Friday, March 5, 2021

Dr. Sonila Boriçi: Shtohet numri i fëmijëve me asëm, si ndikon Covid-19 në shëndetin e tyre

Bisedoi: Desara Çela

Virozat e stinëve  nuk prekin  vetëm të rriturit por edhe fëmijët.  Bronkoliti akut dhe bronkopneumonia janë infeksionet më të shpeshta që prekin fëmijët e moshës 0-1 vjeç dhe fëmijët e moshës parashkollor (4-6 vjeç). Një ndër patologjitë e shpeshta është dhe astma bronkiale. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Online” mjekja  pediatre pneumologe Dr. Sonila Boriçi tregon më shumë rreth këtyre patologjive.

Doktoresha, cilat janë patologjitë më të shpeshta që prekin fëmijët nëse këtë periudhë të vitit?

Në pavijonin tonë shikojmë fëmijë me patologji të tipit:
-Bronkolitit akut
-Bronkopneumonia
-Astma bronkiale, kjo është një diagnozë shumë e shpeshtë ku prindërit sjellin fëmijët e tyre tek ne për konsulta.

Kryesisht janë infeksione virale por nuk përjashtohen edhe infeksionet bakteriale (bronkopneumonitë bakteriale)
Këto janë diagnozat më të shpeshta.
Veç këtyre diagnozave që janë më të shpeshta dhe kryesore , hasim shpesh komplikacionet e këtyre infeksioneve, qofshin këto infeksione virale ose bakteriale.

Cila është mosha më e prekur për patologjitë që përmendët?
Mosha më e prekur sa i përket bronkoliteve dhe bronkopneumonive janë kryesisht fëmijët e moshës 0-1 vjeç dhe fëmijët e moshës parashkollore 4-6 vjeç. Më pak janë ato të moshës shkollore mbi 6 vjeç. Shkaqet janë, që grupmosha 0-1 vjeç, janë të pa ekspozuar ndaj viruseve, takohen për herë të parë me këto viroza. Veçse imunitetit i cili nuk është i maturuar plotësisht. Ndërsa tek fëmijët e moshës e parashkollorit ndikon jeta kolektive që këta fëmijë bëjnë. Intensiteti i marrëdhënieve, jeta kolektive në kopësht me shumë fëmijë, bën që të shkëmbejnë viruse midis tyre.

A janë të trashëguara këto patologji?

Bronkolitet dhe bronkopneumonitë janë sëmundje infektive, të cilat vijnë si pasojë e viruseve që qarkullojnë në varësi të sezonalitetit dhe llojit të viruseve. Janë sëmundje akute ku secili nga ne e kalon, por jo tek të gjithë manifestohet në të njëjtën mënyrë, nuk janë të trashëgueshme. Individët të cilët janë më të predispozuar gjenetikisht për tu kapur më shpesh nga këto viruse dhe për të bërë fenomene të përsëritura, duhen parë mirë për të përjashtuar një prezencë të një deficiti imunitar, ose një problem alergjik i cili mund të favorizojë që këto fëmijë të sëmuren më shpesh dhe sëmundja zgjat më shumë. Shumë prindër na thonë që fëmijën tim e zë gripi shumë shpesh. Në fakt gripi 1 herë në vit të zë dhe ato që janë, janë viruse të tjera të cilat qarkullojnë . Fakti që çdo virozë kalon me fenomene pulmonare është një tregues që ky fëmijë ka nevojë për një vizitë më të thelluar, për të kuptuar përse ky fëmijë është kaq i ndjeshëm ndaj këtyre viruseve dhe pse çdo virozë kalon pa tjetër në traktin respirator. Ky është një rast i cili duhet të eksplorohet në mënyrë të detajuar, pasi mund të ketë një problem alergjik, problemet e imunitetit të cilat duhen vlerësuar në mënyrë të detajuar nga mjeku specialist dhe pastaj duhet gjykuar për mjekim profilaktike ose mbrojtëse afatgjata.

Astma është një sëmundje gjenetike, pa diskutim e trashëguar ku ka bazë gjenetike. Ndikojnë edhe faktorët ambiential.

