Thursday, June 10, 2021

Sfida e katërt e Kodimit, organizuar si pjesë e programit ‘Shkollat e Shekullit 21’

Shkolla ’’Marie Kaçulini’’ fitoi vendin e parë në Sfidën e katërt të Kodimit duke krijuar projektin e quajtur ’’Smart City’’. Konkursi u organizua nga Këshilli Britanik me synimin për të frymëzuar fëmijët për të zgjidhur problemet që ata njohin në mjedisin e tyre duke përdorur pajisjet mikrobit. Shkolla ’’Met Hasa’’ fitoi vendin e dytë kurse shkolla ’’Gur i Zi’’ nga Elbasani fitoi vendin e tretë.

Konkursi u organizua si pjesë e programit “Shkollat ​​e Shekullit 21”, i cili zbatohet në Shqipëri nga Këshilli Britanik në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, dhe financohet nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Këshilli Britanik është jashtëzakonisht i shqetësuar për shëndetin dhe sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në konkurs gjatë pandemisë, kështu që konkursi u zhvillua në internet për herë të dytë këtë vit. Shkollat ​​prezantuan projektet e tyre në formatin dixhital, ku juria përzgjodhi 10 projektet më të mira për tu prezantuar në finalen e eventit ’live’. Nxënësit e shkollës fillore treguan edhe një herë se sa lehtë përshtaten dhe sa mirë i menaxhojnë teknologjitë dixhitale.

Projekti fitues i quajtur ’’Smart City’’ u krijua nga nxënësit Amelia Lloshi dhe Roan Garipi nën mentorimin e mësueses Etleva Çelmeta. Projekti synon të ndihmojë funksionimin sa më të mirë të institucioneve përkatëse në qytetin e Durrësit, për të gjithë banorët por sidomos për ata me aftësi ndryshe. Fituesit, thanë se ishin jashtëzakonisht të lumtur për fitoren dhe se shpresojnë që projekti i tyre të ndihmojë shkollën e tyre, por edhe komunitetin e gjerë në zgjidhjen e problemeve reale. Vendin e dytë e fitoi shkolla ’’Met Hasa’’ nga Durrësi dhe vendi i tretë shkoi për shkollën ’’Gur i Zi’’, Elbasan.

Në fjalën e tij hyrëse Zëvendës Ambasadori Z. Jason Ivory përgëzoi fituesit, por edhe të gjithë pjesëmarrësit dhe shprehu mirënjohjen e tij për zgjedhjen e temave të projekteve nga nxënësit sidomos për zhvillimin e tyre gjatë veshtirësive të pandemisë:

“Programi ’Shkollat e Shekullit 21’ është bashkëpunimi më i rëndësishëm në fushën e arsimit midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Pandemia e shkaktuar nga COVID-19 ka paraqitur shumë sfida. Sidoqoftë, fakti që keni qenë në gjendje të vazhdoni të merrni pjesë në Sfidën e Kodimit tregon se si situatat e jashtëzakonshme mund të na shtyjnë të përshtatemi dhe të zhvillojmë më tej aftësitë’’.

Znj. Nina Guga, Zëvendës Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë tha:

’’Puna juaj ka vijuar edhe në këto kohë të vështira ku krahas mësimit online ju mësues e nxënës nëpërmjet angazhimit tuaj në projektin “Shkollat e Shekullit 21” keni sfiduar vështirësitë duke dhënë mesazhin se “së bashku do ja dalim”.

Gjithashtu do te vleresoja qe pjesemarrja ne kete projekt kaq te rendesishem per kohet qe po kalojme, dhe eshte nje cmim e vleresim per te gjitha shkollat pjesemarrese duke ju motivuar akoma dhe me shume ne perdorimin e njohurive dhe aftesive te marra edhe ne aktivitetet te tjera.’’

Në fjalën e tij përmbyllëse, Drejtori i British Council për Shqipërinë dhe Kosovës, Angus Bjarnason tha:

’’Dëshiroj t’i përgëzoj të dhjetë shkollat finaliste, pjesëmarrëse në këtë konkurs edhe pse pas shumë vështirësive punuan dhe realizuan projekte kaq të mrekullueshme të cilat ne patem kënaqësinë të shihnim sot. Siç e kemi përmendur dhe më parë, përdorimi i teknologjisë dhe internetit hap shumë mundësi të mira për të rinjtë jo vetëm në Shqipëri por kudo në botë, dhe kjo është arsyeja kryesore përse ne po investojmë kohën dhe burimet tona për ta realizuar këtë projekt’’

Ai gjithashtu falenderoi anëtarët ekspertë të jurisë Albana Çela dhe Olsi Karapici për praninë e tyre.

Fotografitë mund t’i gjeni në: https://buff.ly/3wgjzZ3

Mësoni më shumë rreth programit në: https://buff.ly/2Laf3IR

Shikoni videon e projektit fitues në faqen tonë

Rreth programit ’Shkollat e Shekullit 21’

’Shkollat e Shekullit 21’ është një program arsimor ambicioz tre-vjeçar me vlerë 10 milion paund, i hartuar dhe zbatuar nga British Council në Ballkanin Perëndimor, dhe financuar nga Qeveria e MB-së.

Qëllimi i këtij programi, i cili zbatohet në partneritet me institucionet arsimore kompetente të vendeve pjesëmarrëse, është t’u mundësojë një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç të fitojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Përveç kësaj, fëmijët do të fitojnë aftësi praktike të programimit dhe do të kenë mundësinë të përmirësojnë aftësitë e tyre përmes programimit të pajisjeve fizike (physical computing).

No comments:

Post a Comment