Prof. Dr. Anila Babameto-Laku
Shefe e Shërbimit të Laboratorit të Gjenetikës, PAI Pediatrik, QSUNT
“Sëmundjet e rralla janë të rralla, por pacientët me sëmundje të rralla janë të shumtë”
është moto e Orphanet, portali i references për informacionin mbi sëmundjet e rralla dhe
medikamentet për këto sëmundje.
Sëmundjet e rralla janë individualisht të rralla, por ato janë aq të shumta sa që incidenca e përgjithshme e tyre është e lartë.
Në Europë një sëmundje quhet e rrallë kur prek 1 në 2000 persona, por përkufizimi ndryshon në vende të ndryshme. Shumë sëmundje quhen “të rralla” thjesht sepse ato janë jo të zakonshme.
Sot njihen rreth 7000 sëmundje të rralla, të cilave i shtohen rreth 300 tumore të rralla, por të tjera
vazhdojnë të përshkruhen në literaturën mjekësore. Në Europë janë të prekur mbi 30 milion, ndërsa
në botë mbi 350 milion persona.
Rreth 80% e sëmundjeve të rralla kanë origjinë gjenetike, pjesa tjetër kanë si shkak infeksione, alergji dhe shkaqe ambientale. Sëmundjet e rralla me origjinë gjenetike janë kryesisht si rezultat i mutacioneve gjenike në qelizat e njeriut, por njihen dhe mbi 100 sindrome për shkak të ndryshimeve kromozomike. Referuar OMIM (katalogu botëror i sëmundjeve dhe gjeneve humane) e Orphanet 99% e sëmundjeve gjenike dhe kromozomike konsiderohen sëmundje gjenetike të rralla.
Sëmundjet e rralla shpesh jane kronike dhe progresive. Karakterizohen nga një heterogjenitet i madh i shenjave dhe simptomave që variojnë jo vetëm nga njëra sëmundje në tjetrën, por dhe ndërmjet pacienteve të prekur nga e njëjta sëmundje. 50%-70% e tyre shfaqen në lindje ose në fëmijërine e hershme, si atrofia muskulare spinale, osteogeneza imperfekte, kondrodisplazitë, sindromi Rett ose në moshën e adultit, si sëmundja Huntington, Charcot-Marie-Tooth, skleroza amiotrofike laterale, etj.
Sot, si rezultat i aplikimit të teknikave të reja gjenomike ka mundësi që në 60% të rasteve të arrihet një diagnozë e shpejtë që klinikisht nuk mund të arrihet. Teknikat e reja gjenomike kanë rritur mundësinë e vënies së diagnozës dhe gjetjes së terapive të reja (fibroza kistike, talasemia, atrofia muskulare spinale).
Kjo në sajë të “revolucionit gjenetik” në 20 vitet e fundit, përdorimit të teknikave të sekuencimit, “Next Generation Sequencing” (NGS).
Vetëm 2% e gjenomës së një individi përmban sekuenca që kodojnë proteinat (ekzonet) dhe Whole Exome Sequencing (WES) është procedura e sekuencimit të këtyre zonave të kodimit të ADN-së për të kërkuar mutacionet gjenike.WES është më efikase kur merren për krahasim dhe kampionet e ADN-së nga anëtarët e familjes (kampione nga një fëmijë dhe të dy prindërit biologjikë). Ky ekzaminim quhet analiza e tri ekzomës.
Megjithatë diagnoza gjenetike nuk garantohet në të gjitha rastet me WES. Kufizimet përfshijnë sëmundje që shkaktohen nga mutacione të cilat nuk ndodhin në zonat koduese, sëmundje që shkaktohen nga mikrodelecione ose mikrodyfishime kromozomike të cilat identifikohen me metodën Array CGH (hibridizimi gjenomik i krahasuar mbi array), apo nga gjene që nuk janë të dokumentuara në literaturë ose gjurma gjenomike.
