Bullgaria ka në plan të sigurojë rreth 150,000 vaksina anti-COVID për fqinjët e saj ballkanikë. Diçka e tillë u deklarua nga ministri i Shëndetësisë në Bullgari, Stoicho Katsarov.
Ai tha se vendi ka rënë dakord të marrë rreth 13 milionë doza nën skemën e furnizimit të BE-së deri në fund të vitit dhe kështu do të mund të ndihmojë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Plani është që të shpërndahen deri në 150,000 doza midis vendeve tona fqinje të Ballkanit Perëndimor. Sofja ka marrë kërkesa nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova dhe Bosnja. Nevojat tona janë mbuluar plotësisht kështu që nuk ka asnjë rrezik që Bullgaria të mbetet pa vaksina”, u shpreh ai.
Vaksinat që kërkon të dhurojë Bullgaria janë kryesisht të kompanisë AstraZeneca. Javën e kaluar presidenti Rumen Radev tha se Sofja ka në plan të dhurojë një sasi të konsiderueshme vaksinash për Maqedoninë e Veriut, si një lëvizje që mund të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara mbi veton e Bullgarisë për hapjen e negociatave.
No comments:
Post a Comment