Tek faktorët ambiental mund të jenë:

  • Ndryshimi i temperaturës
  • Ndryshim presioni
  • Ndryshimi i stinëve
  • Prezenca e poleneve
  • Prezenca e tymrave, smogu
  • Prezenca e tymit të duhanit, oxhakut, ose e sobave me dru që përdorin në shtëpi

Kemi edhe faktorë të tjerë të stimulit fizik

  • Sforcimi që fëmija bën
  • Një kollë
  • Një vrapim
  • Një e qarë me të madhe ose një e qeshur e madhe .

Astmat janë disa llojesh:

  • Astmat alergjike (ose në gjuhë popullore astmat e brendshme)
  • Astmat virale

Astmat alergjike kanë predispozitë që të mbesin tek fëmijët edhe pas moshës 6 vjeç. Tek fëmijët e parashkollorit janë kryesisht astmat virale të cilat kanë si shkaktarë kryesor viruset, të cilat provokojnë dhe krizat e astmës.

Në këto individë në të cilët nuk gjejmë shkaqe ose fenomene te atopisë dhe të alergjisë kanë predispozitë që të kalojnë me rritjen e fëmijës por, deri sa të vijë ai moment këto pacientë kanë nevojë për mjekim të specializuar dhe për mbrojtje të kualifikuar të të mushkërisë.

A kemi shtim të rasteve të fëmijëve me astmë apo reduktim të tyre?

Kemi një shtim të këtyre fëmijëve dhe jo një reduktim të tyre. Astma vitet e fundit ose problemet alergjike Europa po i konsideron si “epidemi”, për shkak të shtimit të numrit të fëmijëve me këtë sëmundje dhe i prindërve me probleme alergjike. Kjo i dedikohet :

  • Ndryshimit të mënyrës së jetesës
  • Prezencës së smogut
  • Mënyrës së të ushqyerit
  • Marrjes së antibiotikëve

Covid 19 si po ndikon tek këto pacientë?

Fëmijët janë akoma më pak të prekshëm nga COVID-19, akoma nuk janë gjetur arsyet pse. Praktikisht për të gjitha viruset e tjera fëmijët janë të parët që preken. Ajo që në kemi vënë re në shërbim dhe në punën tonë të përditshme është pakësimi i rasteve të fëmijëve të sëmurë nga infeksionet e tjera virale. Mendoj se karantinimi dhe ndërprerja e qëndrimit në komunitet, komunikimit midis të rriturve dhe fëmijëve ka qenë më i pakët. Gjithashtu, fëmijët janë ekspozuar më pak qoftë në qendra tregtare ose tek parku i lodrave, duke bërë që të ndërpritet transmetueshmëria e viruseve.

Nëse themi  që problemet respiratore janë problemet kryesore për të cilën fëmijët janë paraqitur tek mjeku gjatë stinës së vjeshtës dhe të dimrit , ajo që po ndodh aktualisht sidomos me fëmijët me probleme alergjike, është se kemi një paraqitje akoma më të vogël të këtyre rasteve.

E para, sepse prindërit duke qenë të frikësuar i kanë izoluar fëmijët e tyre. Kemi shumë prindër të cilët na kanë kërkuar fletë raporti për të mos e dërguar fëmijën në shkollë dhe ta zhvillojë mësimin on line nga meraku që kanë..

E dyta ,nëse vitet e tjera mjekimin profilaktik që mjeku u këshillonte edhe mund ta ndërprisnin, këtë vit nga frika e virusit kanë qenë shumë më të rregullt në marrjen e tyre, duke dhënë dhe ndikimin e tyre ndaj virusit.

E treta dhe më e rëndësishmja është se studimet e fundit kanë treguar që fëmijët të cilët kanë me të vërtetë probleme alergjike janë më pak të predispozuar që të infektohen nga COVID-19. Edhe nëse infektohen nga COVID-19 kanë simptoma të lehta. Gjithsesi duhet bërë kujdes.

A ka aktualisht fëmijë të shtruar në këtë pavijon ?

Po kemi fëmijë të shtruar. Normalisht numri i shtrimeve ka rënë shumë në pediatri. Numri ndryshon nga dita në ditë. Shtrohen vetëm fëmijët që kanë probleme serioze dhe që nuk mund ta marrin shërbimin në shtëpi. Mund të them që vitet e tjera këtu janë tejkaluar kapacitete, kemi patur nevoja për shtrime më shumë se sa ishte kapaciteti i shtretërve.

 

 

No comments:

Post a Comment