Duke pasur parasysh se individët ndryshojnë nga njeri tjetri në 4-5 milion baza të ADN-së dhe miliona variacione postzigotike karakterizojnë secilin prej nesh, mund të themi që cdo person është unik dhe secili prej nesh është “një i sëmurë i rrallë”. Variacionet në ADN-në e individëve janë të zakonshme dhe laboratorët përballen me sfidën e filtrimit se cilat variacione janë të parëndësishme (jopatogjene), dhe cilat të rëndësishme (patogjene), që cojnë në vendosjen e diagnozës.
Pacientët me sëmundje të rrallë dhe familja përfitojnë nga diagnoza gjenetike. Diagnoza gjenetike mund të mos shoqërohet drejtpërdrejt me ndonjë mundësi trajtimi, por trajtimi bëhet në mënyrë më të informuar, bazuar në prognozën e mundshme të rastit. Aktualisht vetëm 5% e sëmundjeve të rralla kanë mjekim me medikamente specifike, por 70% ka trajtim me efikasitet të ndryshëm, si mjekimet tradicionale, interventet kirurgjikale, terapitë qelizore, reabilitimi.
Gjithashtu diagnoza gjenetike sjell dobi përtej menaxhimit të trajtimit pasi ofron informacione për familjet. Një rrugë e zgjatur për diagnostikimin e sëmundjeve të rralla paraqet një barrë të jashtëzakonshme dhe shqetësime psikologjike për pacientët dhe familjen e tyre. Shumë prej tyre kërkojnë informacion që merret në këshillimin gjenetik të kryer nga mjeku gjenetist.
Shërbimi Universitar i Laboratorit të Gjenetikës funksionon si shërbim mjekësor pranë QSUNT dhe si njësi didaktike në nivel universitar e pasuniversitar pranë Fakultetit të Mjekësisë në tre sektorë: Konsultorja gjenetike, Laboratori i Citogjenetikës dhe Laboratori i Biologjisë molekulare.
Konsultorja gjenetike është e vetmja strukturë në vendin tonë ku kryhet konsulta për vendosjen e diagnozës gjenetike dhe këshillim gjenetik profesional për sëmundjet gjenetike:
→ gjenike,
→ kromozomike
→ shumëfaktoreshe
në moshën e të porsalindurit, pediatrike dhe moshën e adultit.
- Diagnoza gjenetike përcaktohet në bazë të anamnezës klinike, vizitës mjekësore, manifestimeve klinike, konsultave me specialistë të sektorëve të ndryshëm, ekzaminimeve imazherike, biokimike, etj. dhe kryerjes së testeve gjenetike të indikuara sipas rastit. Konsultorja gjenetike ofron një shërbim të kualifikuar të konsultës gjenetike:
para konceptimit
para lindjes
pas lindjes (gjenetika pediatrike dhe në moshën e të rriturit)
përpara dhe pas kryerjes së testeve gjenetike.
- Në këshillimin gjenetik, të sëmurët ose të afërmit e tyre me mundësi për të patur pasardhës me sëmundje gjenetike, informohen lidhur me diagnozën gjenetike, klinikën, mënyrën e tejçimit, rrezikun për ta shfaqur ose tejçuar si dhe mundësitë e trajtimit dhe parandalimit.
Ne laboratorin e Citogjenetikës, i vetmi i llojit të tij në vendin tonë, kryhen ekzaminime citogjenetike si procedurë rutinë për të diagnostikuar anomalitë kromozomike numerike (Trizomi 21, 13, 18, Sindromi Turner, Klinefelter), anomalitë kromozomike strukturore, ambiguitetet seksuale, sëmundjet e paqëndrueshmërisë kromozomike, anomalitë kromozomike në hemopatite malinje si dhe në rastet e aborteve të përsëritura e infertilitetit.
- Në këtë laborator janë kryer për herë të parë në Shqipëri studimet për format citogjenetike të Trizomise 21, të anomalive të kromozomeve seksuale, ndryshimet citogjenetike në Aneminë Fanconi e sindromën Bloom si dhe janë identifikuar anomali kromozomike të rralla si delecioni 7q21-q22.2, kromozomi 18 unazor, trizomia 8 (forma mozaike), etj.
