Wednesday, March 3, 2021

Gratë, Pandemia dhe Drejtësia Sociale: Bashkohuni fushatës #MeGratë #PërGratë

Gratë, Pandemia dhe Drejtësia Sociale
 
Këtë vit me 8 mars, ju bëjmë thirrje për t’ju bashkuar fushatës #MeGratë #PërGratë!
 
Kjo fushatë po organizohet nga një kolektiv që sjell bashkë aktiviste të pavarura dhe përfaqësuese të shoqërisë civile të cilat punojnë për çështjet e pabarazive ndaj grave. Tashmë është thyer modeli i rrejshëm i 8 marsit si një ditë feste për gratë, ndërkohë që ditët e tjera nuk ofrojnë veç diskriminim dhe shtypje. Në këtë datë ne kujtojmë përpjekjet dhe sakrificat e grave për të drejta dhe përpiqemi të rikthejmë jehonën fillestare të 8 marsit: ditë ku gratë në të gjithë botën ngrihen njëzëri kundër dhunës patriarkale dhe padrejtësive ndaj tyre.
 
Këtë 8 mars, kemi zgjedhur të sjellim vëmendjen tek barra e rëndë që po mbajnë gratë dhe vajzat për shkak të pandemisë së Covid-19. Gjatë pandemisë gratë e gjetën veten përballë një situate të vështirë që thelloi më tej pabarazitë në role lidhur me ndarjen e punëve shtëpiake, lirinë e lëvizjes, pjesëmarrjen në vendimmarrje, qasje më të ulët në burime, dhunë fizike dhe seksuale të shtuar në mjediset familjare, paaftësinë e qeverisë për të ofruar shëndetësi falas dhe mbështetje ekonomike për gratë, sidomos ato në kushte më vulnerabël. Më shumë gra humbën vendin e punës, mundësinë për të ndjekur shkollat, për t’u larguar nga dhunuesit e tyre, ndërkohë që u disafishua ngarkesa e punëve shtëpiake dhe përkujdesja ndaj fëmijëve dhe të sëmurëve.
 
Këtë 8 mars, duam të ritheksojmë nevojën për t’i shkundur nga themelet rolet e ndryshkura gjinore. U bëjmë thirrje burrave dhe djemve, me mendje të hapur të shohin rreth vetes privilegjet prej të cilave përfitojnë. Këtë 8 mars, bashkojmë zërin për t’i dhënë fund shtypjes së vajzave dhe grave brenda dhe jashtë hapësirave private të shtëpisë!
 
Individualisht, ne të gjithë jemi përgjegjës për mendimet dhe veprimet tona. Le t’i manifesojmë ato, duke refuzuar paragjykimin dhe pabarazinë gjinore, patriarkatin, kapitalizmin dhe çdo strukturë tjetër shtypëse! Të ndërgjegjshme dhe të ndërgjegjshëm për të festuar arritjet e grave, kolektivisht, të gjithë dhe të gjitha le të kontribuojmë në krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse.
 
“Historia e luftës së grave për barazi nuk i përket asnjë feministeje të vetme, as ndonjë organizate tjetër, por përpjekjeve kolektive të të gjithë atyre që kujdesen për të drejtat e njeriut”- Gloria Steinem
 

No comments:

Post a Comment