijë ishte shunë e madhe, filluam duke parë mundësinë e infertilizimit IN-VITRO. Gjatë gjithë kësaj periudhe nga momenti që u diagnostikova me infertilitet merrja mjekime. U konsultuam me një mjek gjinekolog dhe pasi pa analizat tona më tha që po është e mundur për ta kryer këtë procedurë dhe po mundesh të sjellësh në jetë një fëmijë.
Ai ka qenë momenti më i lumtur i jetës sime dhe fitorja jonë.
Sa ka kushtuar e gjithë procedura?
I gjithë trajtimi ka kushtuar 5 milion lekë të vjetra. Por që unë tashmë nuk i mendoj ato para të hedhura për të mbetur shtatzanë. Duke marrë parasysh të ardhurat tonë është goxha shifër e lartë. Për mua fat i madh ishte që kam kryer vetëm një procedurë dhe pata sukses me të parën. Por ka raste kur proceduara e parë dështon dhe ty të duhet t’ja nisësh nga e para të gjithë gjënë, është një ngarkesë shumë e madhe psikologjike dhe monetare, sepse nëse e fillon nga e para ti duhet të paguash përsëri . Që ta përballosh të gjithë presionin dhe procedurën duhet të jesh shumë e fortë dhe të mos heqësh dorë nga dëshira për të patur një fëmijë, gjithashtu të duhet edhe një mbështetje nga partneri. Edhe pse ishim në pandemi në as një moment nuk e mendova që ta shtyja për një periudhë tjetër.
Unë sot jam bërë nënë e një vajze e cila gëzon shëndet të plotë, vetëm nga fakti që kurrë nuk hoqa dorë për të patur një fëmijë timiN. Unë besova fort tek Zoti dhe mora mbështetjen e të gjithë atyre që nuk ma lëshuan dorën për as një minut.
No comments:
Post a Comment