- Në pjesën më të madhe të sëmundjeve gjenomike, defekti gjenetik nuk përcaktohet me ekzaminimin kromozomik. Kolegji Amerikan i Gjenetikës Mjekësore (ACMG, 2010), rekomandon metodën Array CGH si test diagnostik i linjës së parë për diagnozën gjenetike në pacientët e moshës pediatrike me prapambetje të zhvillimit/prapambetje mendore, çrregullime të spektrit autik, anomali kongenitale multiple.
Nga viti 2012, në bashkëpunim me laboratorë të specializuar jashtë vendit për kryerjen e ekzaminimit Array CGH, janë diagnostikuar sëmundje gjenomike te rralla nga mikrodelecionet si sindromi DiGeorge/Velocardiofacial, Prader–Willi/Angelman, Williams, Opitz GBBB, tipi I, etj.
Në laboratoret e Biologjisë molekulare analizat e gjenetikës molekulare për diagnozën e sëmundjeve gjenike janë të shumta dhe varen nga tipi i mutacionit që kërkohet dhe numri i gjeneve që mund të shkaktojnë sëmundjen.
- Në 10 vitet e fundit, në bashkepunim me laboratorë të specializuar jashtë vendit nëpërmjet analizës molekulare të ADN-së (përfshirë dhe ‘Whole Exome Sequencing’) janë diagnostikuar sëmundje të rralla njëgjenike si Hialinoza infantile sistemike, Mukopolisaharidoza tip VI, Distrofi neuroaksonale infantile, Amauroza kongenitale Leber, Sindromi Saethre-Chotzen, Sindromi Waardenburg tipi IV, Pseudoakondroplazia, etj.
- Duke u bazuar në disa punime të mëparshme dhe nga studimet tona janë identifikuar 13 mutacione përgjegjëse të β-talasemisë në popullatën shqiptare, nga të cilat mutacionet IVS I-110, kodon 39, IVS I-6, IVS I-1, kodon 44 përbëjne 92% të aleleve të β-talasemisë.
Të gjitha rastet dhe studimet janë të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare dhe paraqitur në konferencat europiane të gjenetikës humane dhe sëmundjeve të rralla. Sot shërbimi ka mbi 130 publikime shkencore dhe cdo vit publikohen tre-kater artikuj shkencore dhe referime shkencore, duke renditur të dhënat shqiptare krahas atyre ndërkombëtare dhe duke kontribuar në database-t e të dhënave klinike dhe gjenetike molekulare të sëmundjeve të rralla.
Një numër i konsiderueshëm i këtyre artikujve janë të pasqyruar në PubMed, ndërsa publikimi “Homozygous Alpha-Sarcoglycan Mutation in Two Albanian Siblings with Muscular Dystrophy” ështe cituar në OMIM (OMIM #608099 – Muscular dystrophy, limb-girdle, type2D; LGMD2D).
Nga analiza e të dhënave dhe studimeve tona për sëmundjet gjenetike në popullatën shqiptare dhe bashkëpunimit me shërbimet e tjera në QSUNT janë përcaktuar dhe prioritetet në projektet shumë të afërta të zhvillimit të shërbimit si:
- diagnostikimi molekular i sëmundjeve gjenetike me shpeshtësi të lartë e të përafërt me popullatat e tjera mesdhetare e europiane si β-talasemia dhe fibroza kistike, distrofia muskulare Duchenne/Becker, etj.
- diagnostikimi i sëmundjeve gjenomike nga mikrodelecionet dhe mikrodyfishimet dhe anomalive kromozomike strukturore të rralla
- ekzaminime të citogjenetikës molekulare dhe gjenetikës molekulare për përcaktimin e diagnozës, prognozës dhe monitorimin e përgjigjes terapeutike në hemopatitë malinje.
Realizimi i këtyre objektivave do t’i shërbejë pacientëve dhe familjeve të tyre për përcaktimin e diagnozës, prognozës, mundësisë së trajtimit dhe parandalimit të semundjeve gjenetike, do të krijojë mundësinë e hartimit të programeve të depistimit në popullatë dhe familjet me risk si dhe do të jetë bazë e kërkimit shkencor./QSUNT
No comments:
Post a Comment