Tuesday, June 22, 2021

Psikologia Mehmeti : Na kanë mësuar të mos ankohemi dhe të qëndrojmë të fortë, ja si ndikon kjo në shëndetin mendor

Bisedoi: Desara Çela

Shëndeti i mirë mendor është një komponent i rëndësishëm i shëndetit dhe mirëqenies sonë. Ai është i nevojshëm që ne të arrijmë të menaxhojmë jetët tona në mënyrë të suksesshme dhe na ofron aftësi emocionale dhe shpirtërore që na mundësojnë të shijojmë jetën dhe të përballemi me shqetësimet dhe zhgënjimet. Sipas OBSH-së, “Shëndeti mendor është një gjendje mirëqenie në të cilën individi realizon aftësitë e tij, mund të përballojë streset normale të jetës, mund të punojë në mënyrë produktive dhe frutdhënëse, dhe është në gjendje të kontribuojë në komunitetin e tij.”

Në një intervistë për gazetën ‘Shëndeti Online’, Ada Mehemeti psikologe klinike me përvojë të gjatë pune, tregon më shumë rreth shëndetit mendor dhe rëndësinë  e tij.

Sa i rëndësishëm është shëndeti mendor?

Shëndeti në vetvete ndahet në shëndet mendor dhe atë fizik. Kur kemi dhimbje diku, shkojmë tek mjeku specialist. Duhet ti japim të njëjtën vlerë shëndetit mendor ashtu si shëndetit fizik, sapo ne të evidentojmë një simptomë tek vetja jonë, duhet të kërkojmë ndimë tek specialisti i shëndetit mendor.

Si duhet të shprehemi: kemi sëmundje të shëndetit mendor apo probleme të shëndetit mendor?

Ka simptoma që tregojnë që shëndeti ynë mendor po luhatet apo kemi një problematikë të caktuar në një fushë të caktuar. Pa patur simptomat dhe problematikat të cilat dominojnë ne nuk mund të quajmë që ne kemi  një sëmundje të shëndetit mendor. Që të thuash sëmundje të shëndetit mendor kërkon një eksplorim më të gjërë të simptomatikave për të arritur më pas tek vendosja e një diagnoze që është një çrregullim i shëndetit mendor.  Pra, diagnoza merret në varësi se sa dominante janë simptomat.

Absolutisht që jo nuk mund ta quajmë sëmundje fillimisht, termi i duhur është ‘problematika e shëndetit mendor’.

Cilat janë disa nga çrregullimet që tregojnë që ke probleme të shëndetit mendor?

Janë pa fund çrregullimet që tregojnë probleme të shëndetit mendor. Dominante në shoqërinë tonë janë:

  1. Çrregullimi i ankthit (rrahje të shpejta të zemrës, shpeshtim në frymëmarrje etj)
  2. Çrregullimi i depresionit (çrregulllimet e e depresionit ndahen në forma të ndryshme)

Çfarëdo lloj problematike që njeriu has i shkakton ankth. Pastaj disa njerëz e kanë tendencën për të qenë më ankthioz e disa të tjerë jo.  Një problem të njëjtë dy persona nuk e përjetojnë njëlloj. Njëri e përjeton me ankth e tjetri jo aq shumë. Tek fëmijët dhe adoleshentët vihet re çrregullimi i ankthit dhe ky çrregullim ankthi mbetet i pa trajtuar. Kjo ndodh për disa arsye:

E para është se fëmijët nuk e shprehin këtë gjë në familje që kanë ankth, ose familja nuk arrin të kuptojë që tek fëmija diçka nuk po shkon mirë dhe të kërkojë trajtimin e duhur. Një çrregullim ankthi duhet të trajtohet gjithmonë në mënyrë që të kemi të rritur të shëndetshëm më vonë.

Shoqëria jonë në përgjithësi ka shumë individë me simptoma të ndryshme të pa trajtuara, këto individë nuk janë trajtuar në kohë, nuk kanë kërkuar ndihmë dhe sot ne kemi manifestime të sjelljeve njerëzore nga më të ndryshmet.

Kur fillojnë këto çrregullime të shëndetit mendor?

