Punoi: Gerta HALILAJ, Teknike Imazherie Spitali Universitar Sh. Ndroqi
Në ditët e sotme, Imazheria Mjekësore është një komponent thelbësor i kujdesit shëndetësor, duke kontribuar në depsitime, diagnozë të hershme, planifikim/përzgjedhje të trajtimit si dhe ndjekje të ecurisë së sëmundjes.
Për dekada me radhë, radiografia ishte i vetmi modalitet diagnostikues imazherik, por kurioziteti njerëzor dhe nevoja për përmirësim të cilësisë së imazhit u rritën. Përmirësimi i paisjeve imazherike dhe imazhet dy-dimensionale i hapën rrugën imazherisë 3D, imazherisë funksionale dhe asaj molekulare.
Në fillimin e shekullit 20, tomografia klasike ishte një përpjekje për të tejkaluar kufizimet e radiografisë 2D. Pavarësisht evoluimit të vazhdueshëm ky modalitet i ri ishte jo-efektive për të vlerësuar indet e buta dhe zona të mëdha të trupit. Me zhvillimin e minikompjuterave, metodës aksiale të skanimit, falë punës së Godfrey Hounsfield dhe Allan McLeond Cormack kjo teknikë u zvendësua gradualisht nga modaliteti i Tomografisë së Kompjuterizuar (CT/skaner).
Në 1990, përmirësimi i njësive të sistemit të CT bëri të mundur skanime të gjithë toraksit dhe abdomenit me reduktim të ndjeshëm të kohës së skanimit. Përparime të tjera u dokumentuan në 1998 me implementimin e CT me katër detektor gjë që do të shënonte pikënisjen e studimit të detajuar edhe të strukturave vaskulare falë përdorimit të lëndëve të kontrastit intravenoze. Kjo i hapi rrugën sistemeve të skanimit me 16 detektorë (në 2002) dhe më tej CT në 2004 me 64 detektorë.
Surpriza e radhës ishte në 2006 me implementimin e sistemve CT me burim të dyfishtë të rrezeve X e cila përforcoi akoma më shumë rolin e CT në diagnozën e sëmundjeve kardiovaskulare. Së fundmi, në 2010 u prezantua një sistem CT me 320 detektor, që redukton dukshëm kohën e marrjes së imazhit në më pak se 1 sekond për zemrën dhe arteriet koronare, redukton sasinë e kontrastit të nevojshëm për opacifikim opimal të lumenit vaskular si dhe dozën e rrezatimit.
Fuzioni i CT me imazherinë funksionale si Tomografia me Emëtim të Pozitroneve (PET) dhe CT me emëtimin e një fotoni të vetëm (SPECT) ka bërë të mundur bashkimin e të dhënave funksionale nga imazheria nuklare me detajet anatomike të CT duke ofruar përmirësim të diagnozës së lezioneve malinje, të stadifikimit, monitorimit, terapisë dhe rritje të besueshmërisë në interpretim.
Të gjitha këto ndryshime sjellin përmirësim të kujdesit ndaj pacientit si dhe përmirësimin të informacionit diagnostikues në më pak kohë.
Ky përshkrim i shkurtër i evolucionit teknik të CT do të shërbejë si bazë për t’u orientuar drejt përparimeve klinike të jashtëzakonshme të bëra të mundshme nga skanuesi CT.
Indikacionet e CT
Tomografia e Kompjuterizuar vlerësohet si teknikë diagnostikuese imazherike me ndjeshmëri 100 herë më të lartë se radiografia. Ajo mund të diferencojë dhe vizualizojë struktura me përmasa të vogla që kanë diferenca minimale në densitet nga 0.1-0.5 %.
- Indikacionet neurologjike
Koha e shkurtër e ekzaminimit, mundësia e madhe në studimin e kockave dhe patologjive që shkaktojnë simptomatologji akute kanë bërë që CT të jetë modaliteti bazë në studimin e patologjive kraniale.
CT pa lëndë kontrasti mund të vlerësojë me saktësi të lartë urgjencat neurokirurgjikale si: hemorragjitë intrakraniale, efektin e masës, infarktin cerebral, frakturat kraniale etj.
CT me lëndë kontrasti lejon marrjen e një informacioni më të detajuar mbi formacionet tumorale primare, metastatike, anomalitë vaskulare: stenoza, okluzione, aneurizma, disekacion, malformacione aterio-venoze etj.
- Indikacionet pulmonare
CT është teknika e zgjedhur për studim të detajuar të aparatit respirator. Një skaner i ap. respirator rutinë kërkohet për të vlerësuar pulmonin dhe rrugët e ajrit. Skaneri i regjionit pulmonar me kontrast iv (angio-CT) përdoret për vlerësim të detajuar të mediastinit dhe strukturave vaskulare, kryesisht të arterieve pulmonare, aortës si dhe për vlerësim të formacioneve tumorale primare apo metastatike.
- Indikacionet kardiovaskulare
CT mund të aplikohet në pacientë me hemodinamikë të paqëndrueshme që kanë nevojë për ekzaminim të shpejtë në kohë dhe efektiv. Ky lloj ekzaminimi kërkon injektimin iv të lëndës së kontrastit me bazë Jodi.
- Ndihmon në dedektimin dhe vlerësimin e sëmundjeve të arterieve koronare.
- Identifikon grumbullimet e kalciumit në koronare.
- Ndihmon në vlerësimin e problemeve të funksionit kardiak dhe valvulave.
- Vlerëson patologji të perikardit.
- Mund të përdoret për monitorimin e rezultateve të baypass-it koronar
- Indikacionet abdominale
CT është modalitet mjaft i përdorshëm në diagnozën e kushteve patologjike të regjionit abdominal si: obstruksion, perforacion intensinal; trauma; anomali vaskulare (aneurizëm, trombozë); lezione/formacione tumorale të organeve abdominale; komplikacionet post-operatore etj.
- Indikacionet në sistemin osteo-artikular
CT është ekzaminimi i zgjedhur në rastet e pacientëve të traumatizuar. Realizon një vlerësim të shpejtë dhe të detajuar të indeve të buta dhe strukturave kockore. CT detekton 97-100 % të frakturave krahasuar me radiografinë e cila detekton afërsisht 60-70 % të frakturave. CT ka sensitivitet të lartë në detektimin e dëmtimeve traumatike të regjioneve komplekse si: cranium, kolona vertebrale, pelvis etj
Përvec indikacioneve të mësipërme CT mund të përdoret si guidë për marrjen e materialit për biopsi, planifikim pre-operator, vlerësimin mbas kirurgjisë.
Avancimet e teknologjisë së CT kanë rritur ndjeshëm aplikimet klinike të këtij modaliteti. Kjo kërkon zbatim me rigorozitet të parimeve të justifikimit, optimizimit dhe reduktimit të dozës për cdo ekzaminim CT të rekomanduar në mënyrë që të ulen sa më shumë të jetë e mundur efektet e dëmshme të rrezatimit jonizues në indet humane.
No comments:
Post a Comment