Nga Nderim Horeshka
Sot, në ditën ndërkombëtare të mjekëve, kisha dy fjalë me thënë për një përqindje të vogël të armatës së madhe të mjekëve shqiptare. Janë shumë të paktë në numër, por të mëdhenj në “vlerat” shkatërrimtare.
E kam fjalën për ato të ashtuquajtur ose të vetëquajtur “Elita “ të mjekësisë shqiptare, të cilët e kanë drejtuar dhe sunduar mjekësinë shqiptare, që e kanë katandisur në derexhenë ku është sot. Ato që e rrënuan mjekësinë në shërbimin publik me veprime aktive si drejtues dhe administrator.
Si drejtues shërbimesh e departamentesh, që rrënuan mësimdhënien dhe përgatitjen e brezave të mjekëve të rinj.
Që nuk e ngritën njëherë zërin për problematikat e sistemit shëndetësor ndër vite, por që u bënë palë në vjedhje dhe me administratën e lartë dhe politikën.
U pasuruan me gjithfarëlloj allishverishesh dhe nuk deshën t’ia dinin për armatën e shumtë të mantel bardhëve, që përpëliteshin e strapacoheshin duke punuar në kushte tejet të vështira dhe nën presionin dhe tutelën prepotente dhe arrogante të shefave të “mëdhenj”, që sundonin në feudet e tyre duke mbytur çdo zë kritik dhe kundërshtues për t’u siguruar qetësi qeveritarëve të radhës bashkëpunëtorë në këtë shkatërrim pa dallim.
Po kujtoj vetëm koncesionet shkatërrimtare me dëme të pallogaritshme për sektorin publik, që nuk pati as edhe një nga këto “elitare” që t’i kritikonte dhe jo me t’i kundërshtonte.
Më ka mbetur në kujtesë një takim i kryeministrit aktual me shefat e shërbimeve në 2014, në kohën që deshën të merrnin mjekët në “testim” për njohuritë mjekësore iniciative e ministrit dhe Ministrisë së Shëndetësisë së kohës dhe asnjë nuk e hapi gojën për të kundërshtuar atë akt të pashembullt dhe të turpshëm që ishte një fyerje në radhë të parë për ato vetë që merrnin pjesë aty si ish profesorët tanë që nuk paskëshin formuar si duhet mjekët.
Një mungese dinjiteti njerëzor, profesional dhe një nënshtrim i turpshëm.
E kundërshtuan pjesa dërrmuese e mjekëve.
Dhe gjithë ky presion u bë për të mbyllur gojën për koncesionin e check up-it dhe të tjerë që erdhën më pas.
Ato me këto qëndrime u bënë pjesë e vendimmarrjes dhe e përgjegjësisë.
E gjitha kjo për të ruajtur privilegjet e posteve të tyre fitimprurëse prej milionash dhe nepotizmin asfiksues të sistemit shëndetësor.
Mjaft të shohësh klinikat e tyre private me vlerë miliona euro.
Turp, turp, turp.
Paçin faqen e zezë!
E njollosen bluzën e bardhë që mbajnë veshur, që u mbulon të zezat e tyre.
No comments:
Post a Comment