Fillojnë që kur je fëmijë, ndërsa në adoleshencë arrijnë atë pikën kulminante sepse fillojnë ndryshimet hormonale, krijmi i identitetit tek adoleshenti. Në adoleshecë arrin kulmin por fillesën e ka që në fëmijëri. Prandaj ne themi që prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe shumë të vëmendshëm për indentifikimin e problematikave.

Cilat janë disa nga shenjat që tregojnë që ke çrregullime?

Varet në varësi të problemit që fëmija ka (në këtë rast po i referohem fëmijëve dhe adoleshentëve)

Disa nga shenjat janë:

  • Fëmija zgjohet natën.
  • Ndryshon mënyrën e të ushqyerit (formën e saj duke e shpeshtuar)
  • Izolohet në vetvete.
  • Nuk kanë interes për të ndërvepruar me bashkëmoshatarët e tyre.

Të gjitha këto janë elementë ose simptoma që indirekt fëmija i tregon që dicka nuk po shkon mirë tek ai. Nëse prindi i neglizhon këto simptoma fillojnë dhe agravohen me kalimin e kohës. Por, nëse prindi e indentifikon në kohë dhe kërkon ndihmë nga specialist të shëndetit mendor më pas fillon trajtimi dhe në varësi të fëmijës kemi progres os ejo.

Në varësi të natyrës së problematikave varet edhe kohëzgjatja se cfarë trajtimi kërkon.

Problematikat psikologjike kërkojnë një trajtim më të afat shkurtër sesa problematikat psikiatrike. Problematikat psikiatrike kërkojnë një kohë goxha më të gjatë.

Cila gjini është më e prirur për të patur probleme të shëndetit mendor, të themi depresion?

Të dyja gjinitë janë të prirura për të patur depresion, por duke qenë se femra e ka më të lehtë për të komunikuar shqetësimet ndonjëherë tek femra arrihet ndihma më shpejt. Të themi që shprehet me dikë, qoftë kjo me mamin ose me dikë tjetër që i beson, qoftë kjo edhe tek adoleshentet . Ndërsa tek meshkujt kanë tendencën (sidomos në shoqërinë tonë) për tu treguar më të fortë dhe duke u treguar të fortë nuk shprehin as problematikat, duke mos shprehur problematikat ato mbeten aty të pa trajtuara dhe shpërthejnë nga format nga më të shëmtuarat në një të ardhme.

A mundet vetë një individ të dallojë që ka probleme të shëndetit mendor?

Të gjithë ne e kuptojmë që diçka nuk shkon mirë dhe sidomos problematikat e shëndetit mendor arrihen të indentifikohen nga personi vetë. Ne nuk e dimë se deri ku ësshtë kufiri i normalitetit, por duke patur një lloj kornizimi dhe nëse kalojmë jashtë kësaj kornize në kalojmë nga e pa shëndetshmja.

A është bërë “shkak” pandemia për ti nxjerrë në pah këto problematika?

Pandemia luajti rolin e saj në të gjithë këtë sjellje njerëzore, por do thoja që ne kemi patur individë me probleme të shëndetit mendor të cilat pandemia, izolimi, infektimi e gjitha kjo i ka agravuar më shumë simptomat e tyre. Por nuk mund të them që “shkak” është pandemia, ka patur raste që pandemia i ka nxjerr disa simptoma që nuk i kanë patur më para, kjo qëndron. Por, pjesa më e madhe nga të gjitha kontaktet që ne kemi patur me pacientë kemi vënë re që kanë patur problematika të shëndetit mendor më para pandemisë.

A është akoma stigmë të pranuarit që ke probleme të shëndetit mendor? Nëse po stigma është nga vetë individi apo shoqëria?

Ne jemi një shoqëri e cila kërkon që të dyja figurat si femra dhe mashkullin ta detyrojë të jetë i fortë. Ne rritemi për të mos qarë, u vrave ngrihu dhe mos nxirr lot dhe kjo është që në fëmijëri ose të dhemb diçka mos u ndjej. E kemi të mësuar faktin që ne duhet të qëndrojmë të fortë, dhe duke qenë se duhet të tregohemi të fortë ne na kanë mësuar as të mos ankohemi dhe duke mos u ankuar ne nuk tregojmë se çfarë problematikash kemi. Kështu që ende është stigmë që të thuash ose të pranosh që unë kam një problem të shëndetit mendor. Ne më mirë themi që kam një problem me x organ se sa të themi kam ankth.

 

No comments:

Post a Comment